Gazeta Telegraf/ PD dhe PS bien dakort për Strukturën e Prokurorisë Antikorrupsion

460
Sigal

Ndërkohë që
Parlamenti vlonte me akuza dhe kundërakuza, amerikanët ishin bërë ndërmjetës
mes shqiptarëve në Komisionin e Drejtësisë për të arritur një marrëveshje
kompromisi për ligjin e Strukturës së Prokurorisë Antikorrupsion. Ai rregullon
funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe
Gjykatave  Speciale, të cilat kanë për
detyrë të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në një opinion me 31
faqe, Partia Demokratike e kishte konsideruar projektligjin si antikushtetues
në 3 çështje kryesore, ku ngrinte shqetësimin e ndërhyrjes dhe kontrollit nga
Qeveria të këtyre institucioneve. Pas 4 orë diskutimesh teknike, palët kanë
dalë me një konsensus pothuajse të plotë. “Ne arritëm të zgjidhim pjesën
dërrmuese duke gjetur dakortësinë e ekspertëve ndërkombëtarë të OPDAT dhe
EURALIUS. Në konsultim me ta dhe me propozimet e bëra në Komision kemi gjetur
zgjidhje në këto çështje”, deklaroi në përfundim të konsultimeve deputeti i
Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi. Konsensusi mungon vetëm për një nga
shqetësimet kryesore të opozitës që lidhet me ndikimin e Qeverisë në emërimin e
gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të SPAK-ut. “Praktikisht do të hiqnin
rolin e organeve të kontrolluara nga ekzekutivi në fazën e kontrollit të
emërtesave që shkojnë tek këto institucione”, shtoi Bylykbashi. Është ende
herët për të thënë që konsensusi do të rezistojë deri në fund, por ai u gjet dy
javë pasi opozita nuk dha votat për ligjin e Vetingut dhe ende nuk ka marrë një
vendim nëse do ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese.