Gazmend Oketa:“FRD-ja është partia e vetme e moderuar e qendrës së djathtë”

539
Sigal

Në vend të pragmatizmit politik pa moral, ne zgjodhëm moralin politik pa pragmatizëm

Humbja e madhe e PD-së në zgjedhjet e 23 Qershorit, ka shtruar, veç të tjerash, edhe çështjen nëse e Djathta shqiptare duhet të reformohet? Nëse disa pohojnë këtë domosdoshmëri, pyetja tjetër është se  si duhet bërë ky reformim? Disa shikojnë si zgjedhje shkrirjen e partive të vogla te PD-së, ndërsa të tjerë, shkojnë në një vizion më të gjerë. Gazmend Oketa, një nga drejtuesit kryesorë në FRD, në intervistën për “Telegraf”, pohon se 30.000 votat që mori FRD-ja nuk mund të konvertoheshin në mandate, për shkak të Kodit Zgjedhor. Sipas, zotit Oketa, arsyeja pse FRD-ja nuk mori pjesë në asnjë koalicion parazgjedhor, është se ata: “Në vend të pragmatizmit politik pa moral, ne zgjodhëm moralin politik pa pragmatizëm”. Zoti Oketa, lë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi pasgjedhor  të FRD-së  me PD-në pa Berishën, por kjo do të varet nga rrethanat dhe faktorë të caktuar politikë.

 

– Zoti Oketa, FRD-ja nuk arriti dot të marrë asnjë mandat në Kuvend. Sipas jush, cilat janë shkaqet?

Pavarësisht faktit se në zgjedhjet e 23 Qershorit FRD-ja mori rreth 30 mijë vota, këto vota për shkak të kodit nuk mundën të përkthehen në mandate. Me një Kod Elektoral të ndershëm e më vlerësues për votën e qytetarëve, rezultati i FRD-së mund të kishte qenë akoma më i madh në numër. Ne e dinim që kishim zgjedhur rrugën më të vështirë, atë të konkurrimit të vetëm në këto zgjedhje, por po ashtu dinim dhe faktin se kemi bërë zgjedhjen më korrekte dhe më të moralshme. Në vend të pragmatizmit politik pa moral, ne zgjodhëm moralin politik pa pragmatizëm. Kaq mund të bënim ne, dhe më pas i takonte qytetarëve të vlerësonin alternativat që ju ofruan në këto zgjedhje. Sigurisht, që ne do të bëjmë një analizë të plotë lidhur me rezultatin tonë, por besoj se me shumë interes jovetëm për politikën, do të ishte një analizë e rezultatit në tërësi. P.sh. nuk mund të thuhet se qytetarët votuan kundër korrupsionit qeveritar, pasi tre nga partitë e koalicionit qeverisës, LSI, PDIU dhe PR, rritën prezencën e tyre në Kuvend, ndërsa PD-ja u reduktua në maksimum.

–  Cilat janë shkaqet e një ndarje të tillë të votës?

– Për këtë duhen pyetur votuesit dhe jo ata që garuan në këto zgjedhje.

– Ky Kod Zgjedhor, i zvogëlon së tepërmi shanset e partive të tjera, që të konkurrojnë të veçuara nga 2 koalicionet e mëdha politike. Kjo vlen edhe për FRD-në në zgjedhjet e 23 Qershorit?

Ky kod është hartuar qëllimisht për të forcuar pushtetin politik të pak individëve brenda forcave të tyre politike dhe për ta konvertuar më pas këtë pushtet në pushtet ekonomik. Sigurisht kjo ka ndikuar dhe në mos konvertimin e 30 mijë votave të FRD-së në mandate, por kjo më së shumti vlen për qytetarët, pasi në fund janë ata që i paguajnë pasojat e një sistemi të tillë e jo politika. Ky kod elektoral, përveçse redukton shanset e partive të reja, ka kthyer thjesht në ‘noter’ edhe votuesit, të cilët nuk kanë asnjë mundësi të zgjedhin vetë përfaqësuesit që duan, por vetëm “noterizojnë” listat e mbyllura të partive politike.

– Përtej asaj aparence të “zgjedhjeve brenda normalitetit”, partitë e vogla janë ankuar gati të gjitha, se u janë vjedhë votat nga partitë e mëdha, madje nga ato parti që janë brenda koalicionit. Ju keni të tilla pretendime për votat tuaja?

Ka vetëm një element i cili bëri që zgjedhjet të mund të quhen “normale”, dhe ky është rezultati me diferencë shumë të madhe. Ishte ky rezultat i cili siguroi qetësinë paszgjedhore dhe i hoqi cilitdo mundësinë për ta tjetërsuar atë. Fatkeqësisht tek ne zgjedhjet cilësohen “normale” edhe kur ditën e zgjedhjeve vriten përfaqësues politik para qendrës së votimit, edhe kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është gjysmak, edhe kur pjesa më e madhe e partive që konkurrojnë pretendojnë për vjedhje votash. Ne nuk i shohim zgjedhjet si një proces, i cili kalon në disa faza, por si një ditë të vetme që është ajo e votimit. Ka kaluar me shumë se një muaj dhe akoma nuk kemi certifikim të rezultatit të zgjedhjeve e me sa duket edhe për disa javë një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Secili mund të vendosë vetë se çfarë etikete mund t’i vihet zgjedhjeve të tilla. FRD-ja është deklaruar për një politikë ndryshe, që në fillimet e aktivitetit të saj politik, dhe i ka qëndruar këtij deklarimi. Ne kemi njohur zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve, duke u shprehur se: “Vendimi i qytetarëve mund të komentohet, por nuk mund të diskutohet”.

– Ju si e shpjegoni humbjen  e madhe të PD-së, por njëkohësisht, partitë bashkëqeverisëse, PR-ja dhe PDIU-ja, fituan shumë? Po faktin që edhe pse LSI-ja ishte në bashkëqeverisje 4 vjeçare me PD-në, është fituesja më e madhe e 23 Qershorit, si e shpjegoni?

Personalizimi dhe abuzimi me pushtetin, përqëndrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme,  korrupsioni në rritje, gjendja e vështirë ekonomike e familjeve shqiptare, modeli klientelist, rritja e kriminalitetit, humbja e moralit politik për të përfaqësuar realisht të djathtën, besoj se janë arsyet kryesore të këtij rezultati të PD-së. Por është e pashpjegueshme në gjykimin tim, që qeverisja e PD-së me të drejtë ndëshkohet maksimalisht, ndërsa aleatët e saj katërvjeçar mbivlerësohen. Kjo pyetje i duhet bërë votuesve për të kuptuar arsyet e një votimi të tillë.

– Kohë më parë, kryetari i FRD-së, zoti Topi, ka pohuar se edhe mund të rikthehet në një PD pa Berishën me “Berishizmin”. Mendoni se këto  piqen  edhe kushtet për një afrim FRD-së me PD-në?

Me sa kujtoj unë, pohimi ka qenë se është i mundshëm opsioni i një koalicioni paszgjedhor pa Berishën dhe jo rikthimi në PD pa Berishën, që janë dy gjëra të ndryshme.

– Cili do të jetë roli i tanishëm i FRD-së? Opozitar,  të vetëm, apo opozitar, duke gjetur mundësi bashkëpunimi edhe me opozitën parlamentare?

Opozitar nuk të bën fakti nëse je i vetëm apo je së bashku me një formacion tjetër politik. Opozitar, politikan të përgjegjshëm, forcë politike të përgjegjshme të bëjnë qëndrimet dhe veprimet politike që t’i ndërmerr. Fryma e Re Demokratike nuk ka asnjë lloj kompleksi dhe nuk e sheh vetën në varësi apo funksion të asnjë force tjetër politike. FRD-ja ka linjën dhe rrugën e saj politike, ka objektivat dhe programin e saj politik. Në javët në vijim FRD-ja do të analizojë në të gjitha strukturat e saj rezultatin e aktivitetit dhe zgjedhjeve të 23 qershorit, për të korrigjuar më pas gjërat që duhen korrigjuar dhe për të konsoliduar strukturat e saj. Nisur nga ajo ç’ka kemi ndërtuar deri më tani, duhet të përgatitemi për garën e radhës, që do të jenë zgjedhjet lokale.

PD-ja nuk interesohet për konsolidimin e së Djathtës

– Kjo humbje e madhe e PD-së, a shtron domosdoshmërinë e një reformimi të thellë të së djathtës shqiptare? Cilët duhet të jenë faktorët që duhet të luajnë rol kryesor në këtë reformim të së djathtës? Dhe si mund të realizohet?

Nuk besoj se konsolidimi i të djathtës është shqetësimi kryesor i drejtuesve të PD-së. Përkundrazi, po të analizohen veprimet, duket sikur ka qenë e kundërta. Mjafton t’i referohesh katër viteve të fundit: koalicioni me LSI-në, ruajtja e numrave në parlament e më pas përfshirja në listat zgjedhore të 2013-s e përfaqësuesve simbol të të majtës, kupton sa pa sens është ta shtrosh akoma çështjen në planin ideologjik. Politika shqiptare tashmë gjithçka e ka shndërruar në betejë për pushtet politik dhe ekonomik. Edhe fakti që qytetarët nuk kanë ndëshkuar me votë akrobaci të tilla, ka bërë që politika të mos ketë asnjë hezitim për të bërë pazare, pa u shqetësuar për dallimin i majtë apo i djathtë.

Aktualisht, FRD-ja është sot partia e vetme e moderuar e qendrës së djathtë, dhe ka vullnetin të jetë shtëpia e vërtetë e të djathtës së re, dhe natyrshëm ka dhe përgjegjësinë të vazhdojë të japë kontributin e saj në ringritjen e së Djathtës në nivelet që i takon dhe që demokratët e vërtetë meritojnë.