FRD: Institucionet, indiferente ndaj zjarreve

467
Sigal

Fryma e Re Demokratike shpreh shqetësimin e saj lidhur me situatën e zjarreve që po përpijnë çdo ditë sipërfaqe të tëra toke me florë dhe faunë shumë të pasur, gjë që përbën edhe një dëmtim të parikuperueshëm të pasurisë kombëtare. Të shqetëson indiferenca e të gjitha institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e situatës, heshtja e Presidentit të Republikës, paaftësia dhe pasiviteti e qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, mosangazhimi i strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Rendit me qëllim minimizimin e dëmeve. Aq më keq, kur kjo situatë përsëritet çdo vit dhe po çdo vit dëgjojmë vetëm justifikime dhe politizime të panevojshme, ndërkohë që aksioni për menaxhimin e situatës kërkon një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ku të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e qeverisjes lokale, me qëllim koordinimin dhe marrjen e masave efikase për shuarjen e zjarreve. Në të njëjtën kohë si vend anëtar i NATO-s duhet urgjentisht t’i kërkohet aleancës dhe vendeve mike anëtare që të na ndihmojnë me logjistikë (makineri dhe pajisje të përshtatshme) për shuarjen e zjarreve.