Floida Kërpaçi: LSI ofron shpresë për të ardhmen. Shqipëria është shtëpia e të rinjve, më 25 prill Referendum mbarëkombëtar

389
Sigal

Floida Kërpaçi, ish -deputete e LSI-së

LSI do të hyjë në zgjedhje si një ekip i vetëm, me një qëllim të përbashkët: largimin e së keqes në pushtet dhe rindezjen e shpresës, përmes alternativës së LSI-së për punësimin, arsimin, mbështetjen e gruas dhe të rinjve

 

Si kryetare e forumit rinor, unë jam krenare që gjatë mandatit tim, LSI është kthyer në partinë e parë politike në Shqipëri, ku të treja strukturat drejtohen nga gra: forumi rinor, forumi i gruas dhe vetë LSI me znj. Kryemadhi

LSI-ja  ofron shpresë për të ardhmen

Gazeta Telegraf

Floida Kërpaçi, ish- deputete dhe kryetare e Forumit Rinor të LSI-së në intervistën për gazetën “Telegraf”  thotë se rikonfirmimi i zonjës Kryemadhi si kryetare e LSI-së është edhe rikonfirmim besimi që anëtarësia vendos tek figura e gruas. Zonja Kërpaçi pohon se LSI është bërë shtëpia e të rinjve, sepse pas 25 Prillit, LSI do të angazhohet në qeverisje që të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, pa dallime politike, të kenë të njëjtat mundësi për të gjithë.

– Zonja Kërpaçi, çfarë dëshmuan zgjedhjet e 21 nëntorit për LSI-në?

– LSI-ja tregoi se është gati dhe më e motivuar se kurrë për të udhëhequr ndryshimin që presin qytetarët shqiptarë nga 25 Prilli. Besoj të gjithë e kanë ndjerë frymën demokratike që rrezatuan zgjedhjet në LSI, të cilat, edhe pse në periudhë pandemie patën një numër rekord pjesmarrje në të gjithë Shqipërinë. Rikonfirmimi i një gruaje në kryesimin e LSI-së ishtë një tjetër dimension shumë i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve. Si kryetare e forumit rinor, unë jam krenare që gjatë mandatit tim, LSI është kthyer në partinë e parë politike në Shqipëri, ku të treja strukturat drejtohen nga gra; forumi rinor, forumi i gruas dhe vetë LSI me znj. Kryemadhi. Rikonfirmimi i saj në detyrë është edhe rikonfirmim besimi që anëtarësia vendos tek figura e gruas, ku rritja e përfshirjes dhe aktivizimit të gruas shqiptare në vendimarrje është objektiv tepër i rëndësishëm i forcës tonë politike, si një forcë progresiste e qendrës së majtë.

Ne kemi nevojë për të ndërtuar një Shqipëri ku ka shpresë, mundësi që inkurajojnë rininë të projektojë të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri – për ta bërë Shqipërinë shtëpi. Për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e të rinjve    

– Ajo që ra në sy është pjesëmarrja e madhe e të rinjve, ndërkohë, që në partitë e tjera, nuk kemi kaq masivisht të rinj anëtarë dhe përkrahës. Pse të rinjtë i besojnë më shumë LSI-së?

– Të rinjtë por edhe prindërit e tyre, që aspirojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët, i besojnë LSI-së sepse LSI ka ofruar mbështetje reale për të rinjtë. Ndërsa ‘Rilindja’ ka ofruar për brezin e ri vetëm antivlera, fjalë boshe që kanë rezultuar në premtime të parealizuara, LSI jo vetëm ka mbështetur pa kufi të rinjtë, por është kthyer në partinë e të rinjve dhe të rejave të vendit. Mjafton të shikoni kryesinë e LSI-së, të shikoni organet drejtuese dhe figurat publike që kanë drejtuar aksionet opozitare, për të kuptuar se fytyra e LSI-së dhe vlerat përfaqësuese të saj janë të mishëruara tek brezi i ri i drejtuesve që LSI ka sjellë në arenën politike, si alternativë drejtimi për Shqipërinë.  Ne kemi ndërtuar një alternativë shumë të mirë politike ndaj dështimeve të ‘Rilindjes’ dhe premtimeve boshe të politikës së vjetër. Pas 25 Prillit, LSI do të angazhohet në qeverisje që të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, pa dallime politike, të kenë të njëjtat mundësi që sot i shohin tek emigrimi. Mundësi punësimi me paga dinjitoze dhe arsim cilësor që i lidh ata me tregun e punëve të së ardhmes. Do të jetë ekipi i LSI-së në drejtim, që do ta bëjë Shqipërinë të ndihet sërish si shtëpi për të rinjtë dhe të rejat e vendit, në mënyrë që të ndalojmë shpopullimin dhe të rindërtojmë shpresën këtu në vendin tonë.

Pse shumë socialistë ofrohen tani tek LSI-ja?

– LSI është parti e qendrës së majtë, që në kushtet e një klase politike të dështuar, ka ditur të ofrojë politikat e duhura të kujdesit për njerëzit, me politikat e saj ekonomike, të arsimit, apo qëndrimeve strategjike dhe konstruktive mbi reformat madhore të integrimit europian të vendit. Për këtë arsye, LSI përfaqëson një alternativë politike ku shumë qytetarë, të majtë dhe të djathtë, apo votues për herë të parë të gjejnë veten dhe janë të prirur të na kontaktojnë për të na u bashkuar.  Socialistët largohen nga ‘Rilindja’ për t’u bashkuar, pasi sot, LSI është e vetmja alternativë e  vërtetë e politikave të majta në Shqipëri, por edhe sepse ndryshe nga ‘Rilindja’ që i përbuz mbështetësit që kanë votuar PS-në, LSI ofron respekt dhe gjithëpërfshirje për çdo qytetar, simpatizant, mbështetës dhe votues të alternativës tonë. Sidomos për të rinjtë dhe gratë.

– Si do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve për deputetë në LSI?

– Ky proces kalon përmes aprovimit nga forumet drejtuese të LSI-së, duke marrë parasysh lidhjen e figurave me zonën, komunitetin që synojnë të përfaqësojnë, por edhe me vlerat profesionale që do t’i sjellin parlamentarizmit, i cili në gjykimin tim ka nevojë kritike për ngritjen e cilësisë të së zgjedhurve.  Përpara listimit final të kandidatëve, ata do të kalojnë edhe përmes një procesi vettingu të brendshëm, proces i cili drejtohet nga kryetarja e forumit të gruas Znj. Gjosha, i cili do të sigurojë një ofertë sa më cilësore për qytetarët.  LSI do të hyjë në garë si një ekip i vetëm, që do të punojë në çdo front të punës me një qëllim të përbashkët: largimin e së keqes në pushtet dhe rindezjen e shpresës në Shqipëri përmes alternativës së LSI-së për punësimin, arsimin, mbështetjen e gruas dhe të rinjve.  Pavarësisht vështirësive të diktuara nga keqqeverisja e Rilindjes dhe pandemisë, kemi nevojë që kjo dekadë që ka nisur të shndërrohet dhe të jetë dekada e shpresës për Shqipërinë.

– Çfarë i ofron LSI në programin e saj elektoratit, për të fituar votbesimin?

– LSI ofron shpresë për të ardhmen. Ofron luftë pa kompromis për interesat e të rinjve shqiptarë. Ne do të mundësojmë ngritjen e statusit ekonomik dhe social të familjeve shqiptare. Nën traditat më të mira të saj, LSI ka përgatitur alternativën e saj ndaj keqqeverisjes aktuale të ‘Rilindjes’, ku pas 25 Prillit hapet një kapitull i ri për punësimin e të rinjve dhe qytetarëve, rritjen e cilësisë së arsimit dhe ndërtimit të Shqipërisë  shtëpi, si një vend prej ku nuk emigrohet por ndërtohet e ardhmja.  Më datë 5 Dhjetor, LSI do të mbajë Konventën Kombëtare ku do të detajohen edhe linjat e alternativës politike. Si forum rinor, ne kemi punuar që në programin e LSI-së të përfshihen edhe propozimet që forumi ka prezantuar pranë grupit të punës të ngritur pranë kryesisë së LSI-së që po punon me ekspertë të brendshëm dhe ndërkombëtarë për hartimin e programit politik.

Pas 25 Prillit, LSI do të angazhohet në qeverisje që të gjithë të rinjtë e Shqipërisë, pa dallime politike, të kenë të njëjtat mundësi që sot i shohin tek emigrimi

Një nga nismat politike që ka ndërmarrë së fundmi LSI është të krijojë tek të rinjtë shpresën e të japë besimin, që e ardhmja e tyre është Shqipëria e jo emigrimi. Deri tani, shkaku kryesor i migrimit të të rinjve është se kanë humbur besimin tek politika, dështimet e integrimit. Ju, si LSI si do t’u ngjallni të rinjve shpresën se në Shqipëri do kenë punë, do kenë karrierë, sukses?

– ‘Rilindja’ ka bërë që rinia ta shohë të ardhmen jashtë Shqipërisë, jo këtu në shtëpi pa punë, pa mundësi, pa të ardhme, pa shpresë. Kjo duhet të ndryshojë menjëherë. Ne kemi nevojë për të ndërtuar një Shqipëri, ku ka shpresë, mundësi që inkurajojnë rininë të projektojë të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri – për ta bërë Shqipërinë shtëpi. Për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e të rinjve, LSI do të përqëndrojë çdo energji të saj në qeveri në krijimin e vendeve të punës, uljen e kostos së jetesës dhe përmirësimin e arsimit. Ky është angazhimi ynë ndaj Shqipërisë.  Një Shqipëri pa rini është një vend pa të ardhme.  Siç e përmenda më sipër Konventa e datës 5 dhjetor do të detajojë alternativën tonë për rininë dhe për Shqipërinë, ku ftojmë dhe median të na bashkohet për një transparence dhe komunikim te shtuar me publikun.

Faleminderit!