“Fluturon” pa adresë piloti i drogës së Ishmit, avioni mbahet “i arrestuar” në Shqipëri

435
Sigal

Kanë kaluar 3 muaj nga data 15 shtator 2016, kur avioni italian i markës “Piper”,
nuk mundi të çonte fluturimin deri në fund, mbasi “ngeci” në Ishëm të Durrësit.
Në këto 3 muaj, firma “Aero-club Savona” i ka kërkuar prokurorisë shqiptare,
t’i kthejë avionin “Piper”, të sekuestruar, sipas dosjes së mbushur me dyshime,
se ai mund të përdorej për çështje trafiku droge. Edhe vend-ndodhja e pilotit
italian nuk dihet. Ajo që dihet është se 69-vjeçari është sistemuar nga
autoritetet shqiptare dhe një mision italian në kryeqytet. Burimet e
prokurorisë, thanë se ai është pyetur disa herë për arsyet e fluturimit në
Shqipëri në datën 15 shtator 2016. Piloti Guidi, shfaqet kontradiktor duke qenë
se, fillimisht pohoi se kishte fluturuar në Shqipëri për shkak të kohës së
bukur, ndërsa më pas u tha hetuesve, se ishte kontaktuar nga disa shqiptarë për
të parë terrenin, nëse ishte i përshtatshëm për të transportuar drogë në rrugë
ajrore. I pyetur së fundmi, piloti Andrea Guidi ka shpjeguar, se kishte ardhur
në Shqipëri me dëshirën e tij, për të këqyrur territorin dhe më pas do priste
për oferta për t’u bërë transportues droge.