Genc Pollo: Servirja e listave të hapura, si ilacc ccudibërës, ishte hipokrite. Opozitës i lind detyrimi politik për të reaguar

235
Sigal

 

Në esenë e tij të njohur “Politika si zanat” të fill pas Luftës së Parë Botërore, sociologu i famshëm Max Weber, përshkruan kategoritë e politikës së (politikanit të) bindjes dhe atë (atij) të përgjegjësisë, duke i cilësuar ato  kundërshtuese, por në fund të ditës edhe plotësuese. Një politikan, në parim merr vendime sipas bindjeve të veta; por kur me realizëm sheh se pasojat janë problematike, atëhere ai me përgjegjësi e moderon vendimarrjen e tij. Druaj nëse vërtet citati i mësipërm ka të bëjë direkt me piruetën politike të kryeministrit Rama për “listat e hapura” që tërhoqi vëmendjen time dhe që është objekt i këtij shënimi; por më duket se mund të vlejë si sfond, ndoshta edhe si kut, kur reflektojmë për aktualitetin politik. Para një muaji, pyetjes insistuese të gazetares veterane Valentina Madani, “nëse i jepni të drejtë për ndonjë gjë Edi Ramës”,  ju përgjegja duke devijuar nga ortodoksia retorike e opozitës: i thashë –“se ai ka të drejtë kur vë në dyshim efektin mrekulli, e madje refuzon listat e hapura”. Pikëpamja ime ka qenë se  servirja aktuale e listës së hapur nga disa deputetë, si ilaç çudibërës kundër të këqijave të mëdha të shoqërisë ishte hipokrite; aplikimi i keq i saj do të dëmtonte zgjedhjet; që ashtu siç janë zor se përballojnë dëme shtesë. Ky ka qenë pak a shumë edhe shtjellimi i Ramës e i të tijëve në plot raste. Por javën e shkuar e dëgjova të thoshte se kishte ndryshuar mendim për to mbasi, siç paskej thënë Churchilli, vetëm budallenjtë nuk ndryshojnë mendim (në fakt citati daton dy shekuj më herët e është i diplomatit frëng Talleyrand) dhe se ai kishte parë në sondazhe opinioni se  90% e shqiptarëve i dëshëron listat e hapura; si pasojë PS, nuk ka pse kundërshton këtë ortek të dëshirës popullore. Vërejtja e parë që po bëhet me bujë është se në fakt Rama po eliminon koalicionet që aktualisht nuk i volisin. Por që atë vetë dikur  e kanë favorizuar decizivisht si p.sh. kur u rizgjodh kryebashkiak në 2007, apo kur fitoi parlamentaret në 2013. Vetë ai nuk harronte t’a theksonte këtë kur falenderonte partitë aleate “tradicionale” e “strategjike”. Koalicionet janë një praktikë e hershme e zgjedhjeve pluraliste tek ne dhe eliminimi i tyre për t’i ngrënë kundërshtarit 4-5 mandate me ndryshim të njëanshëm të rregullit të lojës në prag të fillimit të lojës është pa din e iman. Opozitës i lind e drejta morale e detyrimi politik për të reaguar jashtë normales. Le t’i kthehemi pak Weberit: a shikoni kund politikanin e bindjes? Po atë të përgjegjësisë? Edhe një vërejtje e dytë: unë nuk e kam parë sondazhin mbi listat e hapura. Megjithatë nuk dyshoj të jetë i rremë, mbasi dihet se populizmi bazohet tek placebot publike e thjeshtëzimet e mëdha. Kjo çështje mbetet më gjerë për një shënim tjetër. Por, edhe pse pa e shikuar, do të vija dorën në zjarr se sondazhet e opinionit do të dëftenin se mbi  95%  e shqiptarëve duan që qeveria të anullojë PPP-të problematike dhe pastaj  milionat e tyre t’ja kushtojë rindërtimit pas tërmetit e ndihmës ekonomike pas epidemisë. Edi Rama, për të cilin thuhet se bën sondazhe për çdo gjë, do e ketë vërejtur edhe këtë ortek të dëshirës popullore. Por këtu duket se i zgjuari nuk po do të ndryshojë mendim. Politikan i bindjes? Politikan i përgjegjësisë? Apo …? Një reflektim i vogël pa i prishur kujt qejfin e fundjavës!