FRPD Vlorë i përgjigjet Ramës: Çdo burrë e ka një çmim, por jo çdo burrë shqiptar!

71
Sigal

Çajup Shehaj, Kryetar i FRPD VLORE

Nga peng i bandave, në peng të tradhëtarëve!

Dje, në shfaqjen e radhës të boshësisë politike dhe inferioritetit për të bërë garë të denjë dhe thelbësore, armiku i shqiptareve dhe miku i tradhtareve, postoi në rrjetet sociale një video ku pretendonte se disa të rinj, të cilët kanë kohë që nuk i kanë parë derën asnjë strukture të Partisë Demokratike në Vlorë, e që vërtiten në rrugët e Vlorës në kërkim të të ngjashmëve me ta, ishin anëtarë dhe pjesë e strukturave të FRPD Vlorë. Me paturpësinë, tipar identikiti i tij dhe atyre që e rrethonin, deklaronte “jam peng i tyre”, duke rrahur gjoksin se tashmë me të ishin edhe demokratët.

Nuk është e lehtë t’i mësosh forcën e qëndresës një shtetari që në 27 vite karrierë politike ka qëndruar pa karrige vetëm për dy vite. Nuk e di ai se ç‘është besimi në një ideal politik kundrejt një force që në këmbim jepte vetëm premtimin e vërtetësisë në betejën kundër plangprishësit rilindas. Edhe sikur t’ia mësonim dashnorit të pushtetit se shqiptarët nuk janë ata të kockave, nuk do ta besonte, se njeriu e sheh botën me sytë e vetes.

Nuk ishte i rrethuar z. Rama dje as me demokratë, as me trashëgimtarë të gjakut shqiptar. Demokratët, ata që për 12 viteve, përpos manovrave të tij prej frikacaku për t‘ua prerë krahët, i mbajti në këmbë fisnikëria, patriotizmi, besimi në liri. Këto tre virtyte njerëzore, nuk i gjen lehtë në pazarin e llumit të dashnorëve të pushtetit, ndaj me shfaqjen dje kryeministri deshi vetëm të legjitimonte shprehjen e analogut të tij në Italinë fqinje: “Çdo burrë e ka një çmim!” Unë do të shtoja: E vërtetë, por jo çdo burrë shqiptar!

Prandaj, në cilësinë e kryetarit legjitim të FRPD Vlorë prej dy muajsh, dal sot burrërisht t’i kthej përgjigje të paburrit të rrethuar nga të paburra, e që paraprakisht t’i them të rinjve vlonjatë e shqiptarë që dëshmuan shfaqjen e radhës të inferiorit politik rrethuar nga disa fatkeqë endacakë: Mos u çudisni, sa Hamza Kastriotë ka parë kjo tokë!

Ata që z. Rama me paturpësinë peng të inferioritetit patologjik më shumë sesa të guximit politik, i identifikon si të rinjtë e strukturave të FRPD Vlorë, janë në fakt të rinj të mbledhur lart e poshtë nëpër qoshet patronazhiste të Vlorës, e në mes tyre qëndrojnë tre apo katër ish-anëtarë të strukturave të Forumit, të cilët kundrejt një çmimi që vetëm ata e dinë, kanë zgjedhur të dezertojnë nga fushëbeteja.

Në fakt, tradhëtia është sentiment, dhe si e tillë nuk mund të zgjidhet: o e ke në gjak, o nuk e ke! Mesa duket, disa mes nesh e paskan patur dhe me siguri do ketë mjaftuar një shpërblim, i madh a i vogël qoftë, të zgjonte genin tradhëtor! Nuk i quaj tradhtarë se ndërruan ngjyrë, as nuk bie në patetizmat e të quajturit “dezertorë të partisë”. I quaj tradhtarë se pështynë mbi betejën që kanë bërë qoftë edhe modestisht si anëtarë të kësaj strukture. I quaj tradhtarë vetëm të vetes, punës dhe mundit që kanë dhënë si pjesë e kësaj strukture. Kam vetëm keqardhje që sot si drejtues i FRPD Vlorë, bashkë me çdo anëtar të saj, kur përbuz kryeministrin e mëkateve, në front përballë, përbuz edhe ata. “E vërteta dërrmon hekur” thoshte Ali Asllani, ndaj vetëm të vërtetës dua t‘i mbes besnik teksa u drejtohem ish-demokratëve bashkëmoshatarë të mitë: Nuk ka shpëtim kur tradhëton veten, sepse hakmarrja të vjen vetëm nga vetja!

Partia nuk është strofull e dlirësisë, e sigurisht ka dhe do ketë brenda saj qindra padrejtësi frut i egos njerëzore që vrasin shpesh edhe vrullin, edhe zjarrin, por kurrsesi idealin. Pjesë ose jo e strukturave, pjesë ose jo e posteve brenda partisë, demokratët e kanë detyrim ideologjik të mbesin të tillë, demokratë të lirë në shpirt.

Nuk bëj dot fajtorë fatkeqët e përhumbur, aq sa dua të merrem me kundërshtarin një dhe të vetëm, kryerilindasin. Zoti Kryeministër, ke dalë bllof! U bë kohë që bën kalkulime të gabuara, sidomos për Vlorën. Prej verës së vjetshme, kur deshe të garosh se kush e kishte më të thellë gropën në gjoks, ti apo vlonjatët, ti e di se nuk mirëpritesh fort me dëshirë. Prej aty a prej gjetkë, të shkau këmba e shfaqesh gjithmonë e më i përçartur me Vlorën. E fillove me numra, me kandidatët dhe me drejtuesin politik, ndaj s’mund të rri pa ju pyetur: Besoji Vlorës e na thuaj, çfarë halli ke?! Mirë që me peshën tënde nuk po shtyhesh dot më, po ç‘ke që merresh me të rinjtë? Ti e di, ne nuk të tregojmë këngë si ato që të këndon shefi i njërit prej atyre që mban rreth vetes ndërsa të afërmit i kandidojnë në koalicione oqeanike, ne jemi ndryshe: Ne ta këndojmë këngën!

Ti zgjodhe Vlorën për cirkun e djeshëm se e di që për besë vlonjatët shumë nuk flasin, nuk e bërtasin, por në fakt janë peng i saj, peng i besës. Ndërsa për fat të keq, në disa qytete bandat e pisllëkut tënd zgjedhor, i rrëzuan kalatë e qëndresës, demokratët e Vlorës mbetën të tillë edhe në ditët më të zeza. Ti kurrë nuk ndryshove dot numrat e demokratëve të Vlorës, kurrë nuk bleve dot një demokrat vlonjat. I rritur në këto anë, ti e di, vlonjatin e udhëheq nervi, jo përllogaritja. Ndaj zgjodhe ta japësh nga Vlora inskenimin e tradhtisë. Sërish lëvizje e gabuar. Demokratët e Vlorës nuk demoralizohen me kollaj se kanë për frymëzim njerëz që ti i ke lexuar nëpër libra ndërsa ne i kemi pasur mes nesh!

Forumi Rinor I Partisë Demokratike të Vlorës është i ringritur që prej disa muajsh, me struktura dhe kryetar, me të rinj dhe të reja që cdo ditë vendosin gurin e tyre në fitoren e madhe të 11 majit, prandaj cdo tentativë për të spekuluar mbi legjitimitetin e njerëzve që të rrethojnë aty është e dëshpëruar. Sot, forumi i Vlorës është I përfaqësuar në listat e Vlorës me një ish-kryetar si Atird Hoxha, i rritur në FRPD, ashtu sikurse me kandidatin e të rinjve, Mario Runën. Nga ana tjetër, shtuar halleve që i kanë rënë mbi kokë kryeministrit, dua të pyes socialistët e Vlorës: e njihni listën e Partisë Socialiste të Vlorës?! E shihni se ndërsa kujdeset të mbledhë petale të vyshkura që i kanë rënë rrugës kundërshtarëve, ka harruar idealet e socialistëve të ndershëm?! Shikoni njëri-tjetrin në sy dhe kuptoni se tradhtari i shtëpisë, s‘mund të jetë kurrë besnik i vendit. Ndaj sot, ndaj inskenimit të dezertorëve, kam vetëm një alternativë: Dera e FRPD Vlorë është e hapur jo për të bërë shfaqje perverse, por për të ftuar çdo të ri vlonjat, bir e bijë demokrati a socialisti të ndershëm, për të punuar bashkë krah PD në këtë betejë për Vlorën, jo për atë që Rama e shet si strofull të tradhtisë, por për Vlorën e qëndresës dhe patriotizmit, Vlorën e të rinjve me të ardhme, jo të të rinjve pa shtyllë, pa ideal, pa ëndrra.

Së fundi, mesazhi është i drejtpërdrejtë për kryeministrin dhe fatkeqët që dje dëshpërimisht i mbante me vete: një pasazh nga autori që z. Rama ka përzemër ndonëse i rri shumë larg intelektualisht, Fan Noli:
“0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!”