Foltorja/ Bylykbashi: Ndërkombëtarët po inkurajojnë këtë përpjekje për demokratizim të PD

87
Sigal

Në datë 11 dhjetor, Sali Berisha do të mbledhë Kuvendin Kombëtar. Dy ditë përpara mbledhjes së Kuvendit, Shqipërinë do ta vizitojë zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar, i cili do të ketë takime me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e PD-së, Lulzim Basha. Vizita e Gabriel Escobar në Tiranë vjen edhe në një moment kur SHBA ka njoftuar masat e reja që do të ndërmarrë kundër korrupsionit.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, u shpreh se ai për çështjen e Sali Berishës di aq sa Lulzim Basha, dhe sipas tij, SHBA nuk ka kërkuar përjashtimin e ish-kryeministrit nga grupi i PD-së.

“Kjo narrativë që i kanë kërkuar heqjen nga grupi parlamentar nuk është e vërtetë. Nuk e kanë kërkuar. Mbi këtë çështje unë di po aq sa zoti Basha. Është më komplekse se kaq, por nuk mund ta detajojmë këtu. Le të themi diçka, korrupsioni nuk mund të përdoret si armë, ka prova për këtë, dhe ato dërgohen në gjykata. Asnjë shtet nuk ndërhyn në zhvillimet e brendshme të një partie”.

“Përpjekja është edhe në interes të zotit Basha. Nuk ka PD të Bashës, partia është e jona. Nuk mund të ndërhyhet për të prishur një lëvizje që synon demokratizimin e PD-së. Kjo është një lëvizje që bazohet te vullneti i individëve që janë pjesë e kësaj”, tha ai.

Por përpos Sali Berishës a rrezikojnë edhe njerëzit që janë në mbështetje të tij? Bylykbashi nuk mendon kështu. “Ja ku jam unë që kam mbajtur qëndrime shumë të forta në këtë çështje, i jam bashkuar lëvizjes jo për shkak të PD-së, por asaj që besoj se është kriza e rëndë dhe kjo që po ndodh tregon që sistemi imunitar i partisë reagoi, nuk është shembulli i vetëm i autokratizimit të Bashës për atë që bëri në 9 Shtator, që ishte përpjekja e fundit”.

“Ata me të cilët dialogoj përfshirë në ambasadën e SHBA nuk i kam dëgjuar këto. Mund t’ju them që përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar inkurajojnë këtë përpjekje për demokratizim të PD-së. Përfaqësues të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar”, tha ai.