Gazeta daneze “Politiken”/ Turp “Diktaturë! Aksionet e natës me policë për ti liruar vendin arkitektit danez të aferave korruptive

360
Sigal

Ky shkrim i botuar në gazetën më të madhe daneze Politike, me autor Johann Thor Haar Hansen

“Turp, diktaturë”: Në orën katër të mëngjesit, një godinë e famshme u rrafshua, për t’i liruar vendin arkitektit “yll” danez

Një teatër historik i denjë për t’u ruajtur është shkatërruar. Protestat masive dhe dhuna policore vijuan. Një proces jotransparent vendimmarrjeje dhe akuza korrupsioni. Projekti i Bjarke Ingels për një teatër të ri kombëtar në Shqipëri, është kundërshtuar që kur doli nga tryeza e planifikimit, por arkitekti i famshëm danez dhe partnerët e tij kanë qenë – dhe mbeten – të heshtur mbi këtë çështje. Në zemrën e kryeqytetit Shqiptar, Tiranës, pranë sheshit Skënderbej, gjendet Teatri Kombëtar i vendit. Një teatër i stilit modernist “Art Deco”, i ndërtuar nga italianët në 1939, kur kryeqyteti ishte i pushtuar nga fashistët, dhe i konsideruar nga shumë shqiptarë dhe një sërë organizatash ruajtjeje, si një monument historiko-kulturor jo vetëm i Shqipërisë, por i Europës në tërësi. Apo më saktë, ishte.

Faktet

Në orën 4 të mëngjesit të 17 Majit, ndërsa Shqipëria ishte nën karantinë si pasojë e koronavirusit, punëtorë bashkie ndezën ekskavatorët dhe filluan prishjen e godinës historike, ndërsa policia largonte me dhunë protestuesit që kishin zënë teatrin në shenjë proteste. Ndërsa Teatri Kombëtar bashkë me kostumet, veprat e artit, dhe objektet brenda tij shndërroheshin në rrënoja, protestuesit bërtisnin “Turp” dhe “Diktaturë” ndaj punëtorëve. Pas shkatërrimit të kryer nga ekskavatorët, hapësira boshe u bë qendër përplasjesh të dhunshme mes policisë, protestuesve, dhe politikanëve të opozitës. Të paktën 37 persona u arrestuan, duke përfshirë dhe gruan e presidentit shqiptar Ilir Meta. Në mes të gjithë kësaj qëndron Danezi Bjarke Ingels dhe firma e tij arkitekturore “BIG. BIG”, ka projektuar teatrin e ri në formë fluture. Çmimi: 30 milionë euro. Disa kritikë besojnë se prishja e teatrit është pasojë e dëshirës së qeverisë për një ndërtim prestigjoz nga arkitekti i famshëm danez, dhe që edhe Bjarke Ingels mban përgjegjësi për të. Kjo nuk është hera e parë që Bjarke Ingels ka bashkëpunuar me krerë shteti që shihen si problematikë. Ai është pas masterplanit të një resorti në Arabinë Saudite. Gjithashtu, në Shkurt, Ingels tërhoqi kritika të shumta nga mediet ndërkombëtare pas takimit të tij me presidentin kontrovers Brazilian Jair Bolosonaro. Takimi ndodhi gjatë një udhëtimi kërkimor të Ingels në veriun e Brazilit, ku ai i prezantoi presidentit idetë e tij mbi turizmin e qëndrueshëm dhe u fotografua me të. Mijëra kundërshtarë të prishjes së teatrit kanë protestuar në Tiranë, ndaj asaj, që qeveria dhe Bashkia e qytetit quajnë “rilindje urbane,” por që për qytetarët mban erë korrupsion, hile, dhe përpjekje për të shkatërruar të kaluarën dhe trashëgiminë kulturore të vendit. “Kjo nuk ka të bëjë më me prishjen e teatrit, por me shkatërrimin e demokracisë dhe lirisë në Shqipëri. Ne po jetojmë në një diktaturë,” -tha një protestues anonim për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është gjithashtu në anën e protestuesve në këtë çështje. “Në errësirën e natës, mafia urdhëroi shkatërrimin e një prej monumenteve historike kulturore më të rrezikuara të Europës, por edhe edhe të çdo iluzioni për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, shkruajti Presidenti Ilir Meta të nesërmen në një video- postim në Facebook, duke treguar ekskavatorët, që shkatërrojnë fasadën e ndërtesës së vjetër. Një ditë pas prishjes, kryeministri Edi Rama, ndau imazhe nga teatri kombëtar i Bjarke Ingels dhe i quajti protestuesit “ngatërrestarë profesionistë”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lëvdoi teatrin e “BIG”-ut në vitin 2018 gjatë prezantimit të planeve të ndërtimit: “Teatri i ri i projektuar nga “BIG”-u do të kthehet në xhevahirin e këtyre transformimeve në zemër të kryeqytetit. “Flutura” do të bashkojë artistët, ëndërrimtarët, talentet.” Por, deri më tani, projekti i “BIG”-ut nuk i ka bashkuar shqiptarët. Përkundrazi, ai ka ngjallur përçarje të mëtejshme politike, dhe fillimin e një lëvizjeje aktiviste kundër korrupsionit, që pretendohet të ndodhë në mes të pushtetarëve shqiptarë. Bjarke Ingels dhe “BIG”-u nuk kanë dashur të intervistohen. Pas një numri pyetjesh të dërguara nga “Politiken” brenda një jave, menaxheri tregtar i kompanisë, Dan Bjerg Jensen, i dërgoi një koment me email në emër të “BIG”: “Gjithmonë ka ndjenja dhe qëndrime të forta që lidhen me një ndërtesë, por, si arkitektë, ne nuk ndërhyjmë në axhendat politike lokale, as nuk mund të komentojmë mbi procese për të cilat ne nuk jemi përgjegjës, ose kemi ndikuar”, -shkruan Dan Bjerg Jensen.

Një humbje e madhe e historisë kulturore

Planet për të zëvendësuar teatrin e vjetër kombëtar me të riun e Bjarke Ingels, kanë nxitur organizata ruajtje si “Europa Nostra” dhe “Docomomo” të ngrenë zërin. “Europa Nostra” e kategorizoi Teatrin si një nga shtatë ndërtesat historike më të rrezikuara në Europë dhe ofroi të ndihmojë në mbledhjen e fondeve, për të restauruar ndërtesën në vend të shembjes. “Europa Nostra” e përshkruan ndërtesën si një “shembull unik i arkitekturës moderne italiane”. “Tani jemi duke vlerësuar humbjen historike, arkitektonike dhe kulturore” – tha Ana Tostões, zëdhënëse e “Docomomo International”. Teatri i vjetër kombëtar ishte ndërtuar pjesërisht me materialin populit. Një përzierje unike e çimentos, fibrave të drurit dhe algave, me të cilën eksperimentuan italianët në vitet 1930. Gjatë okupimit, populiti mund të prodhohej si panele në Itali dhe të dërgohej në Tiranë, për të ulur çmimin dhe për të lehtësuar ndërtimin e shumë ndërtesave të italianëve në Tiranë. “Ishte me shumë trishtim që dëgjuam që teatri kombëtar në Tiranë ishte rrënuar. Aktualisht jemi duke vlerësuar humbjen historike, arkitektonike dhe kulturore”, shkruan “Dokomomo International”, -Ana Tostões në një email për “Politiken”. Shikuar përmes spektakleve historike dhe politike, teatri i vjetër kombëtar ka patur një rëndësi të veçantë edhe për shqiptarët. Kjo është ajo ku janë zhvilluar proceset gjyqësore të para në periudhën komuniste pas Luftës së Dytë Botërore, ku kundërshtarët politikë u dënuan me vdekje ose u dërguan në kampe pune. Në vitin 1990, hapësira përreth teatrit ishte gjithashtu një vend grumbullimi për revoltat studentore të Tiranës, të cilat ishin nga shkaqet fillestare të rënies së komunizmit në Shqipëri, një vit më pas. Dhe teatri ishte, deri në fund, një pikë tubimi për kundërshtarët e qeverisë dhe grupet aktiviste. “Europa Nostra” ka dënuar me forcë prishjen e ndërtesës, një vendim të cilin organizata akuzon bashkinë, se e ka bërë pas dyerve të mbyllura, pa dëgjuar popullin, dhe që qëllimisht u ekzekutua në mes të natës, në ditën e fundit të karantinës së koronavirusit në Shqipëri. “17 Maji shënoi një ditë të trishtueshme për trashëgiminë kulturore, demokracinë dhe respektin për të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Europë”,- shkruan “Europa Nostra” në faqen e saj online.

Procesi jotransparent

Populli i Shqipërisë nuk është i zemëruar vetëm për humbjen e një pjese të trashëgimisë kulturore. Shumë kritikojnë mungesën e transparencës së projektit, dhe veçanërisht gadishmërinë e qeverisë për t’i dorëzuar një pronë të madhe publike, një ndërtuesi të pasur. Gjithashtu, mbetet ende e paqartë, nëse projekti i Bjarke Ingels, ka kaluar një proces tenderi. Partia Demokratike (PD), partia më e madhe e opozitës në Shqipëri, akuzoi “BIG”-un për tre shkelje tetorin e kaluar. Korrupsion pasiv në sektorin privat, bashkëpunimi në ndërtime pa leje, dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm mbi zyrtarë shteti. “Qartazi, Bjarke Ingels ka qenë në dijeni se kjo ishte një ofertë e parregullt dhe ka pranuar me dashje ta zbatojë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi. Megjithatë, një muaj më vonë prokuroria shqiptare hodhi poshtë akuzat me arsyetimin, se nuk kishte prova të mjaftueshme për të ngritur një padi kundër Bjarke Ingels. Sipas raportit të fundit të organizatës “Transparency International”, mbi korrupsionin këtë vit, Shqipëria është vendi i tretë më i korruptuar në Europë. Sipas organizatës, shkalla e korrupsionit është rritur në pesë vitet e fundit. Një nga zërat më kritikë është Vincent van Gerven Oei, gazetar i medies së pavarur shqiptare në gjuhën angleze “Exit News”. Ai dhe pesë kolegët e tij kanë mbuluar për disa vite Teatrin Kombëtar. Vincent van Gerven Oei është përpjekur më kot të marrë “BIG”-un të flasë për procesin e vendimmarrjes që qëndron pas projektit. U komunikua nga “BIG”-u dhe nga qeveria që “BIG”-u kishte fituar një konkurs arkitektonik. Por ka qenë e pamundur që “Exit News” , ose medie të tjera shqiptare, të marrin informacion për konkursin, kush tjetër ishte pjesëmarrës dhe kush u ul në juri. Por në rastin e Teatrit Kombëtar, në Shqipëri “BIG”-u nuk ka shkuar asnjë fjalë, vetëm heshtje. Siç u përmend, për një javë, përfaqësues të politikës u përpoqën pa sukses për të marrë nga Bjarke Ingels dhe partnerët e përfshirë në projekt një deklaratë, dhe në vend të kësaj mori një koment me shkrim nga menaxheri tregtar i kompanisë, Dan Bjerg Jensen. Dan Bjerg Hansen thekson në një mesazh të dërguar me postë elektronike në gazetën “Politiken”, që “BIG”-u në asnjë rast nuk do të marrë pjesë në korrupsion, dhe se “BIG”-u vlerëson projektet individuale dhe situatën në secilin vend, dhe se kompania ka ende dëshirë të zbatojë projektin. Bjarke Ingels, nuk i ka kthyer përgjigje gazetës së arkitekturës “Dezeen”, e cila ka raportuar vazhdimisht projektet e “BIG”-ut, me drejtues autokrat, sikur ka bërë me “Exit News”. “Edi Rama po përpiqet të justifikojë para njerëzve se po u jep tokë publike oligarkëve, duke përfshirë arkitektë të njohur ndërkombëtarisht, si Bjarke Ingels. Ai është përpjekur të justifikojë faktin që po u shpërndan tokë falas investitorëve privatë afër tij, të cilët bëjnë një shumë para, prej të cilave ata mezi paguajnë taksat”,- thotë Vincent van Gerven Oei.

Në krye të të gjithë projektit është Kryeministri Edi Rama

Kompanisë “Fusha” shpk. i ishte ofruar trualli i Teatrit Kombëtar në qendër të Tiranës plotësisht falas. Për t’i dhënë “Fushës” tokën, në vitin 2018, shumica socialiste e Edi Ramës, e cila ka shumicën absolute në parlament, miratoi me urgjencë në parlament, një ligj special. Komisioni Europian paralajmëroi se ligji shkelte parimet e konkurrencës për rishitjen e tokës publike dhe ligjet e prokurimit publik. Prandaj, ai kërkoi një shpjegim nga qeveria shqiptare, se si mund të zbatohej ligji, pa shkelur ligjin shqiptar dhe europian. Shqipëria nuk është anëtare e BE-së, por në fillim të këtij viti u hapën negociatat paraprake për integrimin e ardhshëm të vendit në BE. Edi Rama u përpoq të justifikojë para njerëzve se po u jep tokë publike oligarkëve, duke përfshirë arkitektë të njohur ndërkombëtarisht, si Bjarke Ingels.

Perspektiva të paqarta

Në Tiranë, teatri është zhdukur. Dhe nuk ka më asnjë plan konkret se kush do të ndërtojë teatrin e Bjarke Ingels, apo kush do të paguajë për të. Një ditë pas shembjes, Këshilli Bashkiak i Tiranës në një deklaratë për shtyp, tha se marrëveshja me kompaninë “Fusha” shpk., nuk ekzistonte më. “Fusha” nuk do të jetë në gjendje që ta ndërtojë teatrin me buxhetin e kërkuar dhe në kohën e kërkuar, sipas të gjitha kërkesave teknike të përfaqësuesve të Teatrit Kombëtar. Prandaj, bashkëpunimi publik-privat tani ka rënë. Gjykata Speciale kundër Korrupsionit, aktualisht po heton Kryeministrin dhe Kryebashkiakun për korrupsion. Ndërsa kundërshtuesit po i kërkojnë vazhdimisht Bjarke Ingels, të tërhiqet nga projekti. Si Kryeministri Edi Rama, ashtu edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pohojnë në deklaratat e tyre publike, se teatri i Bjarke Ingels, do të bëhet realitet. Gazeta “Politike” nuk ka arritur dot të marrë një deklaratë, ose intervistë me përfaqësues të Këshillit Politik. “BIG”-u nuk pranon të komentojë të ardhmen e projektit me “Politiken”, por sugjeron që projekti ende qëndron.