Floida Kërpaçi: Zëri i rinisë kërkon ndryshimin e Shqipërisë!

36
Sigal

Zëri i Rinisë kërkon Ndryshimin e Shqipërisë!

Shqipëria prej vitesh është kthyer në një furnitor të botës me burime njerëzore, e sidomos të rinj. Ndërkohë që standardi i jetesës në vendet e zhvilluara si SHBA, Kanada, Britani e Madhe apo në vendet e Bashkimit Evropian, ka tërhequr interesin e të rinjve shqiptar për një jetë më të mirë, meritokraci në punë dhe siguri për të ardhmen, shteti shqiptar ka ngelur në vend-numëro, pa asnjë progres real që ti afrohet kërkesave që ka popullata e sidomos rinia e 2021-shit për të projektuar të ardhmen këtu.

Dëgjohet e njëjta politikë konflikti pa zgjidhje. Ndihet përkeqësimi i modelit qeverisës. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) lajmëroi këto ditë se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe sidomos Shqipëria, pritet të përballen me flukse të larta emigrimi për shkak të pandemisë.

Dekada e Re që nisi në 2020-ën me sfidën ndaj pandemisë, do ta përplasi Shqipërinë me konkurencën më të ethshme: Atë se çfarë do të ofrojë shteti shqiptar për taksapaguesit e tij dhe pse rinia duhet të vijojë të zgjedhë vendlindjen për të ndertuar të ardhmen, ndërkohë qe vendet e zhvilluara do të gjenden në një garë globale me njëri-tjetrin se cili tërheq kapacitetet njerëzore më të mira, duke parashikuar edhe fushata incentivuese për të nxitur emigrimin në ato vende.
Ndaj 25 Prilli është referendum vendimtar! Ai përcakton nëse rinia merr në kontroll të ardhmen apo masivisht rrugët. Angazhimi pas kësaj date duhet të shkojë për ndryshim cilësor që nuk nxit largimin por ndërtimin e vendit sipas kërkesave të brezit të ri.

Për më tepër, ju ftoj të lexoni këtë analizë gjithëpërfshirëse që shpjegon me fakte fenomenin e shpopullit të Shqipërisë nga rinia. Me shpresën se do të ngjalli reflektim tek secili që kërkon një jetë më të mirë.