Florian Hysi: “Fitorja në Gjirokastër do të jetë për ASHE dhe kandidaten Zamira Rami

567
Gjirokastra është futur në 5 ditët e fundit të betejës politike të fushatës së zgjedhjeve lokale të 21 qershorit 2015, ku secili koalicion, secila forcë politike dhe secili kandidat, po punon intensivisht për të marr drejtimin e qytetit si kryetar dhe si këshill bashkiak. Bashkia e re e Gjirokastrës është një zonë e madhe, ku përveç qytetit është shtuar si “hartë” territoriale dhe numër banorësh me 6 komuna, të cilat pas 21 qershorit 2015 do të drejtohen nga 1 kryetar dhe nga 1 këshill bashkiak. Për të marrë drejtimin e kësaj bashkie të madhe, koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, me bazë dy partitë PS-LSI dhe kandidate Zamira Rami përfaqësuese e LSI, po punon fortë e bindshëm për të arritur fitoren. Lidhur me rivalitetin programor, me aktivitetin elektoral që po vazhdon të bëhet dhe me pritshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve të 21 qershorit në bashkinë Gjirokastrës, biseduam dje, me kryetarin e PS të rrethit të Gjirokastër, zotin Florian Hysi.
– Zoti Florian, pas 6 ditësh hapen kutitë e votimit, sa dhe si është punuar për fitoren tuaj në Gjirokastër?
Tashmë, kanë mbetur edhe 5 ditë fushatë elektorale, të cilat i kemi projektuar si “finish” i punës së përbashkët PS-LSI dhe si “ASHE”, që do të faza vendimtare e cila do të ketë si tregues gjithë energjitë tona maksimale, për të arritur fitoren. Deri tani, kemi punuar sistematikisht, kemi punuar mirë, fortë e qartësisht për votën që kërkojmë, duke argumentuar bindshëm atë çfarë premtojnë për banorët. Fushata jonë, nuk ka qenë “teatër demagogjik”, as “injeksion elektoral” për të joshur deri edhe hallexhinjtë vetëm për marrje votash… sa për të mashtruar, por për të kërkuar votën për vazhdimin e drejtimit të punëve, si aleancë bashkëpunuese “pushtet-qytetarë” për realizmin e reformave efiçente që kanë nisur e po realizohen konkretisht prej bashkisë dhe qeverisë në këto 20 muaj “Rilindje”. Pa eufori, mund të them se fitorja do të jetë e thellë për ASHE si Këshill Bashkiak dhe për Zamira Ramin si kryetare e bashkisë Gjirokastër. Për të arritur fitoren në 21 qershor, nga PS e LSI është punuar jo si parti të ndara, por si 2 parti me lidhje solide, si një koalicion, si një aleancë me një program, me një synim. Nuk ka sokak, lagje, fshat, rrugicë, derë, parcelë ku punohet e deri stan, që nuk kemi trokitur për të kërkuar bashkimin rreth alternativës tonë qeverisëse. Njerëzit janë bindur, që ne dimë të qeverisim mirë, që jemi të vendosur të ndryshojmë qytetin, fshatrat, jetën, punët në çdo zonë, ashtu siç kemi nisur të ndryshojmë Shqipërinë në këto 20 muaj qeverisje! 
– Mendoni se në 21 qershor do të votohet për programin ASHE dhe cilat janë disa nga drejtimet?
Jo thjeshtë mendoj, por e kam bindje, që programi PS-LSI do votohet nga mbi 70% e votuesve. Gjirokastritët e kanë votuar në disa mandate radhazi PS dhe të majtën si alternativë qeverisëse! Fakti është ky: Ne e kemi qeverisur Gjirokastrën në mënyrën me të mirë, me mundësitë më të plota ekzistuese. Nuk duhet harruar realiteti, që kur banorët e Gjirokastrës ia hoqën me votë drejtimin e bashkisë demokratëve, ata e kishin katandisur qytetin “skupille”. deri sot që drejtojmë ne, qyteti ka ndryshuar. Dhe do të ndryshoj me vazhdimin e qeverisjes prej nesh edhe pas 21 qershorit 2015, mbasi qytetarët do të votojnë përsëri programin tonë. Ne kemi bërë publik programin qeverisës të bashkisë Gjirokastër, të detajuar për çdo qendër banimi, sipas problematikëve që kanë zonat. Drejtimet kryesore të programit tonë janë arsimi, shëndetësia, bujqësia, kultura, infrastruktura zonale me objekt rrugët lidhëse me qendrën e rrethit dhe me zonat, nxitja dhe fuqizimi i biznesit, administrimi lokal e zonal i taksave, hapja dhe sigurimi tregjeve të prodhimeve bujqësore e blegtorale, kreditimi fermave e fermerëve, uji i pijshëm, uji dhe sistemi i vaditjes etj.
– Pse e keni këtë bindje?
Sepse modeli ynë qeverisës në bashkinë e Gjirokastrës dhe gjatë 20 muajve qeverisje qëndrore PS-LSI në gjithë Shqipërinë, po mbështetet nga qytetarët. Njerëzit përjetojnë ndryshimet dhe mbështesin programet që vazhdojnë ndryshimin. Në çdo takim ne e kemi marrë votbesimin e banorëve të bashkisë Gjirokastër e cila tashmë përbëhet nga qyteti Gjirokastër dhe ish-komunat Cepo, Lazarat, Picar, Odrie, Lunxhëri e Antigone. Po shpreh edhe njëherë me bindje të plotë, atë që thonë banorët e kësaj bashkie: Programi PS-LSI “Gjirokastra në drejtimin e duhur”, do të votohet masivisht! Detyra jonë si aleancë qeverisëse PS-LSI është që program të realizohet konkretisht. Dhe do të realizohet me mbështetjen e qeverisë “Rilindja”, mbështetur për realizim në aftësitë, personalitetin, energjitë dhe përkushtimin e kandidates potenciale Zamira Rami. 
Sa përqind, mendoni se do të jetë pjesëmarrja në votime në Gjirokastër, po fitorja juaj sa do të jetë?
Nuk mund të them se do të jetë 100%. Ne si forcë politike, po kështu aleatja jonë e fortë LSI dhe krejt ASHE, u kemi bërë thirrje qytetarëve, për të marr pjesë në votimet e 21 qershorit. Natyrisht, që kemi bërë edhe testime, se sa mund të jetë kjo pjesëmarrje në Gjirokastër. Na rezulton se nga afro 45 mijë persona me të drejtë vote, në votime mendohet se do të marrin pjesë afro 36 mijë votues. Afro 9 mijë votues që parashikohet të mos votojnë për shkaqe të tyre, janë kryesisht emigrantë, por edhe votues të zonës, të cilët gjenden me punë larg dhe sipas informacioneve tona, nuk do të vijnë për të votuar, ose do të votojnë në zona të tjera! Gjithsesi, ne do vazhdojmë t’u bëjmë thirrje deri në sekondën të mbylljes së procesit, për pjesëmarrje në votime… Fitorja jonë do të jetë e thellë.
Po në dy bashkitë Libohovë e Dropull, mendoni se do të fitoni?
Ne po punojmë intensivisht edhe në bashkinë Libohovë dhe mendojmë se do ta fitojmë drejtimin e e asaj bashkie, ndërsa lidhur me bashkinë e zonës minoritare, atje ka një popullsi votuese specifike me pozicione e sjellje specifike, për të cilën do të “flas” 21 qershori.
Ç’vlerësim keni për kandidatin e PD në Gjirokastër?
Nuk dua të bëjë vlerësime personale as si qytetar i Gjirokastrës dhe as politikisht si kryetar i PS të rrethit. Madje, as si forcë politike nuk kemi bërë vlerësime publike personale për kandidatin e PD, Igli Kokalari. Ne kemi publikuar vetëm vlerat e kandidates tonë Zamir Rami, ndërsa për vlerësimin për 2 garuesit kundërshtarë politikë do ta bëjë vota e 21 qershorit 2015, dita kur Zamira Rami e PS-LSI do të jetë fituese, ndërsa Kokalari i PD do të mbetet me statusin… “ish-garues”! 
Sigal