Gentian Çala: Nuk është thjesht dështim, por dashakeqësi

800
Sigal

NUK ËSHTË THJESHT DËSHTIM, POR DASHAKEQËSI!

Ka një dallim të madh ndërmjet dështimit nga vizioni jo i duhur, paaftësia apo pamundësia dhe dashakeqësisë që vjen nga të bërit e gjërave në një mënyrë të tillë, duke qenë i ndërgjegjshëm për rezultatet negative. Në raport me qeverisjen e Edi Ramës shpesh mendoj nëse është më shumë dështim apo dashakeqësi, apo të dyja bashkë. Ma merr mendja se është kjo e fundit, por çfarë rëndësie ka kjo, mund të thotë dikush? Ka rëndësi, sepse qëllimet dashakeqëse dhe shkatërruese mund të kenë pasoja më të mëdha dhe janë të pafalshme.

Le të marrim disa shembuj. Lejimi i kultivimit apo lehtësimi i trafikut të kanabisit, nuk ishte thjesht një gabim, por një qëllim dashakeq, ku për përfitime të krimit dhe pushtetarëve, u bë një dëm vendit për dy ose tre dekada. Të shpërfillësh dekretet presidenciale dhe të bësh zgjedhje vetëm me një parti nuk ishte diçka e bërë thjesh gabim, por një dëshirë dashakeqe për të zaptuar pushtetin vendor, pa garë, pa zbatuar parimet e demokracisë. Të kandidosh në poste të larta publike eksponentë të kriminalizuar, është po ashtu dashakeqësi ose kapje nga krimi.

Të rrënosh ekonominë, biznesin, të shohësh vendin që zbraset përditë dhe ti mohosh ato, nuk është thjesht një gabim, por paaftësi për të kuptuar apo për të pranuar realitetin. E pra, shembuj ka shumë dhe të mbrosh apo të përkrahësh punën e kësaj Qeverie apo të këtij Kryeministri, mund ta bësh vetëm nëse je peng i tyre (i blerë, i shpërblyer në forma të ndryshme), i përzier me ta ose thjesht pa moral. Të tillë ka. Unë nuk e kuptoj se si mund ti mbrojnë ata. Dashakeqësia nuk mund të mbrohet. Ata janë përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe të na thonë se “ndoshta ka edhe ndonjë gabim, se kush punon gabon”, janë munduar ta justifikojnë atë që nuk mundet dhe që nuk duhet ta bëjnë.

Heshtja e atyre që duhet të flasin është po kaq e fajshme. E vërteta as nuk maskohet, as nuk zhbëhet nga askush. Zgjedhjet janë i vetmi shpëtim ndaj dashakeqësisë të veshur me pushtet pa kufi. Rama duhet të zbresë nga froni, sa më shpejt, aq më mirë. Ky nuk është thjesht dështim i Ramës, por i gjithë modelit që ai solli, që ai ngriti dhe që ai mbështeti. Dashakeqësisht apo gabimisht modeli i tij i qeverisjes apo i menaxhimit të punëve të vendit ishte një katastrofë e vërtetë. As ndërkombëtarët nuk duhet të mbyllin më sytë apo veshët ndaj këtij modeli. Shqipëria nuk mund të jetë më as oaz krimi, as burg të drejtash, as e mbytur në dëshpërim dhe as një tokë e djegur.
Boll më!