Flet për herë të parë Edi Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD për konfliktin “Berisha-Basha”: Akti më i gabuar i marrë në mënyrën më të gabuar, që përçau dhe dëmtoi shumë rëndë PD

102
Sigal

Flet për herë të parë Edi Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar të PD për konfliktin “Berisha-Basha”.

-Asnjë fakt nuk i është dhënë askujt në PD lidhur me akuzat ndaj Berishës, të tjerat janë spekullime.
-Rama nuk ikën me grisje letrash në Parlament e propozime me pika për përmirësimin e regjimit.
-Basha mund të ishte një kryeministër me parametra evropianë, por  rezultoi i papërshtatshëm për të rrëzuar bandën e Ramës.
-Sot, nëse i dhimbset PD, minimalisht, Basha duhet të kërkonte votëbesim nga anëtarësia për të mos lejuar thellimin e përçarjes.
-Demokratët nuk janë të Berishës apo Bashës. Sapo të kalojë kjo situatë, të gjithë bashkë për të përmbysur Ramën.

1-Pyetja që bëhet këto ditë në  PD: me Berishën  apo me Bashën?

Edi Paloka: Unë jam me PD! Pozicionimi im në këtë çështje ka lidhje vetëm me interesin e PD, që përkthehet dhe në interesin tim, të gjithë demokratëve dhe sot edhe të shumicës së shqiptarëve. Ky interes është vetëm nje: rrëzimi i regjimit dhe rikthimi i PD në pushtet. Në funksion vetëm të këtij interesi është dhe pozicionimi im në rastin konkret në krah të Berishës. Nuk bëhet fjalë as për nostalgji e as për marrëdhënie personale të miat me Berishën apo Bashën. Po të jetë për keto të fundit, marrëdhëniet personale i kam patur shumë më të afërta me Bashën se me Berishën. Edhe në aspektin e interesave të mia personale për sa i përket karrierës politike, me Bashën unë kam qenë dy herë nënkryetar i PD dhe sot jam Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD, pra kam marrë nga Basha maksimumin në hirarkinë partiake. Pozicionimi im, nuk lidhet as thjeshtë me atë çfarë përfaqeson Berisha për historinë e PD dhe të Shqiperisë në këto vite. Sigurisht që ky është një  faktor i rëndësishëm dhe thelbësor në këtë çështje por nuk është vetëm kaq. Është shumë më tepër se kaq edhe sikur ta ulim deri në nivelin e pragmatizmit të pastër!

 2- Si e gjykoni vendimin e Bashës?

Po ju them atë që i kam shprehur dhe Bashës që momentin e parë, se nga gjithë vendimet që mund të merrte për këtë çështje, duke llogaritur të gjitha rrethanat dhe faktorët, ka marrë vendimin më të gabuar në mënyrën më të gabuar. Unë si shumë të tjerë, as nuk e kam pritur dhe as nuk e kam menduar që mund të ndodhte! Për atë vendim unë jam informuar si të gjithë, vetëm pasi ishte bërë fakt i kryer. Nuk e prisja, sepse dhe në bisedat që kisha bërë ndërkohë me Bashën më dukej se ai ishte pozicionuar qartë dhe me bindje në kërkesën që kishte dhe Berisha për paraqitjen e provave lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij. Madje në një nga bisedat që kam bërë me Bashën për këtë çështje, në mos gaboj pasi ambasadorja amerikane bëri deklaratën e famshme për “barin” në derën e selisë së PD dhe Basha u vu nën sulm nga militantët vetëm pse nuk po reagonte, i kam thënë: “ Këtë çështje nuk duhet të mendojmë as ta hedhim në diskutim në forume se edhe thjesht futja në diskutim do ishte e turpshme për ne dhe poshtëruese për Berishën. Pas kësaj (kërcënimeve të ambasadores) edhe sikur Berisha të kërkojë vetë të largohet, ne do të humbisnim gjysmën e partisë sepse do na akuzonin se e shitëm dhe e vumë nën presion”. Në atë moment e shihja si të papranueshme edhe që të diskutohej  kjo çështje mes demokratëve e jo më të mendohej largimi i Berishës  dhe Basha u shpreh po aq i bindur e i vendosur sa unë në atë moment. Nuk e di se çfarë ndryshoi më pas!

3- Basha ka lënë të nënkuptohet se atij i janë dhënë faktet për të cilat akuzohet Berisha kur ka deklaruar se ai di detaje qe nuk do ti bëjë publike kurrë?

Jo! Ky është keqkuptim ose keqinterpretim nga mediat që mbase Basha duhej ta kishte sqaruar vetë. Nuk u eshtë dhënë asnjë fakt, askujt prej atyre që kanë qenë në takime. Unë nuk kam qenë vetë në asnjë takim, po këtë pikë e kam sqaruar me ata që kanë qenë. Këtë Basha e thote dhe në deklaratën e tij të 9 shtatorit. Pra e bën të qartë që asnjë prove apo fakt nuk i është paraqitur lidhur me akuzat ndaj Berishës!

4- Po ju si e gjykoni vendimin e e DASH për shpalljen “non grata” të Berishës?

Po ta thoja vetëm me dy fjalë: një vendim të padrejtë dhe me qëllime politike. I padrejtë juridikisht deri në momentin që nuk vërtetohet e nuk jepet asnjë provë për akuzat. Po  i padrejtë për më tepër dhe moralisht sepse e shpall këtë vendim 8 vite pasi Berisha ka ikur nga të gjitha funksionet e ndërkohë shohim se si u jepet mbështetje e u dilet në krah personazheve si Rama, Veliaj, Ahmetaj, Balluku, Gjiknuri, Manja, Spiropali, Balla e me radhë, që për shqiptarët janë simbole të korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe arrogancës! Kjo të bën të mendosh se kemi të bëjmë me një vendim dhe qëndrim politik. Une Bashës në fakt  i jam shprehur që kur presionet për këtë çështje u bënë publike; “ky nuk është akt kundër Berishës po kundër në të gjithëve dhe PD…! “Po pse? Cili është qëllimi? Berisha  jep disa. Unë shoh vetëm rezultatet. Ato që janë fakt. E fakti është që pas 9 shtatorit PD është më e përçarë se kurrë dhe nuk është në gjendje të reagojë e të ngrihet ndaj një regjimi që manipuloi zgjedhjet dhe që çdo ditë e më shumë po ndërmerr akte me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve të këtij vendi!

5-Si do vepronit ju në vend të Bashës?

Duke pranuar faktin që Basha ka qenë nën presion, prapë ka patur disa mënyra për të vepruar. Një lider e gjen gjithmonë zgjidhjen. Nuk mund t’u plasësh në dorë bombën atyre që të kanë besuar e të ndjekin e t’u thuash e bëra se nuk gjeta zgjidhje tjetër. Gjithnjë ka rrugëdalje e në krye prandaj jë vënë që ti gjesh. Nëse nuk je në gjendje atëherë më mirë dil vetë nga rruga se të nxjerrësh gjithë ata që drejton!
Po cilat mund të ishin zgjidhjet? Në deklaratën e tij të 9 shtatorit, Basha thotë pak a shumë se “Berisha do përjashtohet nga grupi parlamentar deri sa të vërtetojë që është i pafaj…”.  E kundërta do ishte e pranueshme. Basha është jurist dhe e di shumë mirë se në drejtësi ka një parim universal; konsiderohesh i pafajshëm deri sa te provohet faji yt. Pra në deklaratë (nëse do duhej një e tillë) do duhej të thuhej: “Berisha do largohet nga grupi parlamentar në momentin që vërtetohen akuzat ndaj tij”.
Këtë do bëja unë dhe do ishte në linjen që vetë Basha adoptoi në fillim!
Rruga tjetër ishin forumet, vota.
Ajo që ka thënë Basha se kjo do përçante partinë nuk qëndron. Pëçarja në fakt po ndodh tani dhe nga më të këqijat se po shkon deri thëllë në bazë. Mund të hynim në një votim edhe pa debate brenda forumeve apo dhe referendum më gjithë anëtarësinë nëse do ishte e domosdoshme.

6-Basha ka pranuar se nëse votohej edhe vetë nuk do votonte kundër Berishës, po kjo do sillte prishje me SHBA prandaj ai e mori vetë këtë vendim?

E para: kjo ështe jashtë çdo logjike tç pranueshme. Ke marrë një vendim për të cilin jo vetëm nuk ke kompetencë po e ke marrë dhe duke qenë i vetëdijshëm se ke kundër shumicën absolute të anëtarësisë! Kjo jo vetëm nuk ka lidhje me demokracinë brenda partisë po është dhe jashtë çdo logjike demokratike. Për sa i përket marrëdhënieve të PD me SHBA. Si fillim dua të bëj të qartë se partitë mbajnë marrëdhënie me partitë e shtetet me shtete. Në 30 vite, PD dhe Berisha, kanë patur ulje ngritje, në marrëdhënie me administratat amerikane. Kryesisht situata të pafavorshme kemi kaluar gjate administratave të majta. Pas 97 ka qëne një nga situatat më të vështira për PD edhe në marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara. Por pas asaj Berisha u bë dy herë kryeministër dhe jo vetëm i përmirësoi marrëdheniet po priti dhe Presidentin e SHBA në Tiranë. Historia e vetë SHBA është e tillë e ndërthurur me miq që kthehen në armiq dhe anasjelltas. Po jo vetëm e SHBA. Unë jam i bindur që çdo keqkuptim apo acarim i momentit do të gjente zgjidhje. Ndërkohë çarja e PD është fatale. Si mund të fitoje një parti pa mbështetjen e anëtarësisë dhe elektoratit të saj?! Me duartrokitje ambasadorësh nuk mbushen kutitë e votimit!

 7- A jeni ju antiamerikanët siç po ju akuzojnë? Ambasadorja Yuri Kim deklaroi se askush nuk mund ti kthejë shqiptarët kundër SHBA-ve. Po përpiqeni ju ti bëni shqiptarët antiamerikane?

Demokratët shqiptarë për definicion dhe për gen janë jo vetëm proamerikane, por shkojnë dhe më tej, deri në adhurim. Duhet të kemi të qartë një gjë, se duke thënë Amerika, Amerika duket sikur flasim për koncept gjeografik apo thjeshtë për një emër. Për ne Amerika janë parimet e lirisë e demokracisë, janë parimet e drejtësisë mbi të cilat ajo ngrihet! Për këtë e kemi parë si endërr gjatë diktaturës e vazhdojmë ta shohim me shpresë dhe tani!
– Paradoksi i këtyre viteve të fundit është se na kanë akuzuar si antiamerikanë kundershtarët tanë, pinjollët e diktaturës komuniste! Si mund të jemi ne antiamerikanë dhe pasardhësit e bllokut që drejtojnë edhe sot ish-PPSH dolën papritur proamerikanë?! Rama, djali i Kristaqit dhe nipi i Spiro Kolekës, që jo gjatë diktaturës, po kur ishte kryetar bashkie, hidhte me përbuzje përpara mediave e në mënyrë demonstrative flamurin amerikan; që ka votuar të paktën dy herë kundër rezolutave dhe qëndrimit të SHBA në organizatat ndërkombëtare, përfshi rastin në OKB kur ambasadorja USA në atë organizatë e kërkoi votën e partnerëve në mënyrë eksplicite; që i lejoi vetes të sulmojë si ordiner kandidatin, e më pas Presidentin e SHBA duke bërë dhe kërcënime qesharake për prishje të marrëdhënieve midis dy vendeve, qenka proamerikan?!. Demokratët shqiptarë por dhe shumica e shqiptarëve nuk mund të bëhen antiamerikanë se ka dhe një histori pas mes dy vendeve. Po është e vërtetë qe ka nga ata që po përpiqen t’i bëjnë demokratët, antiamerikanë dhe po përpiqen boll. Po përpiqen duke shkelur pikërisht parimet që përmenda më sipër e mbi të cilat qëndrojnë SHBA. Po ju garantoj që ky nuk është as Sali Berisha e as demokratët që po e mbështesin, përkundrazi!
– E keqja është se kanë filluar dhe disa kolegë të mi të bëjnë pyetje qe nuk i nderojnë aspak duke hedhur indirekt idenë se të gjithë ata demokratë që kanë dalë në krah të Berishës në lëvizjen që ai ka nisur, qenkan kundër SHBA!
–  Ky është një spekullim keqdashës!
– Së pari si koncept; le të presupozojmë për një moment që gjithë kjo lëvizje qenka ngritur kundër vendimit të DASH për Berishën (gjë që është tërësisht e pavërtetë) po pse shtetasit amerikanë që protestojnë deri dhunshëm ndaj vendimeve të qeverive amerikane që i konsiderojnë të padrejta, qenkan antiamerikanë?! Po kongresmenët apo senatorët amerikanë që kundërshtojnë vendimet e qeverisë apo dhe të vetë Presidentit, janë antiamerikanë?! Kjo vetëm për koncept sepse për sa i përket “Foltores” ajo nuk ka asnjë lidhje me vendimin e DASH, ajo ka lidhje me vendimin e Bashës.

 8- A nuk është kjo një çështje personale e Berishës dhe a nuk po e përdor ai “Foltoren” për të mbrojtur veten?

Çështje personale e Berishes mbetet mardhenia me Sekretarin Blinken lidhur me shpalljen “non grata”  dhe ai këtë e deklaroi vetë që të nesermen. Nuk kërkoi ndihmën e partisë, përkundrazi. Berisha nuk e filloi “Foltoren” kur u shpall “non grata” po pas vendimit të Bashës. Ndërkohë kujtoj këtu që kemi shembuj me sjellje krejt tjetër brenda dhe jashtë vendit dhe për raste flagrante; Fatos Nano u dënua nga drejtësia për korrupsion dhe angazhoi gjithë partinë në mbrojtje te tij. Shihni çfarë po bën partia republikane në Francë për Sarkozy-n që është dënuar nga drejtësia franceze, kërkojnë ta kandidojnë prapë për President.
– Berisha nuk e kërkoi këtë nga PD kur u shpall non grata, përkundrazi. Pra çështja që Berisha ka me vendimin e DASH është çështje e tij personale. Ndërkohë çështja që është ngritur në PD e po trajtohet në “Foltore” është vendimi i shpallur nga Basha për largimin e Berishës nga grupi parlamentar, vendim i marrë jo vetëm pa u votuar në forume, po edhe pa konsultuar fare madje as me drejtuesit e tjerë më të lartë të PD.

9-A mund të heqë dorë Berisha nga “Foltorja” duke parë që po përçahet PD?

Në fakt “Foltorja” nuk është shkaku, është pasoja dhe një pasojë që Basha e dinte që përpara se ta ndërmerrte atë hap. PD nuk ishte në ditë të mirë as para 9 shtatorit, por nuk kishte përçarje në PD, madje kishte dhe besim se do të fillonte një betejë e fortë për rikthimin e demokracisë në vend. Vetë Basha e deklaroi këtë kur tha; “ Beteja jonë fillon tani”. Kjo situatë që është sot, u krijua me datë 9 pasi Basha beri deklaratën. Pra është e lehtë të kuptohet se cili ishte shkaku dhe shkaktari i kësaj përçarjeje. Është Basha ai që duhet ti japë fund kësaj situate nëse i dhimbset partia që kryeson.

10- Cila do ishte zgjidhja sipas jush?

Nëse ne do vazhdojmë të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Të fshehim kokën në rërë si struci me idenë që ajo që nuk dua ta shoh, nuk është duke ndodhur, do të ishte jo vetëm gabim po faj edhe më i rëndë ndaj demokratëve. Siç e thashë më lart, kjo situatë u krijua për shkak të vendimit të marrë personalisht nga Basha, po jo vetëm për këtë arsye, minimalisht Basha duhet të kërkojë vetë të votëbesohet nga antarësia e PD. Unë mund ta pranoj që vendimi i Bashës është marrë nën presion dhe siç thotë vetë Basha, ka menduar se po merr vendimin më të drejtë për kushtet ku ishte, por sot rezulton ndryshe. Shumica e anëtarsisë së PD mendon ndryshe.
– Për shkak të atij vendimi ne jemi sot në një përçarje mes demokratëve që për fat të keq po thellohet!
– Në këto kushte, e përsëris, Basha ka detyrimin minimal të dalë e të kërkoje votëbesimin e anëtarësisë.
– Në të kundërt perspektiva është e errët! Po mblidhen firmat dhe së shpejti në bazë të statutit mblidhet dhe Kuvendi i PD që do të marrë vendimet e tij. Basha ka deklaruar nderkohë se nuk do e lejojë  te mblidhet Kuvendi, që do të thotë se nuk do e njohë Kuvendin, se për ta ndaluar nuk e ndalon dot. Cili mbetet rezultati? Një katastrofë! Prandaj vetëm vota e anëtarsisë sa më shpejt për mua i jep një  zgjidhje kësaj situate. Vetëm pasi të vendosin ata vetë me votë, demokratët do mund të bashkohen dhe një herë kundër atij që është armiku jo vetëm i demokratëve po i gjithë shqiptarëve, Edvin Ramës.  Pa i dhënë zgjidhje kësaj situate as nuk kemi shanse të bejmë opozitë e jo më të përmbysim Ramën apo të fitojmë zgjedhje!

11- Ju thoni të votëbesohet, po Basha sapo është rizgjedhur në krye të PD për të tretën herë?

– Vertet u zgjodh para një muaji, po në kushte krejt të tjera e me ne të gjithe në krah, përfshi Berishën që pavarësisht rezervave që shprehu publikisht për zhvillimin e zgjedhjeve aq shpejt, prapë u detyrua të konformohej për të shmangur thellimin e përplasjeve qe nxorën kokë menjëherë pas 25 prillit. Nëse Basha do e merrte vendimin për Berishën para se të zhvilloheshin zgjedhjet për kryetar, në këtë mënyrë që e mori, apo qoftë edhe të deklarohej se nëse zgjidhej do të ishte i detyruar të merrte një vendim të tillë, atëherë do ishim ok. Por sot e shohim që kemi një situatë krejt tjetër dhe e vetmja zgjidhje mbetet vota e anëtarësisë. Në një mënyrë apo një tjeter Basha duhet të votëbesohet. Dhe nuk mund të bëjë deklarata si ajo që nuk do lejojë të mblidhet kuvendi sepse janë krejt pa vend për të mos i quajtur ndryshe. Një kryetar që thotë nuk njoh Statutin, votën e anëtarësisë dhe Kuvendin e partisë që drejton!

12- Ju më parë thatë se keni qenë më afer me Bashën se sa me Berishën e sapo thatë që e keni mbështetur Bashën  dhe në zgjedhjet e fundit për kryetar? Tani pse po i dilni kundër dhe po e sulmoni dhe për gjëra që dikur e keni mbrojtur?

– Së pari, unë  nuk po diskutoj Bashën as si qytetar as si familjar as si demokrat e as si shok po të doni. E kam mbështetur me bindje edhe në zgjedhjet e fundit që u bënë për kryetar. E  që ti shkoj të vërtetës deri në fund, publikisht kam thënë se jam me Bashën deri sa një nga kandidatet e tjerë të japë një alternativë konkrete për mënyrën se si rrëzohet Rama e mos përqendrohet vetëm tek sulmet ndaj Bashës aq sa të linin në harresë dhe manipulimin e zgjedhjeve të bëra nga Rama. Pra e mbështeta me bindje.
– Duhet të them diçka për vete; Unë kam pas një parim në marrëdhëniet e mia brenda PD. Kur kisha rezerva apo kundërshti për çështje të ndryshme, preferoja t’ua shprehja  kryetarëve direkt  pa i diskutuar më pas. Pa i ngritur madje as në mbledhje kryesie sepse do ishte njësoj si t’i bëja publike. Këtë e kam bërë dhe me Berishën po më shumë me Bashën. Si nënkryetar kam dhënë mendimin tim por publikisht kam mbrojtur qëndrimin zyrtar të PD. Në raste kur vendimet i kam konsideruar tërësisht gabim e në kundërshtim me bindjen time, kam preferuar që mos prononcohem fare publikisht. Pavarësisht nga kjo, nuk kam ndërmend as tani as më vonë ta akuzoj Bashën për vendime apo qëndrime të cilat si nënkryetar partie, unë publikisht i kam mbrojtur. Por një gjë mund ta them, në gjithë qëndrimet që une kam mbajtur për çështje të caktuara kam patur si bosht bindjen se me Ramen nuk mundet e nuk duhet as bashkëpunuar e as bërë marrëveshje. E vetmja logjike që funksionon me Ramën është forca.
– Rama nuk ofron asgjë e nuk bën asnjë marrëveshje pa menduar më parë hilen për ta zhberë atë. E në këtë pikë historia e këtyre viteve më ka dhënë të drejtë!
– Ndërkohë, për t’u kthyer tek pyetja juaj; gjërat ndryshuan tërësisht me aktin që Basha ndërmori me 9 shtator që  i dha një goditje shumë të rëndë  PD e që solli këtë situatë ku jemi sot.
– Po mbase dhe duhej të bëhej shkak diçka për të lëvizur ujërat. Demokratët kanë nevojë për dikë që t’i çojë në fitore përballë kësaj bande që është sot në pushtet e me sa duket Basha nuk është i përshtatshem për këtë. Basha mund të ishte i duhuri në rrethana të tjera, ku mos kishte nevojë të përballej me presione ambasadorësh e me bandat në pushtet. Ne luftuam të gjithë ta bënim Bashën kryeministër e unë mendoj se ai mund të ishte një kryeminister i standardeve evropiane,  por që të realizohej kjo, duhej më parë rrezuar Rama me gjithe banden e tij e me sa ka provuar koha, Basha me menyren e tij , nuk mundet! Edhe pas 25 prillit premtoi luftë me të gjitha format e mënyrat me regjimin, por në fakt PD dhe grupi parlamentar janë futur në rrugën e një opozite rutinë, sikur të jemi në një vend normal me demokraci të zhvilluar e përballë të kemi një qeveri të dalë nga zgjedhje legjitime!
– Ky regjim duhet përmbysur jo të përmirësohet me këshilla opozitare si ato shtatë pikat. Ramës i duhen thyer turinjtë jo ti bëjmë makiazh. Me grisje letrash e “beteja të fituara” kundër komisioneve on line nuk bëjmë asgjë. Me ato jemi deri në fyt. Madje kemi fituar 8 vitet e kaluara edhe beteja serioze si miratimi i ligjit për dekriminalizimin që më pas ka rezultuar nul sepse Rama  prapë qëndron në pushtet me krimin.
– Nuk po akuzoj grupin parlamentar për qëndrimin sepse nuk është faji i grupit që jemi në këtë situatë. E një grup që nuk ka më mbrapa ata që e kanë votuar nuk mund të bëj më shumë, për këtë unë jam koshient.

13- Basha duket se preferon të mos i përgjigjet Berishës vetë, po ndërkohë nga mbështetes të tij është dëgjuar se ata që mbështesin Berishën janë vetëm “një pakicë e zhurmshme”, disa “ish-ministra dhe ish-drejtorë të Berishës“?

– Nuk e di kush i përdor keto argumente po mua më duket më shumë si një shfryrje inatesh, për ndonjë ish-drejtues që ka abuzuar me pushtetin se sa si argument. Vetë  Basha ka qenë tre herë minister i Berishës dhe ka punuar me drejtorët e Berishës në qeveritë e Berishës me veprat e të cilave ne mburremi sot! Sa për atë që janë pakicë apo shumicë, këtë e ndan vota. Pikërisht për këtë arsye demokracia funksionon me votë. Nëse janë pakicë atëherë ca më shumë nuk ke pse i trembesh votës!
– Unë vetë kam dëgjuar dhe teori të tjera që vetëm e demtojnë PD në fakt. Dikush e ka harruar “masakrën zgjedhore” dhe ka zbuluar prapë që fajin edhe për humbjen e zgjedhjeve e paska patur Saliu! Dikush përmend moshën e Berishës dhe si “proamerikan” harron që Presidenti aktual e SHBA është ca më i vjeter se Berisha e ka që në vitet ‘70 në politike. Sepse nuk është numri i viteve që ke në politike që të konsumon, por abuzimet që mund të kesh bërë gjatë atyre viteve, në të kundert përvoja në politike dhe ndershmëria janë vlera te pazëvendësueshme!
– Po pikërisht për të ndaluar këtë frymë përçarje që ka filluar edhe mes anëtarëve, është e nevojshme të jepet zgjidhja. E zgjidhja e përseris është votë e anëtarësisë
– E në fund të bëjmë të qartë diçka: Nuk ka “demokratë të Berishës” dhe “demokrate të Bashës” ka vetëm demokratë, të cilët sapo kjo çështje të mbyllet, do të jenë përsëri bashkë me një qellim të vetem: përmbysjen e Ramës./GSH/