Flet Hyqmet Zane: Protesta e opozitës më 7 korrik, është ndaj keq-qeverisjes, varfërisë, çmimeve të larta, korrupsionit dhe shpopullimit

116

 Justifikimet që po përdoren nga kryeministri Rama me lojra tinzare fjalësh për të mbrojtur ministrat e korruptuar dhe mafiozë, qeveria shqiptare e meriton jo vetëm mospranimin në Bashkimin Europian, por edhe cilësimin e një vendi në kontinentin europian si më i korruptuari

Sigal

 

Thirrja për pjesëmarrje në një protestë gjithëpërfshirëse ndaj padrejtësive galopante të një qeverisjeje ndaj popullit të vet, nuk është thjesht një luks për demokratët, që e ideon atë, por është një protestë edhe për socialistët e mashtruar, që po e vuajnë të keqen. Të dëgjosh Arben Ahmetaj e qeverisë se është rritur niveli i jetesës së popullit, është sikur të thuash se jemi vendi i parë në botë për mirëushqyerjen siç u bë në kohën e diktaturës në një kohë që populli nuk kishte bukë për të ngrënë.

Justifikimet që po përdoren nga kryeministri Rama me lojra tinzare fjalësh për të mbrojtur ministrat e korruptuar dhe mafiozë, është kthyer në një devizë edhe për europianët se qeveria shqiptare e meriton jo vetëm mospranimin në Bashkimin Europian, por edhe cilësimin e një vendi në kontinentin europian më i korruptuari dhe me një kompleks negativitetesh kriminale që ia kanë nxjerrë kallajin propogandës zhgënjyese të një kryeministri, që e nisi qeverisjen me shprehjen “nuk keni parë gjë akoma” dhe që po e vazhdon me të njëjtin ritëm me një spirale të ngritur lart.

Shpesh na është thënë se pushteti fitohet me votë dhe mbahet me drejtësi, por kurrësesi të mund të mendosh se zgjedhjet e blera dhe të shitura sjellin pushtetin, që i shërben popullit dhe që nuk do ketë kurrë drejtësi. Faktet kanë treguar se ky lloj pushteti është i drejtë vetëm me oligarkët që u jep tendera me 99 % të vlerës, bile edhe i subvencionon, por është super i padrejtë me popullin e vet edhe ndaj atyre që e kanë votuar me hir apo me pahir. Për këtë lloj qeverisjeje lypsen protestat, të cilat e rrëzojnë qeverisjen e keqe jo vetëm ndaj demokratëve, por edhe ndaj vetë socialistëve të zhgënjyer dhe që i bën karshillëk edhe europianëve me batuta idioteske.

Jemi bërë dëshmitarë të një arrogance qeveritare ndaj popullit të vet, si me rritjen galopante të çmimeve të mallrave të shportës, por edhe të naftës, benzinës dhe gazit, të gjithëçkaje, që ka lidhje me jetesën e qytetarëve të vendit përballë një niveli të ulët të pagesave të punës dhe rrogave të çdo niveli, veç të atyre që janë deputetë dhe qeveritarë.

Edhe pse e gjithë kjo situatë super e vështirë për qytetarët e vendit, ka një stepje kur thuhet se duhet protestuar, a thua se protesta do jetë frikë se mos i shtyp qeveria?! Tomas Xheferson, një nga baballarët themelues të SHBA është shprehur se “Kur populli i frikësohet qeverisë së tij, aty ka tirani, kur qeveria i frikësohet popullit të vet, aty ka liri”. Është e vërtetë që liria ishte dëshira e mijëra shqiptarëve që ëndërronin për të shpëtuar nga diktatura staliniste, por kurrësesi nuk ishte menduar që pas 31 vjetësh shqiptarët po përjetojnë arrogancën e një qeverisje në llojin e vet më të keqe dhe kurrë nuk mund të mendosh se demokracia do jetë një aspiratë e afërt.

Sjelljet tipike diktatoriale deri aty sa Kryeministri i thotë një gazetari se për tre muaj do jetë në ridedukim, duket se Edi Rama, kryeministri më i padrejtë i postdiktaturës po e merr të shkuarën diktatoriale si një model për të ardhmen, sepse ai mendon dhe vepron me qëllimin e shkatërrimit të së ardhmes si një mision nga baballarët e diktaturës komuniste në Shqipëri, që u është ngarkuar nga partia e shoku Enver?! Dhe nga ana tjetër bën referenca amerikane përmes ambasadores amerikane Yuri Kim si zbatim i porosive të modelit soros dhe atij putinist.

Gjithëkush e mendon dhe e percepton realitetin sikur të jetë ushqyerje me gënjeshtrën në tërësinë e jetës shqiptare. Kjo ka bërë që stomaku i mendjes të mos e përtyp dot të vërtetën që po e përjeton ky populli ynë, duke besuar se e ardhmja mund të jetë një gënjeshtër, edhe pse i thua të vërtetën! A thua se ne ose jemi të destinuar të vuajmë të keqen e errësirës, ose duhet ta çajmë errësirën me të vërtetat tona që po thonë edhe Partia Demokratike me aleatët e tyre.

Udhëkryqi në të cilin jemi sot është më i keq se sa ai i viteve 1990 – 1991, sepse jemi në pragun e një dështimi kombëtar nga sjellja e papërgjegjshme e një kryeministri, që na rikthen si të re Open Ballkan në një kohë që i kemi të hidhura dhe i kemi vuajtur të keqen që na servirën emisariati serb si në atë kohë edhe sot. Papërgjegjshmëria shkon deri aty sa e gjithë makineria e propogandës së kryeministrit me patronazhistë e me kriminelë, po i bën hosanara Lindjes së Putinit dhe po përbuz Europën Perëndimore. Ndoshta edhe europianët e kanë spikatur këtë tipar dallues të një kryeministri, që sillet si Enver Hoxha në vakt që tha se do bëjmë Shqipërinë e lirë dhe demokratike dhe bëri Shqipërinë e izoluar dhe diktatoriale.

Jemi në pragun e vënies në dyshim se a janë të lirë shqiptarët kur mashtrohen, gënjehen, dhunohen, varfërohen, kriminalizohen? Prandaj protesta e një populli meriton vëmendjen e vet, sepse populli që nuk proteston ndaj padrejtësive, fiton diktaturën.

Unë dua gjithnjë t’i referohem Presidentëve Amerikanë se në tërwsinë e tyre kanë thënë e kanë bërë vepra, që mbeten të pashlyera duke drejtuar një popull, që ndodhet sot në atë stad që e kemi zili. Franklin Rusvelt është shprehur se “Liria e vërtetë individuale nuk mund të ekzistojë pasiguri ekonomike dhe pavarësi. Njerëzit të cilët janë të uritur dhe pa punë janë lënda me të cilat prodhohen diktaturat”. Jo më kot drejtori i shkollës amerikane teknike Harry Fuls i tregoi personalitetit të madh Lef Nosi atë eksperimentin që bëri me nxënësit që ua pakësoi bukën dhe ushqimin dita ditës nxënësve të konviktit për të parë se a do protestonte ndokush për këtë “padrejtësi” të qëllimshme dhe vuri re se asnjë nxënës nuk u ankua tek drejtori, ndaj dhe nxori konkluzionin se “Një popull që nuk proteston, ai shkon dhe do provojë diktaturë”.