Flet për gazetën “Telegraf” deputeti Enkelejd Alibeaj: Ja pse u rrëzua propozimi i ONM-së për Reformën në Drejtësi

474
Sigal

Jakup B. GJOÇA

ONM dhe opozita në debatin për draftin e reformës në Drejtësi propozuan, që asnjë nga ekspertët dhe hartuesit e Reformës në Drejtësi të mos merrnin asnjë post në institucionet e reja të drejtësisë, që do ndërtoheshin në të ardhmen. Ky kushtëzim u bë, që asnjë palë politike të mos kishte mundësinë që të kapte vendimmarrjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj i pyetur nga gazeta “Telegraf” prononcohet se opozita kundërshtoi shumë edhe për mënyrën jo transparente të përzgjedhjes së ekspertëve në hartimin e reformës në drejtësi, të cilët, u zgjodhën njerëzit e besuar të mazhorancës. Përjashtimi i ekspertëve të reformës së drejtësisë, nga postet drejtuese të institucioneve të reja të drejtësisë, do të ishte një kusht politik, që drejtësia të fitojë tërësisht pavarësinë e saj nga pushtetet e tjera, ekzekutivi dhe legjislativi. Mirëpo, siç pohon deputeti Alibeaj, mazhoranca e rrëzoi edhe këtë propozim të ONM-së dhe të opozitës, dhe pranoi vetëm kushtëzimin që ekspertët e reformës në drejtësi të mos pranoheshin në organet e vettingut. Deputeti Alibeaj pohon për “Telegraf” se zgjedhja e ekspertëve të reformës në drejtësi është jo vetëm çështje morali (pavarësisht se maxhoranca nuk pranoi të kushtëzohej me ligj ky përjashtim), por edhe për faktin se Genti Ibrahimi, që u zgjodh kryetar i KLP-së, nuk mund të zgjidhej, sepse nuk plotëson as kushtet, sipas dokumentacionit të ONM-së. Mospranimi nga mazhoranca socialiste në Ligjin e Reformës në Drejtësi që ekspertët e reformës në drejtësi të përjashtohen nga zgjedhja në postet drejtuese të institucioneve të reja në drejtësi ka qëllim, jo vetëm që maxhoranca të vendosë njerëzit e saj në krye të tyre, por edhe ligjet e reformës në drejtësi u hartuan, u formuluan nga ekspertët, në mënyrë të atillë, që ata të zgjidheshin në krye të institucioneve të reja të drejtësisë dhe t’i shërbejnë interesave të atyre politikanëve që i përzgjodhën si ekspertë të reformës në drejtësi, e paskëtaj, edhe i zgjedhin edhe në krye të institucioneve të reja të drejtësisë, ligjet e të cilave ata vetë i hartuan, sipas interesave të tyre.