Gazeta Telegraf/Policët e lagjeve, të lidhur me banditë e trafikantë

473
Sigal

Denoncojnë
qytetarët nga rrethet e vendit: Me shkollim zero, ditën me uniformën, natën me banditët

 

Maksim TUFA

 Ajo çfarë i ka
ndodhur policisë në këto 3 vite e gjysmë, fare lehtë mund të quhet si
“shkatërrimi i vlerave dhe veshja e (ish) banditëve me uniformë”. Jo vetëm
statistikat zyrtare që flasin për mbi 4800 policë të larguar pa asnjë
motivacion, por edhe veshja e uniformës nga ish-banditë, ish-trafikantë, ish-të
dënuar dhe mashtrues ordinerë, që e kanë “pastruar” të kaluarën duke blerë vërtetime
dhe diploma fallco, tregon sa keq kanë degraduar sot strukturat e veçanta të
Policisë Shtetit, kryesisht në rrethe. Pothuajse çdo ditë do të mësosh, do të
dëgjosh dhe do të shikosh se si, (ish) banditë të veshur me uniformë nuk kanë
arritur të dalin nga konturi i tyre, por sillen me qytetarët sikur të ishin
duke kryer ndonjë grabitje, ndonjë akt kriminal, dhe jo sikur të ishin në
detyrë. Ata janë njerëz pa etikë, pa edukatë, pa kulturë profesionale, sepse e
kanë zakon një sjellje të tillë dhe se vijnë nga rruga. Ata nuk e dinë, se
detyra e tyre e vetme është dhe mbetet zbatimi i ligjit, ruajtja e rendit dhe
qetësisë, por e kundërta ndodh çdo ditë rrugëve dhe rrugicave të qyteteve tona.
Policia e Shtetit me punësimin e analfabetëve, e atyre që vjedhin votat në
zgjedhje, e atyre që për shok e mik njohin vetëm banditin dhe trafikantin, e
atyre që vendosin gjoba në lokalet dhe bizneset e qyteteve, ka degraduar disa
prej strukturave delikate të saj. Kështu Krimi Ekonomik, Rendi dhe sektori i punonjësve
të policisë që merren me lagjet, mbeten të përfolura, të denoncuara dhe të
akuzuara nga qytetarët. Gazeta “Telegraf” ka marrë ditët e fundit dhjetëra e dhjetëra
denoncime dhe informacione nga banorët e shumë qyteteve si nga Durrësi,
Elbasani, Korça, Berati dhe Vlora, ku flasin pikërisht për punonjësit e këtyre
tre strukturave, kryesisht për policët e lagjeve. Një grua nga Elbasani që ka
një dyqan me të cilin mban familjen, i deklaroi gazetës se “polici që mbulon
lagjen tonë është një i paedukatë, një bandit, një rrugaç që po na vë gjoba, na
thur skenarë, na ndërsen grabitës e hajdutë dhe na kërcënon se “më jep një
rrogë mujore mua, të të mbroj nga ata që të bezdisin”. Gruaja ka denoncuar me
telefon edhe tek 129, edhe tek Komisariati Policisë, por atje punonjësin e
policisë që mbulon lagjen e saj e mbrojnë, sepse ai edhe atje ai sillet si
kodosh, jep gjobën tek shefat. Një molepsje e korrupsionit me krimin, një
molepsje e paaftësisë së punonjësve të policisë me banditët e rrugës, për të
zhvatur para pa djersë, para njerëzish të ndershëm. Por nuk ka qenë vetëm ky
një rast i veçuar, pasi në portalin e Policisë Shtetit, nga Elbasani ka patur në
3-4 muajt e fundit qindra e qindra ankesa dhe denoncime për punonjësit e
policisë, dhe kryesisht për ata që mbulojnë lagjet e qytetit. Lidhja me persona
të mbushur me precedentë penalë, lidhja me banditë që kalojnë natën duke
grabitur, lidhja me trafikantë duke përfituar prej tyre “rroga” mujore të
majme, i kanë kthyer punonjësit e policisë në lagjet e qyteteve tona në
korrierë të rrjeteve kriminale, duke u pasuruar nën hundën e shefave dhe
drejtuesve të tyre. Madje këta të fundit nuk kujdesen dhe nuk merren prej kohësh
me CV, ankesat dhe me denoncimet e ardhura nga qytetarët ndaj banditëve të
veshur me uniformë blu, kur ata punësohen. Ata thjesht janë mjaftuar me SMS-në dhe
me “porosinë” e ndonjë deputeti apo zyrtari të lartë nga Tirana, duke mos patur
parasysh asnjë kriter profesional, duke mos gërmuar fare mbi të kaluarën e
atyre që punësojnë, duke krijuar kështu në komisariate vatra të rrezikshme, me
njerëz të akuzuar, dhe të dënuar nga ligji. E njëjta gjë ka ndodhur dhe po
ndodh edhe në Durrës. Në lagjet periferike atje, punonjësit e policisë janë miq
të grupimeve kriminale, pasi asnjë denoncim dhe asnjë kallëzim nuk vlen kur
qytetarët e bëjnë. Kjo pasi gjithçka dekonspirohet nga punonjësit e policisë së
lagjeve. Një banor i një lagje periferike (18) pranë ish-Kënetës i tha
“Telegraf” se “kam mbi 2 muaj që një grup banditësh dhe grabitësish të moshës
20-25 vjeç, po më nxijnë jetën, ashtu siç u vënë gjoba edhe dyqaneve të tjera, duan
para nga unë sepse e kam një dyqan mishi, kam denoncuar mbi 12 herë në polici,
madje herën e fundit i thashë se “do ti vras grabitësit, ndaj ejani t’i
arrestoni ju”. Qytetari nga Durrësi u shpreh se “pasi kanë nja dy muaj që
merren me mua, tani kanë nisur të merren me familjen time, ndaj i bëj thirrje
ministrit Tahiri, të mbledhë “çunat e tij” se i janë shpërndarë shumë, ndryshe
do të bëj vetëgjyqësi”. Situata e raportuar dhe e mësuar nga qytetarët, lidhur
me atë çfarë po ndodh me policinë në rrethet e vendit, tregon jo vetëm
degradimin, por paralajmëron edhe përkeqësimin e saj në muajt në vazhdim, kur
fushata elektorale të afrohet, dhe “çunave” t’iu shtohet oreksi për para. Sjellja
e punonjësve të policisë në lagjet e qyteteve si banditë dhe jo si
profesionistë, është një sinjal i keq për rendin, qetësinë dhe jetën e qytetarëve
shqiptarë.
 qytetarët nga rrethet e vendit: Me shkollim zero, ditën me uniformën, natën me banditët