Gazeta Telegraf/ Braktisin shkollat dhe shtëpitë, punësohen në fermat e hashashit

444
Sigal

 

Korrierët e trafikantëve
rekrutojnë barinj të hashashit

Maksim TUFA

 E ndërsa policia çdo ditë po
deklaron se “kemi nisur aksionet e asgjësimit të hashashit në shkallë vendi”,
duket se trafikantët dhe kultivuesit e drogës, nuk duan t’ia dinë. Ata po e
sfidojnë hapur policinë, madje në qindra raste po dalin ditën me diell, në
qendra qytetesh të mëdha dhe të vogla dhe po rekrutojnë me aferat e tyre
“barinjtë e hashashit”. Prej disa muajsh, korrierët e trafikantëve të hashashit
kanë zbritur në qytetet kryesore të vendit, dhe në ato periferike, nga ku po
kërkojnë, seleksionojnë dhe punësojnë dhjetëra e dhjetëra të rinj, të papunë
ose të punësuar edhe diku, si kamarierë apo shitës, duke u mbushur mendjen
atyre se “paga atje në plantacionet e hashashit do të jetë trefish më e lartë,
të ngrënë e të pirë falas”. Rekrutimin dhe punësimin, korrierët e trafikantëve
po e bëjnë pa dallime moshe dhe race, ata po punësojnë të rinj dhe mosha të
mesme, duke shfrytëzuar papunësinë, duke shfrytëzuar varfërinë dhe problemet e
tjera sociale që kanë sot qindra e mijëra familje në qytetet dhe fshatrat e
vendit. A.S. është një djalosh i ri nga Elbasani, dhe deri para pak muajsh ai
ka qenë kamarier në një lokal që kishte hapur një kushëriri i tij në periferi,
por prej afro 25 ditësh ai është larguar nga puna dhe familja e cila fillimisht
ishte nisur për të bërë denoncimin në polici, por pastaj u tërhoq. Djaloshi
A.S. nga Elbasani ka mbi 25 ditë që bashkë me djalin e xhaxhait të tij punon në
plantacionet e hashashit në një rreth të jugut, ku edhe sipas burimeve nga një
familjar i tij “ai paguhet me 17 mijë lekë të vjetra dita, si edhe merr edhe
ushqim falas nga ata që e rekrutuan”. Por familjarët e A.S. të gjendur në
mjerim të thellë, pasi babai dhe nëna, prej 11 vitesh janë të papunë, të
sëmurë, ndërkohë që djalin e tyre të madh, e kishin punësuar si kamarier për të
mbajtur frymën gjallë. Largimi i papritur i A.S. nga shtëpia me gjoja
pretendimin se “kam gjetur punë në Durrës si kamarier, dhe do të paguhem më
tepër atje”, duket sikur i ka ngrohur prindërit, por pas disa ditësh ata morën
lajmin e vërtetë nga një telefonatë dhe momentalisht janë të shqetësuar. Me
djalin e tyre prej afro një muaji ata nuk lidhen as me telefon, sepse gjithçka
është tepër konspirative, gjë e cila u ka futur frikën për jetën e dy të
rinjve. Mungesa e dëshirës për të denoncuar dhe shpresa se një ditë dy të
rinjtë do të kthehen, ndoshta po i mban gjallë prindërit e A.S. Por i njëjti
burim tha se “rekrutimin korrierët e trafikantëve të hashashit po e bëjnë
bazuar edhe në njohjet e vjetra dhe të reja që kanë në qytetet e vendit, duke
shfrytëzuar edhe lidhjet e tyre me elementë të cilët kanë patur dikur dhe kanë
precedentë penalë, apo kanë qenë të akuzuar për lidhje me trafikun e drogave.
Pothuajse në shumicën e qyteteve të vendit, korrierët e trafikantëve të
hashashit po lëvizin me makina të zakonshme, (jo me benza e fuoristrada) ku
shpesh edhe me taksi të pronotuara, për të mos ngjallur asnjë dyshim tek
uniformat e shtetit. Por tek-tuk ka ndodhur edhe diçka tjetër, kur postoblloqet
e policisë në hyrje-daljet e qyteteve i ndalin automjetet e tyre taksi, ata u
përmendin policëve emra “të njohurish” me pozitë dhe poste, dhe gjithçka shkon
“OK”. Një taksist nga Elbasani tha se “nja 5 rrugë drejt jugut i kam bërë unë
muajin e kaluar, dhe kam patur si pasagjerë të njëjtin person që vinte bosh,
dhe merrte me vete pastaj edhe 3-4 të tjerë, fillimisht u duket diçka normale,
pastaj i thirra mendjes dhe nuk pranova të lëvizja me ata persona, sikur të më
paguanin edhe 10-fishin e parave , sepse me këtë taksi mbaj familjen me bukë”.
Ky realitet që mësojmë nga personat që kanë qenë dhe janë protagonistët realë të
atyre që ndodhin me të rinjtë e pashpresë të këtij vendi, flet ndryshe nga ai
realitet që mundohet të përshfaqë pothuajse çdo ditë qeveria, dhe ndonjë media
vizive e dirigjuar nga ajo, sikur “policia po asgjëson mijëra rrënjë hashash në
veri dhe jug të vendi”, kur trafikantët realisht punojnë të qetë, me struktura
dhe njerëz të punësuar, duke blerë dinjitetin dhe jetën e fukarenjve.
Inefiçenca e punës së uniformave blu, po degradon çdo ditë shpresën e
qytetarëve, dhe inkurajon maksimalisht misionin vrastar të trafikantëve.
Drejtimi i të rinjve sot duhej të ishte shkolla, puna, integrimi në jetën
aktive për të prodhuar integritet dhe kontribute për veten, familjen dhe
shoqërinë. Por në fakt po ndodh e kundërta. Të rinjtë sot pasi bien në
dëshpërim, (ashtu sikurse shumica e shqiptarëve) bien më lehtë edhe në rrjetën
e trafikantëve, duke arritur deri atje sa të bëhen “barinj të hashashit”, ku
shpesh rrezikojnë edhe jetën e tyre. Ky fenomen duhet të jetë një sinjal alarmi
për strukturat e policisë në shkallë vendi, shërbimet sekrete dhe për çdo
strukturë tjetër, për të kontrolluar, parandaluar dhe arrestuar cilindo që
tenton të rekrutojë me fuqinë e parasë duke shfrytëzuar varfërinë, të rinjtë
duke u vrarë atyre jo vetëm shpresën, por gjithçka tjetër jetësore.