Franca e Gjermania asistencë Byrosë së hetimit: Kujdes azilet!

510
Sigal

TIRANË–   Franca dhe Gjermania i mbyllin dyert azilkërkuesve shqiptarë. Nga Tirana, Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve dhe ai gjerman Thomas De Maziere, gjatë takimit me homologun e tyre shqiptar Saimir Tahiri, u bënë apel qytetarëve shqiptarë që të frenojnë lëvizjet e tyre ilegale drejt këtyre vendeve për të kërkuar azil pasi siç theksuan ata vetë, kjo gjë është praktikisht e pamundur.
Ministri i Brendshëm gjerman De Maziere tha se pavarësisht dyfishimit të numrit të azilkërkuesve në Gjermani gjatë këtij viti krahasuar me një vit më parë, sërish mundësia e pranimit të kërkesave të tyre është praktikisht e pamundur. Ai nënvizoi se kjo nuk është shkelje e të drejtave të njeriut por një lëvizje ilegale.
“Dua të them dy fjalë për emigrimin e paligjshëm dhe të azilkërkuesve në Gjermani. Në këto muajt të parë të vitit numri i azilkërkuesve ka qenë dyfish me i lartë se një vit më parë. Nuk ka arsye për të kërkuar këtë kur numri i atyre që mund të pranohen nuk është më i lartë se 2 %. Sigurisht dua t’ju bëj apel qytetarëve shqiptarë të mos e ndjekin këtë rrugë pasi është ilegale dhe nuk ka asnjë mundësi që ata të fitojnë qëndrimin në Gjermani. Mund të ketë edhe akuza për shkelje të drejtave të njeriut por ky nuk është një rast i tillë. Edhe në këtë fushë ne do të shkëmbejmë informacione ku bashkë me ekspertët tanë do të analizojmë rastet një e nga një. Prandaj unë shpresoj dhe dua të shtoj se vizita ime me kolegun frances është një fillim i ri e i mbarë për ta çuar Shqipërinë në BE.” theksoi De Maziere.
I të njëjtit mendim ishte edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili shtoi se niveli ekonomik dhe i demokracisë në vendin tonë nuk e mundëson legjitimitetin e kësaj lëvizje.
“Shqipëria nuk ofron asnjë kusht për të legjitimuar emigrimin e paligjshëm apo azilkërkuesve, qoftë nivelit të demokracisë apo ekonomisë. Prandaj bëj thirrje qytetarëve që të mos kërkojnë të shohin të ardhmen e tyre përmes lëvizjeve ilegale pasi kjo është praktikisht e pamundur.” shtoi Tahiri
Të pyetur nëse ky numër i lartë i azilkërkuesve shqiptarë do të ndikojë në heqjen e liberalizimit të vizave, De Maziere tha se nuk ekziston një rrezik i tillë por se do të merren masat e nevojshme nga autoritetet për të penguar këtë lëvizje të paligjshme.
“Nisur nga statistikat aktuale ne mendojmë se ky rrezik nuk ekziston por ne do të bëjmë çështë e mundur për të penguar këtë lëvizje të paligjshme.” tha Ministri i Brendshëm gjerman
Takimi mes ministrave të brendshëm ka zgjatur mbi trefishin e kohës së parashikuar në axhendë. Në të ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
Cazeneuve: Bashkëpunim me ekspertiza reciproke ndaj krimit të organizuar
Ndër të tjera Ministri i Brendshëm francez Cazeneuve tha se vendi i tij mbështet Shqipërinë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe korrupsionit, në kuadër edhe të perspektivës euro-integruese të vendit tonë. Cazeneuve shtoi se është rënë dakord me qeverinë shqiptare për të bashkëpunuar me ekspertiza reciproke ndaj çështjeve të kriminalitetit.
Në këtë kuadër ministri francez vlerësoi edhe masat e marra nga qeveria shqiptare gjatë këtyre muajve, duke veçuar aksionin në Lazarat.
“Ne iu përgjigjëm pozitivisht ftestës së ministrit për të rritur bashkëpunimin mes vendeve. Kjo vizitë zhvillohet në një moment kur Shqipëria mori statusin e kandidatit.  Ne kemi folur për çështjet që kanë të bëjnë me kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me kimin, luftën ndaj korrupsionit. Krimi është një dukuri që përhapet edhe jashtë kufijve ndaj është e nevojshme një bashkëpunim edhe mes vendeve. Ne  kemi vendosur të bashkëpunojmë kundër trafikut të drogës i cili po bëhet shqetësues, dhe po përhapet në BE. I dimë përpjekejt e Shqipërisë në luftën e drogës, i përgëzojmë për aksionin në Lazarat. Ne kemi rënë dakord të bashkëpunojmë me ekspertizat tona reciproke. Fenomeni i trafikimt të qenieve njerëzore është shumë shqetësues. Ne jemi të vendosur të luftojmë kundër këtij fenomeni, prandaj dhe shqiptarët duhet ta dinë se nuk mund të emigrojnë në Francë. Jemi afër qeverisë shqiptare për t’i dhënë ndihmën tonë të vazhdojnë procesin e integrimit europian. “ tha Cazeneuve
De Maziere: Gati grupet e përbashkëta të punës ndaj korrupsionit dhe trafikut të qenieve njerëzore
Nga ana e tij Ministri i Brendshëm gjerman De Maziere tha se mbështetja e Gjermanisë do të vijojë edhe pas marrjes së statusit kandidat sa i përket luftës ndaj korrupsionit dhe trafikut të qenieve njerëzore. Ai theksoi se në ditët në vazhdim do të ngrihen grupet e përbashkëta të punës për të luftuar kriminalitetin.
“Ne erdhëm me gëzim në Shqipëri për të përcjellë gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë pas statusit. Është rrugë e vështirë por ja vlen. Padyshim në këtë rrugë bëjnë pjesë edhe objektivat tona, lufta ndaj korrupsionit dhe trafikut të qenieve njerëzore. Sigurisht që për një qeveri nuk është e këndshme që në vend të vet ka korrupsion dhe që krimi i organizuar ekziston dhe përcjellin njerëz përmes trafikut të qenieve njerëzore. Sigurisht që qeveria e njeh këtë dhe bën përpjekje dhe rezultatet janë të dukshme dhe unë shpreh mbështetjen tonë për vendin tuaj. Sigurisht që në objektivat tjera që i kemi caktuar vetes do të punojmë për t’i përmbushur. Në ditët në vazhdim do të krijojmë edhe grupet e përbashkëta të punës.” tha De Maziere
Tahiri pret ministrat e Brendshëm të Francës dhe Gjermanisë
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka pritur homologët e tij gjerman e francez. Pas takimit mes ministrit Tahiri, ministrit të Brendshëm të Francës, Bernard Cazeneuve dhe ministrit të Brendshëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Mazière do të ketë një konferencë për media.
Programi i vizitës së dy ministrave të Brendshëm të Francës dhe Gjermanisë parashikon takime dhe me Kryeministrin Edi Rama.
Në fund të vizitës së tyre në Shqipëri, dy ministrat e Brendshëm do të zhvillojnë një vizitë në Komisariatin e Policisë së Rinasit, të shoqëruar nga zv/Ministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea.