Freedom House kryqëzon Shqipërinë

101
Sigal

Institucionet demokratike sfidohen nga politika klienteliste.Drejtësia në kolaps nga zvarritja e procesit të Vetingut dhe korrupsioni i shfrenuar, zgjedhjet lokale, shembull fatkeq. Nëse SPAK do hetonte djegësat, do të shkonte në majat e kupolës. PL: Të kapitullojë mafia shtetërore me Engjëll Agaçin, ministrat dhe zyrtarët

 

Institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të Vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar. Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim

Organizata e njohur amerikane ‘Freedom House’ publikoi raportin vjetor, ku ‘rrëzon’ përfundimisht reformën në drejtësi. Zëri i Amerikës publikoi pjesë nga raporti, që konfirmojnë se drejtësia është në kolaps, kurse korrupsioni në nivele alarmante. Pjesë nga raporti.

Nëse SPAK do hetonte djegësat, do të shkonte shumë lart

Kryeministri Rama bëri riorganizimin e kabinetit në korrik, duke zëvendësuar Arben Ahmetajn me Belinda Ballukun si zv.kryeministre. Shkarkimi i Ahmetajt ngjalli shqetësime në lidhje me procesin e qeverisë për dhënien e kontratave të prokurimit publik.

Duke folur për çështjen inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar. Në raport thuhet se gara që i parapriu zgjedhjes së Altin Dumanit si kryetar i ri i SPAK-ut, u karakterizua nga shqetësime për ndërhyrje të mundshme politike.“Në prag të votimit, ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Yuri Kim shprehu shqetësimin për presionin politik në zgjedhjen e kreut të SPAK, të cilin qeveria shqiptare e hodhi poshtë”,- thuhet në raport.“Inceneratorët e mbetjeve ishin tema kryesore e akuzave për korrupsion në Shqipëri gjatë vitit”, thuhet në raport ku përmendet se akuzat u ngritën fillimisht nga Endri Shabani, i Nismës #Thurje, dhe më pas nga deputetja Monika Kryemadhi, ish-kryetare e LSI-së, tani Partia e Lirisë, si edhe Partia Demokratike, e cila hapi edhe hetimin parlamentar në mars të kryesuar nga anëtarja e Kuvendit Jorida Tabaku. Hetimi shqyrtoi procesin ligjor me të cilin qeveria kishte dhënë kontrata për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve në bashkitë Elbasan (2014), Fier (2016) dhe Tiranë (2017) – me një vlerë totale prej 178 milionë euro.

“Gjatë seancës dëgjimore, një zëdhënës i qeverisë pranoi në mënyrë indirekte disa parregullsi në kriteret e dhënies së kontratave, ku kompanitë që morën kontratat ishin të vetmet që bënë oferta”, thuhet në raport.

“Duke qenë se kontratat e prokurimit publik shtrihen deri në 30 vjet, llogaritet se këto parregullsi u kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 50 milionë euro. Shuma e saktë e parave të keqpërdorura të taksapaguesve mund të mos dihet kurrë, duke e bërë këtë skandal prokurimi një nga çështjet më të diskutueshme politike në vend”,- thuhet në raportin e Freedom House.

Duke folur për çështjen e inceneratorëve, në raport thuhet se sipas vëzhguesve, nëse SPAK do të mund të provonte akuzat, ka të ngjarë të ekspozonte aktivitete korruptive të politikanëve të ndryshëm të lartë, përfshirë lidhjet me interesa të dyshimta dhe rrjete të krimit të organizuar.

‘Rrëzon’ reformën’: Drejtësia në kolaps, korrupsioni kap majat

“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”, thuhet në kapitullin për Shqipërisë të raportit “Vendet në Tranzicion 2023”, që e ka siguruar Zëri i Amerikës.

“Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Dhe është gjithashtu një mjedis, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, ku mediat e pavarura po tkurren, aktorët e shoqërisë civile janë në pozitë të vështirë, duke shtuar gjithnjë e më shumë pengesat dhe kërcënimet”, i thotë Zërit të Amerikës, Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit. Përsa i takon drejtësisë dhe gjyqësorit raporti përmend shqetësimet për zvarritjen e procesit të Vetingut, duke shtuar se nën presionin e BE-së dhe SHBA-së, Kuvendi ra dakord për të zgjatur procesin e verifikimit deri më 31 dhjetor 2024.“Presioni nga shoqëria civile dhe ai politik mbi procesin e Vetingut gjyqësor është rritur pasi vonesat në sistemin e drejtësisë kanë shkaktuar sfida ligjore, sociale, ekonomike dhe politike në Shqipëri. Qasja në drejtësi është përkeqësuar dhe sipas ekspertëve tani duhen më shumë se tre vjet e gjysmë për të filluar ose përfunduar procedurat për shkak të mungesës së gjyqtarëve”, thuhet në raport, i cili vazhdon se “që nga reforma e vitit 2017, sistemi gjyqësor nuk ka arritur të tërheqë rekrutë të rinj dhe është në prag të kolapsit”. Lidhur me hartën e re gjyqësore, Freedom House thotë se ndërsa aktorët ndërkombëtarë, që mbrojtën reformën gjyqësore në Shqipëri e vlerësuan hartën, ajo është kritikuar ashpër nga shoqata të shumta avokatësh dhe shoqëria civile, të cilat thonë se “ulja e numrit të gjykatave do të dëmtojë qasjen e qytetarëve në drejtësi dhe do të rrisë koston e procesit gjyqësor pasi disa qytetarëve do të duhet të udhëtojnë mbi 200 kilometra për të arritur në gjykatë”. Në shenjë proteste ndaj hartës së re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë Shqiptare udhëzoi anëtarët e saj të bojkotojnë të gjitha proceset gjyqësore në korrik 2022 dhe avokatët në të gjithë vendin kanë refuzuar të ofrojnë shërbime ligjore.“Përkundër pretendimeve të qeverisë për rritjen e efektivitetit gjyqësor, vëzhguesit e shtetit ligjor argumentojnë se reformat i japin përparësi prakticiteti ndaj efektivitetit gjyqësor”, thuhet në raport.Sipas Freedom House, të gjitha këto probleme “kanë krijuar mosbesim tek drejtësia”.

Gjendja e demokracisë në Shqipëri

Edhe në vitin 2022, Shqipëria ishte në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, falë një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit.“Vlerësimi për luftën kundër korrupsionit u rrit nga 2.75 në 3.00 pikë, falë një sërë aktakuzash dhe dënimesh të profilit të lartë të ish-zyrtarëve nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe rolit të saj proaktiv në nxitje e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,- thuhet në raport.Kjo bëri që vlerësimi i përgjithshëm të rritet nga 3.75 në 3.79, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti. Megjithatë treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të Vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar. Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim. “Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Dhe është gjithashtu një mjedis, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, ku mediat e pavarura po tkurren, aktorët e shoqërisë civile janë në pozitë të vështirë, duke shtuar gjithnjë e më shumë pengesat dhe kërcënimet”, i thotë Zërit të Amerikës, Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit.

Gjendja e Medias dhe Shoqërisë Civile

Raporti shpreh shqetësimin për gjendjen e medias, duke përmendur presionin nga interesat politike për të frenuar mbikqyrjen nga media dhe manipuluar narrativën mediatike për t’u shërbyer agjendave partiake. Freedom House përmend rënien me disa pozicione të Shqipërisë në Indeksin e Gazetarëve pa Kufij.“Shumica e mediave në Shqipëri zotërohen nga persona biznesi me lidhje të ngushta me politikanë dhe/ose rrjete të krimit të organizuar dhe shërbejnë si zëdhënëse për këto interesa”,-thotë raporti. Disa gazetarë u sulmuan verbalisht dhe/ose fizikisht për mbulimin e tyre. Sipas raportit, Drejtoria e Përgjithshme Shqiptare e Tatimeve vendosi gjoba të larta për rrjete dhe media të ndryshme televizive, si dhe kompanitë që i kanë ato në pronëseim për mbulim kritik ndaj qeverisë. Sipas raportit, një nga parakushtet kyçe të anëtarësimit në BE për Shqipërinë është që Organizatat Joqeveritare dhe ato të Shoqërisë Civile të përfshihen në konsultime kur të hartohen ligjet. Megjithatë, sipas raportit, shqetësimet e tyre për hartën e re gjyqësore edhe kur Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor më në fund i përfshiu pas neglizhimit fillestar, u hodhën poshtë. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka ekspozuar vazhdimisht se si Kuvendi dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor i sapo reformuar nuk kanë marrë parasysh propozimet e OJQ-ve dhe shoqërisë civile, apo shqetësimet e qytetarëve për qasje në drejtësi, përfshirë kostot e larta dhe sfidat logjistike që rezultojnë nga riorganizimet e gjykatave.Sipas vëzhguesve, këto dështime janë një temë e përsëritur në Shqipëri.