FORUM/ Kryeministri ynë i ka dhënë Greqisë detin, na shet dhe patriotizëm

568
Sigal

Petraq BARJAMI

Forumi në “Telegraf”: Mendoni se kryeministri reagoi drejt në lidhje me ngjarjet në Bularat?

Gazeta “Telegraf” në forumin me temë: “A veproi drejt kryeministri Rama me ngjarjen në Bularat, duke shkruar në rrjete sociale, pa marrë mundimin e as të presë të zbardhet çështja, që të kishte transparencë, meqë kishte interes edhe ndërkombëtar e as nuk bashkëpunoi në sferën diplomatike me qeverinë greke?”, mori mendimin e avokatëve Kujtim Cakrani dhe Zaçe Islami. Avokat Cakrani që shprehin mendimin se kryeministri Rama u mundua që “Bularatin” ta shfrytëzojë për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e qeverisë, sikurse janë; korrupsioni dhe krimi, ndërsa avokat Islami shpreh mendimin se kryeministri Rama u ka shitur detin Greqisë, sikurse e pohoi publikisht edhe ish-ministri i Jashtëm Greqisë Kotcias.

Av. Kujtim Cakrani: Kryeministri Rama ngjarjen e Bularatit kërkoi ta shfrytëzojë për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga skandalet e tij qeverisëse

Ajo që ndodhi në fshatin Bularat, ishte një ngjarje shumë e rëndë, si nga pikëpamja njerëzore, humane, ashtu edhe nga pikëpamja politike! Nga pikëpamja njerëzore, pasi humbi jetën njeri, djalë i ri dhe ajo që ndodhi, me pak durim dhe zgjuarsi mund të ishte shmangur. Por ndërhyrja e kryeministrit të Shqipërisë menjëherë pas ngjarje në rrjetet sociale ishte e pavend! Kryeministri nuk kishte pse të ndërhynte pa u sqaruar, apo u zbardhur mirë gjithë rrethanat e ngjarjes. Nuk më duket se, veprimi i Kryeministrit kishte vend në atë moment por, kjo ndërhyrje e tij vetëm sa ndezi më tej situatën, ku qarqet ekstremiste greke e shfrytëzuan për interesat e tyre….. Eksperiencat e politikës dhe politikanëve kanë treguar në të shkuarën se, në momente të caktuara, kur ata janë në vështirësi qeverisëse, skandalet e ndryshme kanë qenë ato që kanë zhvendosur vëmendjen e qytetarëve. Edhe Kryeministri Edi Rama ngjarjen e Bularatit kërkoi ta shfrytëzojë për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga skandalet e tij qeverisëse, duke filluar me korrupsionin qeveritare, krimin, që ka marrë përmasa të frikshme në vend, madje edhe i lidhur ngushtë me politikën, gjendja ekonomike, emigracioni në rritje i qytetarëve, ku nga sondazhet e fundit Shqipëria doli e para me 79 % të të rinjve që duan të largohen nga vendi… Kryeministri me ngjarjen e Bularatit kërkoi të zhvendos, apo shpërqendrojë vëmendjen e opinionit edhe për një çështje tjetër, që është shumë e rëndësishme. Dhurimin e 12 miljeve det Greqisë, duhet të jepte dorëheqjen Ministri Jashtëm grek Kotcias, që opinioni publik të mësonte të vërtetën e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë! Sjellja e qeverisë shqiptare me publikun lidhur me këto bisedime ka qenë injoruese për faktin se: Grupi negociator dhe qeveria shqiptare deri në momentin që çështja u bë publike nga nga pala greke, kanë qenë në një errësirë të plotë informimi. Në momentin që marrëveshja u bë publike dhe Shqipëria do t’i lëshonte Greqisë 12 milje det dhe Kryeministri nuk kishte një sqarim për opinionin publik, ngjarja e Bularatit i duhej atij për të tërhequr vëmendjen, duke u bërë vetë protagonist i pari menjëherë pas ngjarjes. Kryeministri harron se tradhtia duke u dhuruar fqinjëve det dhe tokë është më e rëndë se vrasja e një qytetari, qoftë ai edhe minoritarë… Ndoshta opinioni publik tani është papërgatitur për ta ndëshkuar kryeministrin, por të gjithë jemi dëshmitarë se, për kufijtë e Shqipërisë kanë dhënë jetën, duke luftuar, si me armë dhe me penë patriotët më të kulluar të këtij vendi, madje për këta kufij kanë dhënë jetën edhe të huaj… që partia e kryeministrit nuk i ka përmendur asnjëherë, si gjenerali Enriko Tellini… Prandaj, nuk mund të përdoret ngjarja e Bularatit për të mbuluar tradhtinë.

 

Av Zaçe Islami: Servilizmi i kryeministrit tonë para qeverisë greke

Për mendimin tim ngjarja e Bularatit është trajtuar me një servilizëm të dukshëm të qeverisë tonë ndaj shtetit grek. Për këtë ka disa tregues fare të qartë. Së pari: Qëllimisht terrorizmi u pagëzua ekstremizëm dhe terroristi u quajt ekstremist. Nuk mund të quhet ekstremist një njeri i armatosur me një armë të shkatërrimit në masë siç është AK 46 i cili qëllon mbi policinë e shtetit në mes të qendrës së fshatit. Që këtu fillon poshtërimi që na bëri kryeministri ynë para Greqisë. Midis këtyre dy nocioneve ka një dallim substancial politiko-ushtarak pasi terrorizmi vret në masë ndërsa ekstremizmi qëndron në kuadrin e propagandës. Në këtë kuadër servilizmi i kryeministrit para qeverisë greke e shmangu këtë të fundit nga një përgjegjësi e rëndë përpara Bashkimit Evropian dhe Amerikës, duke na kthyer nga të sulmuar në agresorë. Nëse terroristi Kacifas do ishte cilësuar ashtu sikundër qe TERRORIST, jo vetëm që qeverisë greke do t’i qe mbyllur goja, por asnjë grek nuk do guxonte të hynte në Bularat e jo më të na fyenin e turpëronin para botës. Pra ishte qeveria shqiptare që ju nënshtrua plotësisht terroristit dhe terrorizmit grek. Që terroristi Kacifas kishte mbështetjen absolute të strukturave të specializuara të shtetit grek u vërtetua katërçipërisht nga deklarata e zv ministres Papakosta, e cila as më shumë e as më pak kërkoi AUTONOMINË E VORIOEPIRIT bazuar në Protokollin e Korfuzit të vitit 1914. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar e kanë përfunduar atë marrëveshje, e cila në thelb është më agresive në dëm të interesave të Shqipërisë se sa ajo e vitit 2009. Praktikisht këtu nuk qeveris kryeministër shqiptar, por një GUVERNATOR apo një mëkëmbës i Kryeministrit Grek për pasojë edhe detin ua ka dhënë me të dy duart.