Frenimi i prokurimeve publike

544
Frenimi i prokurimet publike, pro & kundër vendimit të Ramës
Ekspertë të ekonomisë dhe financave komentojnë vendimin e qeverisë për të bllokuar shpenzimet kryesore të buxhetit. Flasin Arben Shkodra, Ornela Liperi e Dorian Koça
Vendimi i qeverisë për të bllokuar prokurimet publike ka shkaktuar reagime të ndryshme lidhur me efektet që do të ketë mbi ekonominë dhe financat. Ekspertë dhe njohës të ekonomisë vlerësojnë se vendimi mund të ketë efekte pozitive për të shmangur abuzime të ndryshme që ndryshme që vihen re gjatë fushatës elektorale apo në periudhat e ndërmjetme të ndërtimit të qeverisë. Gjithashtu, një pjesë e tyre e vlerëson si dorëzim të shtetit ndaj politikës dhe dëshmi të paaftësisë së administratës. Megjithatë, ata nënvizojnë edhe efektet negative që një masë e tillë mund të sjellë në rritjen ekonomike, nëse mbajmë parasysh rolin e shtetit dhe shpenzimeve të tij në stimulimin ekonomik. Në këtë forum kanë dhënë vlerësimet e tyre Arben Shkodra, zv/president i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Ornela Liperi, kryeredaktore e revistës “Monitor” dhe Dorian Koça, kryeredaktor i TV SCAN.

1 – Si e vlerësoni vendimin e qeverisë për të bllokuar prokurimet publike? Çfarë efekti mund të japë një masë e tillë në rritjen ekonomike?
Arben Shkodra, zv/president i Dhomës së Tregtisë e Industrisë:

“Për sa i përket bllokimit të prokurimeve publike, mendoj se duke marrë në konsideratë traditën negative të shpenzimeve pa kriter gjatë fushatës, por sidomos pas fushatës deri në dekretimin e qeverisë së re, është një masë e nevojshme, e cila bllokon mundësinë e abuzimit me fondet publike nga zyrtarë të papërgjegjshëm, por edhe të pandëshkuar historikisht. Natyrisht që kjo do të sjellë edhe pasojat e veta, pasi siç e dimë administrata shtetërore këtë vit ka qenë e limituar në shpenzime për të ruajtur pikërisht një profil jo abuzues gjatë fushatës, por nga ana tjetër jemi të ndërgjegjshëm që nevoja për punë – mallra dhe shërbime – është e lartë qysh prej muajit të parë të vitit. Pra një anë negative është shtyrja në kohë e furnizimit me mallra apo shërbime të planifikuara dhe rënie të mundësisë së sipërmarrjes për të qenë prezent në shpenzimet dhe investimet e qeverisë”. 

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë:
“Sistemi i prokurimit luan një rol shumë të rëndësishëm, përmes një efekti zinxhir të bizneseve të lidhura me ofertën e mallrave dhe shërbimeve, çka pritet ta frenojë më tej rritjen ekonomike për vitin 2017. Diku në mes të tetorit, apo fillim të nëntorit, do të vazhdojë procesi i prokurorimit, çka nuk mund të shoqërohet me inefiçensë të përdorimit, paracaktim të fituesve, me përdorim të mekanizmave sikurse janë llogaritë ekstra buxhetore për të bërë shpenzimin e parave pa menduar shumë për efektivitetin e tyre”.

Ornela Liperi, kryeredaktore e “Monitor”:
“Këtë vendim e shikoj si një dorëzim të shtetit ndaj politikës dhe dëshmi të paaftësisë për të krijuar ndër vite një administratë funksionale, të pavarur, eficiente dhe të pandikuar nga konjukurat politike. 2017-a ka qenë praktikisht një vit i humbur, pasi kriza politike, konfliktet mes palëve qeverisëse dhe së fundmi zgjedhjet, pothuajse kanë pezulluar aktivitetin qeverisës në vend. Nëse do të kishim një administratë eficiente nuk do të kishte asnjë arsye, që të pezulloheshin të gjitha tenderat. Shikoni shtetin fqinjë, Maqedoninë, që megjithëse ka pasur një krizë politike shumë më të thellë sesa ne, administrata ka vijuar të funksionojë normalisht dhe madje kemi pasur dhe vijim të projekteve të investimeve të huaja. Lidhur me ndikimin në ekonomi, ai do të jetë thjesht në vazhdën e “pezullimit” të muajve të fundit. Ndikimin më të lartë do ta kishin vendimet për investimet kapitale, por gjithsesi edhe pa këtë vendim, nuk pritej që qeveria të miratonte projekte madhore në infrastrukturë, të paktën deri në shtator, kur të zgjidhet edhe qeveria e re. Dy vitet e fundit, shpenzimet kapitale kanë qenë afër nivelit më të ulët të dekadës, duke mos dhënë ndikim të dukshëm në rritjen e parasë në qarkullim në ekonomi. Përkundrazi, në fund të muajit maj, paraja gjithsej sipas Bankës së Shqipërisë në muajin maj ra me 33 milionë euro në raport me vitin e mëparshëm”.

Dorian Koça, kryeredaktor i TV SCAN:
“Parë situatën politike në vend, kur një pjesë e qeverisë përbëhet nga ministra teknikë, apo nga LSI, tashmë në opozitë, dhe kohën relativisht të gjatë (fillimi i shtatorit) për formimin e kabinetit të ri qeverisës vetëm me ministra të Partisë Socialiste, mendoj se ky ishte një vendim i drejtë i kryeministrit. Më e rëndësishmja do të frenonte shpërdorimin e fondeve nëpërmjet prokurimeve publike nga ajo pjesë e qeverisë që nuk kontrollohet nga Rama. Dhe periudhat e tranzicionit (kujto vitin 2013 pas zgjedhjeve kur PD doli në opozitë dhe vijoji të qeveriste vendin) na tregojnë se abuzimi me fondet publike ndodh rëndom. Përsa i përket rritjes ekonomike, mendoj që do të ndikonte negativisht, por në përmasa të papërfillshme pasi bëhet fjalë për një periudhë rreth dy mujore. Nga ana tjetër, vendimi parashikon kryerjen e prokurimeve për raste të veçanta, siç ishte ai i dy ditëve më parë për blerje energjie”. 

Kledi Kodra, ekspert i ekonomisë:
“Është një vendim i panatyrshëm, që me siguri do të japë efekte ekonomike, duke rezultuar, në rastin më të mirë, në vonesë në zbatimin e planit të shpenzimeve për vitin 2017 dhe në rastin më të keq në shtyrje të këtyre shpenzimeve në vitin 2018, çka do të përkthehet në normë rritëse aktuale të GDP-së të ngadalësuar për këtë efekt. Një efekt i mundshëm i padëshirueshëm do të ishte grumbullimi i shpenzimeve rreth fundit të vitit dhe realizimi i tyre me fushata të gjera në fund të vitit, që do të bëheshin në kurriz të cilësisë së shërbimeve dhe mallrave publike. Aktualisht, një problematikë në zmadhim është forcimi i LEK-ut dhe këto fushata ngrirjeje shpenzimesh në Lekë vetëm se mund të ndikojnë në forcim të mëtejshëm të Lekut, ceteris paribus. Nëse, supozimi që shpenzimet publike do të përqendrohen rreth fundit të vitit qëndron, atëherë do të kishim një kurs këmbimi me oshilacione të një amplitude të panatyrshme gjatë vitit financiar. Gjëja pozitive, që vëmë re nga vendimi i qeverisë është se qeverisja vendore nuk preket, çka do të thotë më shumë njëtrajtshmëri të shpenzimeve në këtë nivel qeverisjeje, i cili në fakt çdo ditë e më shumë bëhet më i rëndësishëm”.

2 – Çfarë efekti mund të sjellë kjo masë në financat publike dhe në inflacion?
Arben Shkodra, zv/president i Dhomës së Tregtisë e Industrisë: 
“Vendimi do të ketë një efekt negativ në inflacion për shkak se gjatë këtyre dy muajve do të ketë më pak qarkullim tregtar, si efekt i kësaj rënie të pjesëmarrjes në tenderët publikë, ashtu edhe për shkak të periudhës së verës. Kjo masë sjellë një çrregullim të financave publike, pasi sposton me dy muaj shpenzimet publike, që do të thotë se edhe rritja ekonomike për këto dy muaj do të ketë një frenim të përkohshëm. Kujtojmë se aftësia e administratës për të procesuar prokurimet publike është mjaft e dobët dhe rreziku i ngecjes së procesit dhe mosrealizimi i prokurimeve në kohë është mjaft i lartë. Natyrisht që kjo shkon në dobi të deficitit fiskal/buxhetor, pasi do të kemi më shumë të ardhura kundrejt më pak shpenzimeve, por që do të përkthehet më pak rritje ekonomike”.

Ornela Liperi, kryeredaktore e “Monitor”:
“Vendimi parashikon që do të mos zhvillohen procedura të reja, të bllokohen ato që janë publikuar në sistemin e Prokurimit Elektronik, si dhe të bëhet bllokimi i atyre që janë në process vlerësimi, duke njoftuar ofertuesit pjesëmarrës. Sipas të dhënave nga buxheti i vitit 2017, për periudhën korrik-gusht (për aq kohë sa besoj do zgjasë bllokimi), shpenzimet operative të mirëmbajtjes, që do të preken më së shumti nga vendimi për pezullimin e tenderëve, ishin 7.7 miliardë lekë, apo rreth 56 milionë euro. Për të njëjtën periudhë, shpenzimet kapitale janë planifikuar 12.9 miliardë lekë, apo rreth 76 milionë euro. Në total, janë 150 milionë euro, që rrezikohen të preken, një shumë kjo që është e barabartë, me rreth 4% të totalit të shpenzimeve buxhetore të planifikuara për gjithë vitin, pra efekti nuk besoj se do të jetë i ndjeshëm. Pozitiv është fakti që këtë vit performanca buxhetore, duke pasur parasysh që ka qenë vit elektorral, ka qenë pozitive. Të ardhurat janë rritur me 7.6% për 5-mujorin, ndërkohë që buxheti ka rezultuar me një suficit prej 45 milionë eurosh. Lidhur me inflacionin, ai do të vijojë të jetë i ulët, si rrjedhojë e konsumit të dobët, që në tremujorin e parë u rrit me më pak se 2%, sipas INSTAT-it, por edhe si rrjedhojë e shpenzimeve të ulëta qeveritare, që do të reduktojnë sasinë e parasë në qarkullim”.

Dorian Koça, kryeredaktor i TV SCAN:
“Natyrisht, ndikimi negativ, siç e thashë pak më sipër, do të jetë i përkohshëm edhe në financat publike, apo inflacion pasi dihet që fondet e buxhetit zënë pjesën dërrmuese të investimeve. Gjithsesi, treguesit pozitivë të gjashtë muajve të parë të vitit mendoj se do të amortizojnë deri diku në agravimin e ndikimit negativ, si në financat publike, ashtu edhe në nivelin e inflacionit”.

Kledi Kodra, ekspert i ekonomisë:
“Efekti mbi inflacionin është i paqartë, megjithatë mund të themi lirisht që shpenzimet e munguara do të kenë një efekt zbutës në inflacion. Gjithësesi, një efekt i tillë është jo i mirëpritur, në kushtet kur Shqipëria sapo i është larguar minimalisht kufirit deflacionist. Nga ana tjetër, personalisht, pres që efekti i turizmit të shtuar në ritme shumë të larta këtë vit, ka shumë mundësi që të eliminojë efektin negativ të këtyre shpenzimeve të munguara. Më me shumë vëmendje do të kisha parë efektin e këtyre çrregullimeve në ecurinë e shpenzimeve të nivelit të qeverisjes vendore mbi kursin e këmbimit. Një kurs këmbimi i forcuar në anën e Lekut nuk është i mirëpritur për dy industritë kryesore në Shqipëri: turizmin dhe mallrat e fasonit e eksportet e lëndës së parë. Lajmi i mirë është që korriku dhe gushti në Shqipëri, në përgjithësi janë muaj me aktivitetet shumë të ulët ekonomik nga ana e qeverisjes qendrore”.

Përgatiti Elton Metaj
Sigal