Forum/ Flasin të rinjtë e partive politike; Belind Këlliçi, Klevi Pojana, Hergi Tabaku dhe Ennio Shkodra, Protestat do vazhdojnë

1168
Klaudia Malaj

Protestat do vazhdojnë deri në rrëzimin e qeverisë
Pas protestës së 27 janarit e cila bëri bashkë të gjithë shqiptarët nën flamurin kuq e zi, pa dallime politike por vetëm me synimin e një jetese më të mirë. Kundra qeverisë së krimit, kundra shëndetësisë që është shumë larg niveleve të dëshiruara, kundra qeverisë që nuk punëson të rinjtë dhe i largon nga vendi për t’i degdisur në rrugët e Evropës për një lëmoshë më shumë. Protesta e 27 janarit ishte një protestë për të rrëzuar qeverinë Rama, të tjera protesta do të vijojnë. 
1. A mendoni se e realizoi qëllimin protesta e 27 janarit dhe a do të ndiqet nga protesta të tjera?
Belind Këlliçi kryetar i FRPD: Nëse nuk reagojmë Shqipëria zhytet në mjerim
Protesta ishte një mesazh për Edi Ramën dhe qeverinë e tij se populli është ne këmbë, se ka humbur çdo legjitimitet, se qytetarët nuk e durojnë me qeverisjen e tij me krimin dhe për krimin. Nëse ne nuk reagojmë sot, çdo qytetar i këtij vendi, pavarësisht bindjeve politike, përkatësisë etnike e fetare, Shqipëria do të zhytet në mjerim e krim dhe do shkojë drejt luftës për mbijetesë. Dua të sjell vargjet e At Gjergj Fishtës “Vërtetë ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi bashkë! Dhe mesazhi qe përcolli protesta e 27 Janarit ishte pikërisht kjo: “vërtet kemi përkatësi të ndryshme partiake, apo të paparti por njësoj vuajmë keqqeverisjen e Edi Ramës”. Kjo nuk është betejë e një partie, por është betejë e qytetarëve të cilëve Edi Rama u mori votën me presion e para dhe sot u jep rritje taksash, varfërie, papunësie, krim drogë dhe korrupsion. Ne jemi duke hartuar një plan të detajuar me drejtues të FRPD, forumeve rinore aleate, me organizata studentore dhe rinore të pavarura. Ky plan do të shpaloset hap pas hapi, por sot mund t’ju them që vala e protestave qe ka nisur nuk do të ndalet. 
Klevi Pojana, Anëtar i kryesisë së LSI: Rama bëri fushatë që t’i largonte gjimnazistët nga protesta

1. Ishte një protestë e cila në radhë të parë vrau frikën dhe i tregoi kësaj qeverie që qytetarët shqiptarë nuk kanë më frikë dhe nuk do të stepen nga presioni e nga mekanizmat që përdor qeveria, kryeministri Rama për të shtypur ndërgjegjësimin qytetar që kanë shqiptarët. Vetëm një lule simbolike u dëmtua, lulja e hashashit. Lulja që simbolizon këtë qeveri edhe këtë kryeministër. Atë lule e shkuli forca, vendosmëria dhe patosi i qytetarit shqiptar që doli. Tani na mbetet ta shkulim bashkë me rrënjë. Unë jam i bindur që çdo lloj forme e reagimit qytetar, paqësor demokratik do t’i shërbente shqiptarëve për të arritur atë qëllim që ata kanë. Për të pasur qeverisjen që përfaqëson ata, që punon për ta, që i ofron më shumë mundësi punësimi. Që u ofron atyre një ekonomi më të mirë. që u ofron shëndetësi më efektive. Që u ofron më shumë siguri, që u ofron më shumë mbrojtje, për një qeveri e cila nuk e dëmton biznesin por e ndihmon. Për një qeveri që i shërben çdo qytetari në mënyrë të barabartë, dhe jo për një qeveri e cila përdor dy standarde. Jam i bindur se protesta të tjera dhe forma të tjera të reagimit qytetar do të ketë deri në çastin kur kjo qeveri dhe kryeministri Rama do të largohet. Duhet të largohet një orë e më parë për t’i hapur rrugën qytetarëve shqiptarë që të ndërtojnë këtu jetën e tyre. 
Hergi Tabaku PAA: Studentët do të ngrihen në të gjithë vendin
Protesta e 27 Janarit bashkoi qytetaret, pa dallim moshe e bindjeje politike për t’u ngritur kundrejt pakënaqësive që kishin. Kjo protestë na tregoi dhe njëherë nevojën imediate për të ndryshuar thelbësisht, për të pasur si prioritare problemet e të drejtat e qytetareve dhe jo pushtetin. Por kjo protestë ishte e para ndër shumë të tjera. Do ketë vazhdimësi, derisa fjala e mijëra shqiptareve të dëgjohet, derisa të rikthehen ato të drejta të marra nga qeveria e tanishme. 
Ennio Shkodra, kryetar i forumit të Tiranës PR: Detyra jonë si opozite të kanalizojmë këtë revoltë
Për sa i përket pjesëmarrjes, protesta e 27 janarit ishte më e suksesshmja që është zhvilluar ndonjëherë në bulevard, por pjesëmarrja nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi është rrëzimi i qeverisë Rama. Që kjo të arrihet ne po organizohemi për përshkallëzimin e protestave, jo vetëm në Tirane, por edhe ne rrethe. Qytetarët e pakënaqur të këtij vendi janë shumë më tepër se ata që mbushën bulevardin dhe është detyra jonë si opozite të kanalizojmë këtë revoltë.
2. Tarifat e shkollave të larta janë rritur në mënyrë marramendëse, ndërkohë që shteti paguan pedagogë dhe infrastrukturë? A do të ndërmerrni protesta mbarë kombëtare me studentë nga e gjithë Shqipëria deri në heqjen e tyre?
Belind Këlliçi: Të rinjtë do të protestojnë dhe reagojnë kudo ne çdo cep të vendit ne universitete e shkolla të mesme. Nuk ikën rinia por ikën qeveria. Me këtë moto ne do të fillojmë një lëvizje të gjere rinore. U ngritën të rinjtë në ’90-n, duke shënuar një ndryshim historik për Shqipërinë, sot është serish koha që të rinjtë të ngrihen për Shqipërinë Evropiane, për drejtësi të pavarur, për pune, mirëqenie dhe dinjitet. 
Klevi Pojana: Janë të rinjtë shqiptarë që më së shumti vuajnë pasojat e kësaj keqqeverisjeje. Pasi gjithmonë e më shumë janë në kërkim të largimit nga vendi. Arsimi publik sot i shërben vetëm disa instrumenteve, klientëve të qeverisë dhe Ramës. Ky arsim nuk u ofron të rinjve mundësinë që ata të shkollohen dhe t’i përgjigjen kërkesave të tregut të punës. Nga ana tjetër ekziston një treg pune që kurrsesi nuk plotëson aspiratat që ata kanë për t’u integruar dhe punuar. Në protestë ishin parulla “Nuk më del të shes as veshkën për të paguar tarifën e studimit”, një ironi therëse që duhet t’i vinte kujën çdo ministri arsimi në çdo vend të botës. Mos të harrojmë që Matura Shtetërore është një nga vuajtjet më të mëdha që gjimnazistët shqiptarë përjetojnë. Nuk duhet të ikin të rinjtë. Nëse është e nevojshme që të iki dikush, le të ikin qeveritarët. 
Hergi Tabaku: Studentet janë vazhdimisht të prekur nga ndërrimi i pushteteve dhe eksperimentet qe qeveria po bën kundrejt tyre. për këtë arsye ne kemi planifikuar të ndërmarrim protesta me studentet e gjithë Shqipërisë, për t’u bashkuar, për të kërkuar meritokraci, kushte më të mira në sistemin arsimor, vende të lira pune dhe heqjen e tarifave absurde për shkollim.
Ennio Shkodra:
Rritja e tarifave universitare për një sistem të dështuar nuk është asgjë më shumë se grabitje për shqiptaret. Sistemi arsimor Shqiptar është gjunjëzuar para klientelizmit. Jam sigurt që studentet e këtij vendi dhe mbare rinia shqiptare do të marrin në dorë fatet e tyre dhe do të jenë mbështetje e madhe e çdo proteste në vijim, jo vetëm deri në heqjen e tarifave, por deri sa të hiqen autoret e të gjitha të zezave që po kalon ky popull.
Sigal