Frank Shkreli/ Punë ballkanasish, hesapi!

531
Është njoftuar se qeveria e Republikës së Shqipërisë do të takohet me qeverinë serbe në Nish. Është folur njëkohësisht edhe për pjesëmarrjen e mundshme të qeverisë së Republikës së Kosovës, por deri tani nuk është e qartë pjesëmarrja e qeverisë së Prishtinës, ose në çfarë niveli mund të përfaqësohet Kosova, në atë takim. Sidoqoftë, duket se ky takim është një nismë e Serbisë dhe Beogradi duket se po bën të gjitha përgatitjet dhe planifikimet, përfshirë edhe faktin se kush do të ftohet dhe kush jo. Ndonëse cilësohet si një takim, jo domosdoshmërisht midis qeverisë serbe dhe asaj shqiptare, por si një takim. Radio Europa e Lirë (REL), e cilëson atë si një “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon. Për këtë arsye, do të ftohen edhe përfaqësues politikë të shqiptarëve nga Kosova”, thotë REL. Dialog për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon, por pa përfaqësuesit legjitim të nivelit më të lartë të strukturave të qeverisë dhe shtetit të Republikës së Kosovës së pavarur, e njohur tanimë nga 111 shtete anë e mbanë botës?! Mbetet për t’u parë se në çfarë niveli do të përfaqësohet Kosova, por Kryeministri serb Vuçiq citohet të ketë thënë se, “Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, në takimin e ardhshëm shqiptaro-serb të Nishit.

 E ku do të ulen këta “përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës e Metohisë”, në tavolinën e përbashkët apo në karriget pas delegacionit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si “paper boys” dhe si do të identifikohen ata në takimin e Nishit, si përfaqësues shqiptarë të “Kosovo-Metohisë”? Si mund të ketë një takim për “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, pa përfaqësinë legjitime të niveleve më të larta politike të Republikës së Kosovës, në një takim ku merr pjesë Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Serbisë? A nuk janë shqiptarët e Kosovës, shqiptarë të rajonit? A mos vallë edhe ky takim është një vazhdim i përpjekjeve të vjetra nga ana e Beogradit për të përçarë shqiptarët në Ballkan, në ata që sllavo-serbët i kanë cilësuar historikisht si “albanci”, ose “dobri albanci” shqiptarët e mirë, pra shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë londineze dhe shqiptarët (e këqij) irridentista dhe problematikë nën ish-Jugosllavi, me epitetin ofendues “shiftari”, përfshirë shqiptarët e Kosovës? A do të jetë ky një takim midis serbëve dhe shqiptarëve, ku të gjithë pjesëmarrësit konsiderohen dhe trajtohen si të barabartë? Në sipërfaqe duket se ky takim nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një rast ku serbët, për interesa të veta, do të përpiqen t’i tregojnë botës, sidomos asaj perëndimore, se ata janë të gatshëm për dialog dhe bashkëjetesë me shqiptarët e rajonit. Sidomos kur të merret parasysh se kryeministri serb e njoftoi këtë takim gjatë vizitës së fundit të Zëvendës Presidentit amerikan, Joe Biden në Beograd. Serioziteti i këtij propozimi për takimin serbo-shqiptar dhe prapaskenat e përgatitjes së një takimi të tillë, duhet të shikohen nga këndvështrimi se kush janë përfaqësuesit serbë, me të cilët do të takohet në Nish, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me delegacionin e tij dhe me përfaqësuesit e tjerë të “shqiptarëve nga rajoni”. 

Në krye të delegacionit serb do të jenë trashëgimtarë dhe gjithnjë mbështetës të pandëshkuar të politikave kriminale të Sllobodan Millosheviçit, përfshirë kryeministrin e tanishëm Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i informacionit në administratën e Millosheviçit nga fundi i 1990-ve. Marr me mend se ndër të tjerë do të jenë, Ministri i Jashtëm serb dhe zëvendës kryeministër, Ivica Daçiq dhe Ministri i Punës Aleksandër Vulin, të cilët edhe pas kaq vitesh dhe provash, me këmbëngulje vazhdojnë të thonë se Millosheviqi nuk ishte fajtor për gjenocidin dhe për krimet kundër njerëzimit në ish-Jugosllavi. Përballë këtyre përfaqësueseve serbë, do të qëndrojë delegacioni i Shqipërisë dhe me këta do të bisedojë për “marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët” në rajon. Bazuar në të kaluarën, Serbia nuk e ka ndër mend të përballet dhe siç duket nuk ka të ngjarë se do të përballet me krimet e tmerrshme ndaj popujve të Ballkanit, si dhe me rolin e Milllosheviçit dhe ish-bashkëpunëtorëve të tij në ato luftëra, e të cilët sot janë në krye të shtetit serb. Ata sillen sikur nuk ka ndodhë gjë fare në territorin e ish-jugosllav. Ndërkombëtarët kanë insistuar se Serbia ka nevojë për zbatimin e një ligji të lustracionit, që do pastronte trashëgiminë e Millosheviqit dhe që do të largonte nga detyrat e larta të shtetit dhe qeverisë serbe mbështetësit e tij dhe njerëzit e inkriminuar në luftërat e ish-Jugosllavisë, përfshirë krimet kundër shqiptarëve të Kosovës. (Edhe Shqipëria ka nevojë për një ligj lustracioni, por për arsye të tjera që i përkasin një periudhe tjetër). Këta njerëz jo vetëm që nuk dënojnë krimet e së kaluarës, por për ta është i pranueshëm madje edhe rehabilitimi i ish-udhëheqësve kriminelë, ndërkohë që disa prej tyre kërkojnë shpalljen e tyre heronj. Kjo bëhet në përpjekje për të justifikuar duke rehabilituar jo vetëm politikat diktatoriale të së kaluarës, por si rrjedhim përpiqen të arsyetojnë dhe të justifikojnë edhe qëndrimin e tyre në pozita të larta udhëheqjeje në qeveri dhe në shtet. 

Udhëheqësit e Ballkanit të gjysmëshekullit të kaluar e deri më sot, përfshirë kasapin e Ballkanit, Millosheviçin dhe trashëgimtarët e tij, nuk janë heronj, përkundrazi janë mbetje e ish-regjimeve të diskredituara komuniste dhe si të tillë duhet të trajtohen. Për sa i përket takimit shqiptaro-serb në Nish, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi, të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë. A do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqe dhe stabilitet në rajon, a po do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk e ndihmon zhvillimin normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. E kaluara historike nuk mund të përgënjeshtrohet as nuk duhet të harrohet. Kriminelët dhe mbështetësit e tyre nuk mund dhe nuk duhet të rehabilitohen si heronj. Pa një angazhim serioz për pranimin e gjenocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit në territorin e ish-Jugosllavisë nga ana e Serbisë dhe pa një pajtim midis popujve, takimi në Nish ose kudo tjetër – midis serbëve dhe shqiptarëve – nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e kotë, sa për sy e faqe, me premtime alla ballkançe dhe pluhur sysh botës, se ja po zhvillojmë dialog. Prandaj, pa një zotim të tillë nga Beogradi – si hap i parë minimal takimi në Nish, sidomos në mungesë të përfaqësueseve më të lartë të shtetit dhe të qeverisë së Kosovës, pjesëmarrjen e vet në atë takim, delegacioni shqiptar, me në krye Kryeministrin Rama, duhet ta konsiderojë jo vetëm si dështim dhe përgënjeshtrim të historisë dhe të realitetit politik sot, por mbi të gjitha si një ofendim ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimit të Millosheviçit dhe bashkëpunëtorëve tij në territorin e Republikës së Kosovës. Pa një pranim të tillë ose pa një shprehje gatishmërie për një pohim të tillë nga ana e Beogradit – pa marrë parasysh se sa takime dhe ku mbahen – nuk do të ketë as paqe të mirëfilltë midis shqiptarëve dhe serbëve dhe si rrjedhim as stabilitet e siguri në Ballkan.
Sigal