FOTO/ Vizita në Kosovë, Presidenti Nishani nderon kujtimin e luftëtarëve

656
Presidenti Bujar Nishani dhe delegacioni që e shoqëron gjatë vizitës vizitës zyrtare në Kosovë zhvilloi homazhe dhe vendosi një kurorë me lule te varri i Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

Gjithashtu Presidenti Nishani, u përul me respekt dhe përkujtoi veprën dhe sakrificën sublime duke u ndalur te shtatorja e Komandantit Zahir Pajaziti si dhe në Monumentin e Lirisë në Raçak.

Të pranishmëve të shumtë që kishin dalë për ta mikpritur Kreun e Shtetit shqiptar, mes të cilëve edhe Kryetari i Komunës se Shtimes, Naim Ismajli me bashkëpunëtorët e tij, Presidenti iu drejtua me fjalët: “Masakara e Raçakut i tregoi botës dhe e sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet që po kryente Serbia mbi popullsinë dhe qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Raçaku duhet të jetë një vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët kudo që janë, për të mos harruar asnjëherë të shkuarën tonë të dhimbshme dhe për të ndërtuar një të ardhme sa më të mirë”.

Më pas Presidenti Nishani vizitoi dhe vendosi një kurorë me lule në shenjë nderimi dhe respekti Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz si dhe kullën legjendare të familjes Jashari.

Më tej Presidenti i Republikës së Shqipërisë u ndal në familjen Haradinaj, ku pasi bëri homazhe dhe nderoi kujtimin e sakrificat sublime të bijve dhe burrave të kësaj dere liridashëse dhe atdhetare, vlerësoi me Dekoratën “Nder i Kombit” heronjtë e lavdishëm të luftës çlirimtare: luftëtarët e orëve të para për lirinë e Kosovës, organizatorët, prijësit dhe frymëzuesit në rrugën e lirisë së Kosovës, Luan dhe Shkëlzen Haradinaj.
Sigal