Fullani paguhet sa: 2 presidentë + 2 kryeministra + 2 kryetarë Kuvendi + 4 deputetë, së bashku

762
Sigal

Superpaga e Guvernatorit  shqiptar Adrian Fullani, mbi 114.320 dollarë në vit

Guvernatorët e Bankave Qendrore, përgjithësisht janë të mirëpaguar në të gjithë botën. Por sërish diferencat mes pagës së guvernatorëve ndryshojnë fort nga njëri vend në tjetrin. Një grafik i bazuar në të dhënat zyrtare të bankave qendrore të vendeve përkatëse dhe të dhënat e Bankës Botërore, tregon se si paguhen guvernatorët në disa nga vendet më të zhvilluara të botës në raport me të ardhurat mesatare për frymë.

Ironikisht Ben Bernake, shefi i rezervës federale në Shtetet e Bashkuara, ekonomisë më të fuqishme të botës, rezulton ndër më të “keqpaguarët”.  Zoti Bernake ka një pagë vjetore 3.8 herë më të lartë se sa të ardhurat mesatare për frymë të Shteteve të Bashkuara. Në krye të listës, qëndron Mervin King, guvernatori i Bankës së Anglisë, i cili paguhet 12.4 herë më shumë se sa të ardhurat mesatare të një qytetari britanik. Në vend të dytë, është Ardian Fullani.  Guvernatori i Bankës së Shqipërisë  rezulton të jetë një nga më të mirëpaguarit. Të ardhurat që ai siguron nga paga e tij vjetore dhe honoraret në Këshillin Mbikëqyrës janë rreth 114.320 dollarë, ose 11.7 herë më të larta se sa të ardhurat mesatare të një shqiptari. Këtu nuk përfshihen edhe dhjetëra milionë lekë që harxhon Banka e Shqipërisë, ku pjesën më të madhe për guvernatorin e saj, Fullanin, për ushqime, me 5,5 milionë dollarë në vit, për transportin 6,7 milionë dollarë, për shpenzime udhëtimi 5,5 milionë dollarë, për honorarë për mbledhjet 2,5 milionë dollarë. Sipas publikimit në “Shqiptarja.com”, shpenzimet dhe të ardhurat e Guvernatorit të Bankës janë: Ardian Fullani rroga mbi 114.320 dollarë në vit. Ushqimi: 11.000.000  lekë. Sporti: 3.714.000 lekë. Qiratë: 86.801.000  lekë. Transporti: 67.120.000 lekë. Shpenzime udhëtimi: 55.000.000  lekë. Honorare për mbledhje: 25.402.000 lekë.

Me këtë pagë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, paguhet në terma relativë tre herë më shumë se guvernatori më i rëndësishëm i botës, amerikani Ben Bernake, përgjegjësitë e të cilit janë shumë herë më të mëdha, pasi përgjigjet veç stabilitetit të çmimeve edhe për punësimin dhe mbarëvajtjen e ekonomisë. Ky Guvernatori i Bankës së Shqipërisë,  sikurse e cilësoi deputeti Erjon Braçja, si ” ky guvernator  nuk ka moral”, i përfolur si një nga kandidatët e maxhorancës për President, i atribuon vetvetes këto miliona dollarë shpenzime, plus rrogën e vet më të lartën edhe se presidentët më të fuqishëm të botës, ndërkohë kur shteti i ndërpret dhe nuk u paguan  faturat të verbërve, para e tetraplegjikëve. Ky kontrast përbën edhe moralin e vetë shtetit tonë.

Përgjithësisht pjesa më e madhe e guvernatorëve paguhen nga 3.5 deri në 7 herë më shumë se sa të ardhurat mesatare për frymë të vendit të tyre. Këtu përfshihet, guvernatori i Francës, ai i Australisë, i Suedisë dhe madje edhe guvernatori i Irlandës. Ky i fundit gjatë këtyre dy viteve e ka ulur vullnetarisht disa herë pagën e tij, si shenjë solidariteti ndaj krizës dhe vështirësive të financave publike, një akt i huaj deri më tani për zyrtarët shqiptarë.

 ____________________________________________________________________

BANKA E SHQIPËRISË VETËVENDOS NIVELIN E PAGAVE

Përcaktimi i pagave në Bankën e Shqipërisë  funksionon si një qark i mbyllur, pasi është vetë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës ai që i vendos ato. Në Shqipëri madje, paga e guvernatorit nuk është e kufizuar as në hierarkinë kombëtare të pagave. Kjo bën që aktualisht guvernatori të paguhet disa herë më shumë, jo vetëm se presidenti shqiptar, por edhe se ai amerikan, Barack Obama, njeriut më të fuqishëm në botë.

Zoti Obama ka një pagë mesatare vjetore prej 300 mijë dollarësh, që në raport me të ardhurat mesatare për frymë është 6.3 herë më e lartë, nga 11.7 që është ajo e Fullanit.

Ndonëse nuk paguhen nga taksat e qytetarëve, pagat e bankierëve qendrore paguhen sërish me para publike, pasi e drejta e sinjorazhit, një nga instrumentet kryesore me të cilin banka krijon të ardhura, është e drejtë e patjetërsueshme e sovranit, pra qytetarëve. Pavarësia e Bankës Qendrore është e rëndësishme dhe nuk vihet në diskutim, por në këtë pikë pyetja që shtrohet është, sa larg duhet të shkojë pavarësia.