FOTO/ Braktisin PS-në, Basha pret në zyrën e tij dy funksionarë të majtë që kaluan në PD

248
Sigal

Kryedemokrati Basha ka pritur ditën e sotme dy anëtarë të Partisë Socialistë, të cilët kanë shpallur publikisht votën e tyre për Partinë Demokratike. Serian Mazreku dhe Ardit Kërtusha, dy aktivistë dhe figura të rëndësishme të socialistëve në qytetin bregdetar janë shprehur të trishtuar për kapjen e qytetit nga ato që ata i quajnë interesat e ngushta të ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

Mazreku, administrator i njësisë administrative Kënetë, u ka bërë thirrje të gjithë të afërmve të tij të mbështesin PD-në dhe të mos pranojnë lëmosha, duke nënkuptuar shitjen e votës.

Nga ana e tij, ish-kryetari i FRESSH për qytetin e Durrësit, Ardit Kërtusha është shprehur se qyteti ka mbetur peng i interesave të Dakos. Kërtusha përmendi arrogancën e Bashkisë Durrës, mungesën e shërbimeve për qytetarët dhe mbetjen e saj pa drejtues real. Dy socialistët u dukën shumë të revoltuar edhe me klimën brenda partisë në pushtet. Zyrat e PS-së Durrës sipas tyre janë uzurpuar nga të fortë dhe figura të botës së krimit. Alternativa që ofron PS, shprehen ata, është heshtja dhe largimi i të rinjve nga vendi.

Lideri i opozitës, z. Basha, u shpreh se ai dëshironte të shihte një garë idesh dhe programesh ndërmjet partive, gjë që nuk po ndodh sepse pushteti nuk ka paraqitur alternativë. Basha u tregua entuziast për faktin që ka socialistë që duan ndryshim dhe e gjejnë ndryshimin tek Partia Demokratike. Basha mirëpriti kontributin e socialistëve durrsakë dhe u bëri ftesë të gjithë socialistëve që e duan vendin dhe duan të bëjnë ndryshim për hir të të ardhmes së fëmijëve të tyre.

Image

Të rinjtë socialistë u shprehën të revoltuar me klimën politike brenda partisë së tyre, me cinizmin dhe notat groteske që mbizotërojnë në gjuhën politike të drejtuesve të saj. Kërtusha vuri në pah dallimin që ai shihte ndërmjet Bashës dhe Ramës kur theksoi se ‘këtu gjej një lider larg ironisë, notave groteske dhe shpërfilljes’. Ai dënoi gjuhën e urrejtjes dhe bëri thirrje që ‘të heqim një drejtues i cili nuk mund të drejtojë më as shtëpinë e tij, Partinë Socialiste, jo më vendin, Shqipërinë’.

Ndërsa lideri i opozitës Basha tha se më 25 prill nuk çlirohet vetëm Shqipëria, por edhe Partia Socialiste. Sipas tij, me ndryshimin e pritur të 25 prillit, fiton Shqipëria, fitojnë edhe socialistët e zakonshëm. ‘Do ta ndërtojmë këtë vend që është i bekuar nga Zoti me burime njerëzore dhe natyrore’ tha Basha ndërsa theksoi se filozofia e tij politike nuk është përçarja, por bashkimi në të mirë të vendit. Kalimin e tyre nga PS tek PD, kryedemokrati e quajti kalim nga projekti i dëshpërimit në projektin e shpresës dhe shfaqje e besnikërisë së tyre ndaj Shqipërisë.

Në fund, Basha u ka uruar mirëseardhjen dy funksionarëve socialistë në atë që e ka quajtur ‘bashkimi më i madh i shqiptarëve në 30 vitet e fundit dhe fundi i tranzicionit’.