Flet Besnik Muçi: Askush nuk u tha qytetarëve se ndryshimet e marsit 2021 në Kodin e PP, kufizuan akcesin e tyre në gjykata

229
Sigal

Si u kufizua aksesi i qytetarit në gjykatë me ndryshimet ligjore të marsit 2021!

Askush nuk u tha qytetarëve se ndryshimet e marsit të këtij viti në Kodin e Procesurës Penale kufizuan në maksimum aksesin e tyre në gjykata.

Besnik Muçi

Ish- Prokuror

 

Tellallët e Reformës në Drejtësi shkelën hapur parimin më sipër dhe i mundësuan Partisë shtet kontrollin e gjyqësorit.

Jo vetëm ne juristët po gjithë shqiptarët gjatë viteve 2014-2015 ngelën duke dëgjuar tellallët dhe “sorrat” e Reformës në Drejtësi për kapjen politike të sistemit, për korrupsionin, për paaftësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, lidhjen me krimin e organizuar, kalbjen e sistemit të drejtësië, për mungesën e aksesit të qytetarëve në drejtësi etj, etj..Një pjesë e këtyre problemeve realisht ekzistonin, një pjesë fryheshin dhe një pjesë trilloheshin për të bindur dhe manipuluar opinionin publik shqiptar dhe partnerët e Euro-Atlantikë që ne duhet ta shembim plotësisht ngrehinën tonë të drejtësisë, e ndërtuar mbi parimin e pastër demokratik të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, që për shumë arsye shfaqte probleme dhe të ndërtonim një ngrehinë të re mbështetur në një rrjet të ndërlikuar parimesh, mekanizmash dhe institucionesh, por që në një analizë të thjeshtë shkelën hapur parimin më sipër dhe i mundësuan Partisë shtet kontrollin e gjyqësorit. Nevoja e kësaj reforme, mënyra dhe si u pregatit dhe u zbatua dhe rezultatet që ajo po jep, do japë në të ardhmen dhe pasojat katastrofike që do ketë jo vetëm për sistemin e drejtësië por për qeverisjen në tërësi janë dhe duhet të jenë objekt i analizave dhe diksutimeve të shumta dhe për një kohë të gjatë, por unë në këto mendime të shkurtra do të ndalem në një element shumë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë penale në raport me qytetarin: Aksesin në Drejtësi.  Aksesi në Drejtësi ose e drejta për të dëgjuar dhe gjykuar nga një Gjykatë e pavarur, e paanshme dhe e krijuar me ligj përbën një nga të drejtat kryesore themelore të njeriut e parashikuar dhe e garantuar nga Kushtetura, neni 42, dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, neni 6.

Aksesi në Drejtësinë Penale përbëhet nga dy elemetë të rëndësishëm:

Së pari elememti procedurial, pra që Kodi i Procedurës Penale të parashikojë detyrimin e Gjykatës që të njoftojë dhe thërrase individin në një proces penal dhe të drejtën e tij që të gjykohet në një seancë gjyqësore publike, të marrë pjesë dhe të dëgjohet nga gjykata. Së dyti elementi përmbajtësor se si gjykata jo vetëm zhvillon gjyqin në prezencë të individit po sa i dëgjon me kujdes pretendimet e tij dhe i merr në konsideratë në vendimmarrje.

 

Edhe tellallët dhe “sorrat”më të devotshme të reformës në drejtësi nuk e kanë vënë në diskutim faktin që sistemi ynë i drejtësisë penale nga pikëpamja proceduriale i krijonte akses të plotë individit në drejtësinë penale. Sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale të gjitha seancat gjyqësore, që kishin të bënin jo vetëm me gjykimin e themelit të çëshjes, por edhe të gjitha kërkesat e tjera gjatë hetimit dhe gjykimit penal, si dhe në gjitha shkallët gjyqësore, ishin publike si dhe ishte e detyrueshme të zhvilloheshin me praninë e prokurorit, të pandehurit dhe viktimës ose mbrojtësve të tyre.  Efektiviteti në praktikë i realizmit të kësaj të drejte është çështje që gjithnjë ka diskutim dhe ka nevojë për përmirësim.

Parlamenti i reformatorëve në mars të këtij viti me Ligjin nr. 41 ndryshoi Kodin e Procedurës Penale me të vetmin qëllim: kufizimin ose heqjen e Aksesit në Drejtësinë Penale të qytetarit.

Çfarë ndodhi me Reformën dhe reformatorët e drejtësisë lidhur me këtë të drejtë?

Shkatërrimi plotësisht i “sistemit të vjetër” të drejtësisë dhe ndërtimi i të riut preku edhe Kodin e Procedurës Penale. Në përshtatje me ngrehinën e re u bënë shumë ndryshime në vitin 2017. Por reformatorët nuk guxuan të prekin asnjë prej elemetëve që kanë të bëjnë me Aksesin e Qytetarit në Drejtësi.  Por nuk kaluan më shumë se dy-tre vjet nga zbatimi i drejtësë së re dhe reformatorët po bezdiseshin nga disa të “drejta të tepruara” që kishin qytetarët gjatë hetimit dhe gjykimit të një çëshje penale. “Ata”, sipas ligjit, në shumë raste kishin të drejtë të bënin kërkesa në Prokurori si dhe të kundërshtonin në gjykatë vendimarrjet e saj. Gjykatat e të gjitha shkallëve ishin të detyruara të shqyrtonin ankimet në seancë gjyqësore publike me praninë e palës apo mbrojtësit të saj. Pavarësisht tendencës dhe mundësisë për të kontrolluar vendimarrjen e institucioneve të drejtësisë zhvillimi i seancave publike me praninë e palës në shumë raste e vendos gjykatën para situatave faktike dhe ligjore të tilla që është e detyruar të marri vendime pro qytetarit. Ndodhur në këto kushte Parlamenti i reformatorëve në mars të këtij viti me Ligjin nr. 41 ndryshoi Kodin e Procedurës Penal me të vetmin qëllim kufizimin ose heqjen e Aksesit në Drejtësinë Penale të qytetarit. Asnjë diskutim publik nuk u zhvillua, asnjë zë profesional nuk u lejua të shprehej, asnjë grup interesi nuk u pyet, tellallët dhe “sorrat” e reformës nuk u dëgjuan gjëkundi. Këto ndryshime shpikën dhe futën një koncept që është i papranueshëm për gjykimet penale: Vendimarrjen e Gjykatës në Dhomën e Këshillimit. Tashmë shumë vendimarrje gjatë gjykimeve penale nuk merren në seancë gjyqësore publike dhe me praninë e palëve, por në Dhomë Këshillimi.

Kallëzimet

Para ndryshimeve në rast se qytetari bënte një kallëzim në Prokurori dhe kjo e fundit vendoste mosfillimin e procedimit penal kishte të drejtën e ankimit në Gjykatën e Shkallës së Parë. Gjykata ishte e detyruar që ankimin të shqyrtonte në seancë gjyqësore publike, me praninë e kallëzuesit ose mbrojtësit të tij dhe prokurorit duke dëgjuar pretendimet e palëve. Me ndryshimet e marsit 2021 tashmë gjykata këtë lloj gjykimi nuk e zhvillon në seancë publike, por në Dhomë Këshillimi.  Në rast se individi e ankimon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit edhe kjo e fundit e shqyrton në Dhomë Këshillimi pra pa zhvilluar seancë gjyqësore publike me palët prezent. Të njëjtën ndryshim bën edhe për gjykimin në Gjykatën e Lartë në rast se individi kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit.

-Para marsit të vitit 2021 ankimi shqyrtohej nga gjykata në seancë gjyqësore me prezencën e viktimës dhe prokurorit dhe vendoste pasi dëgjonte palët

-Me ndryshimet e 2021 këto kërkesa shqyrtohen dhe merret vendim vetëm në Dhomë Këshillimi si nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit.

Sipas këtyre ndryshimeve në rastet kur qytetari bën një kallëzim dhe prokuroria vlerëson të mos e thërresë dhe dëgjojë qytetarin pasi e konsideron të panevojshme dhe vendos mosfillimin e procedimit penal ky vendim mund lihet në fuqi nga Gykatat e tre shkallëve në Dhomë Këshillimi në rast se vlerësojnë se duhet rrëzuar ankimi i qytetarit. Në këto kushte qytetari edhe nga pikpamja formale ka humbur plotësisht të drejtën për t’u dëgjuar nga prokurori ose gjyqtari lidhur me pretendimet e tij. Ndërkohë që specialistët e të drejtës penale e kuptojnë rëndësinë e madhe që ka një vendim mosfillimit në procesin penal. Hyn në kategorinë e vendimeve përfundimtare që zgjidh çëshjen penale në themel. Pra në fund të këtij porocesi penal, shqyrtuar vetëm në Dhoma Këshillimi, qytetari humbet plotësisht të drejtën që ti paraqitë përsëri pretendimet që kishte në kallzim para Prokurorisë ose Gjykatës pa u dëgjuar asnjëhere. Në këtë mënyrë i është kufizuar masimalisht, pothuajse e ka humbur, aksesin në drejtësinë penale. Pra  nuk ka mundësi që të dëgjohet nga një autoritet publik për pretendimet e tij. Të njëjtin ndryshim kanë bërë reformatorët edhe lidhur me shqyrtimin e ankimit të viktimës të veprës penale kundër vendimit të prokurorit që nuk pranon kërkesën për sigurimin e provës, që nënkupton faktin që ai duhet të pyetet para Gjykatës për faktet penale sa më shpejt për shkak se ndjehet i kërcënuar nga autori i veprës penale. Para marsit të vitit 2021 ky ankim shqyrtohej nga gjykata në seancë gjyqësore me prezencën e viktimës dhe prokurorit dhe vendoste, pasi dëgjonte palët, të cilat mund të ankoheshin në Gjykatën e Apelit, e cila përsëri e shqyrtonte në seancë gjyqësore publike me palët prezent. Me ndryshimet e 2021 këto kërkesa shqyrtohen dhe merret vendim vetëm në Dhomë Këshillimi si nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit.

Zgjatjet e hetimeve shpesh në mënyrë të pajustifikuar rëndojnë pozitën e personave që hetohen në veçanti në rastet kur hetimet kryhen me masën e sigurisë arrestit në burg. Ankimi i të pandehurit kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve shqyrtohej nga gjykata në seancë gjyqësore publike ku ishte e detyrueshme thirrja dhe dëgjimi i të pandehurit ose mbrojtësit të tij  dhe prokurorit, para se gjykata të vendoste. Me ndryshimet e 2021 ky ankim shqyrtohet dhe merret vendim në Dhomë Këshillimi pa u njoftuar dhe dëgjuar palët. I njëjti ndryshim edhe për ankimin kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.  Gjykata e Apelit e shqyrton ankimin në Dhomë Këshillimi. Dhe ajo që i vë kapakun kufizimit të aksesit të pandehurit dhe viktimës së veprës penale, pra qytetarit, në procesin penal, është edhe shqyrtimi i Rekursit në Gjykatën e Lartë. Para ndryshimeve të vitit 2021 bëhej në seancë gjyqësore publike me njoftimin e të pandehurit, viktimës si dhe pjesëmarrjen e mbrojtëve të tyre.  Pas ndryshimeve të 2021 shqyrtimi i Rekursit bëhet vetëm në dhomë këshillimi. Por nëse në tre rastet e mësipërme kishim të bënim me kërkesa shumë të rëndësishme penale, por gjithsesi të lidhura me fazën e hetimit të një procedimi penal, ndryshimet lidhur me shqyrtimin e Rekursit në Gjykatën e Lartë kanë të bëjnë me zgjidhjen në themel të një çëshjes penale, pra kur vendoset nëse vendimi i dënimit ose jo është i drejtë ose jo.  Dhe tashmë i pandehuri dhe viktima e procesit penal nuk kanë të drejtë të jenë të pranishëm vetë ose nëpërmjet mbrojtësve dhe të dëgjohen e mbrohen para se të jepet vendimi përfundimtar në ngarkim të tyre. Ligjvënësi është kujdesur të shtojë dhe një dispozitë të re ku e rregullon në mënyrë të detajuar gjykimin në dhomë këshillimi me qëllim që shqyrtimi gjyqësor këtu të mos jetë sa për të kaluar radhën. Ai detyron Gjykatën e Shkallës së Parë, Apelit apo të Lartë që të mbajë procesverbal gjatë shqyrtimit në Dhomë Këshillimi, dmth ta dokumentojnë veprimin dhe vendimarrjen. Nuk ka parashikuar asnjë detyrim, që kjo seancë, meditimi ose bashkëbisedimi e gjyqtarëve, të regjistrohet audio.  Ndërkohë që gjatë gjykimit në seancë gjyqësore veç procesverbalit seanca regjistrohej edhe audio dhe palët kishin mundësi edhe ta ridëgjonin gjykimin. Tashmë s’ka as regjistrim vetëm një procesverbal, që shkruhet nga gjyqtarët që gjykojnë në dhomën e “muhabetit”. Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale të marsit të vitit 2021 kanë sjellë një regres të jashtëzakonshëm në aspektin e mbrotjes të të drejtave të të pandehurit dhe viktimës në procesin penal në disa aspektë ku Aksesi në Drejtësi është themelor, por edhe të tjera si ato që kanë të bëjnë me trupin gjykues, që do të jenë objekt i analizave të tjera.