Flamur Gjuzi/ Premtimi i “Rilindjes” për “Urbanizim dhe Legalizim” po bëhet realitet

908
Kreu i ALUIZNI Durrës, në një intervistë për Gazetën “Telegraf”, flet për arritjet e këtij institucioni, të cilat janë një tregues i mirë i suksesit të kësaj qeverie, mbështetur në realizimin e premtimeve që ajo ka bërë. Gjuzi tregon për punën e vështirë, por jo të pamundur nga ana e punonjësve të ALUIZNI Durrës, për t’iu rikthyer qytetarëve të Durrësit shërbimin e munguar prej kohësh dhe besimin se brenda mandatit të qeverisë së “Rilindjes”, qytetarët që kanë bërë shtesa, por edhe ata që kanë kryer ndërtime në zonat informale do të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm teknik dhe ligjor. 
Z. Flamur Gjuzi!
Kaluan tashmë dy vite nga dita kur ju ndatë për qytetarët 100 lejet e para të legalizimit. Sot pas dy vitesh që keni arritur në shifrën e 15. 000 lejeve të legalizimit, ç`mund të na thoni?
Më është bërë zakon që në çdo kontakt timin me median, të falënderoj të gjitha mediat në Shqipëri dhe veçanërisht edhe median që ju përfaqësoni, për bashkëpunimin e madh që kanë patur në këto dy vite me ALUIZNI Durrës për të përcjellë në kohë reale të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në kuadrin ligjor të legalizimeve, impaktin e drejtpërdrejtë që kanë patur këto ndryshime në procesin e legalizimeve. I falënderoj korrespondentët tuaj që kanë përcjellë në popullsinë e Qarkut Durrës komunikimet e rëndësishme që ALUIZNI Durrës ka adresuar në drejtim të tyre për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Nëpërmjet mediave procesi është bërë shumë më transparent. Sa i përket pyetjes tuaj. Në fillim të muajit Prill 2014, ALUIZNI Durrës shpërndau për qytetarët e Durrësit 100 lejet e para të legalizimit. Në pamje të parë mund të dukej shifër modeste, por pamundësia asokohe për të lëshuar më shumë leje legalizimi derivoi pikërisht nga situata në të cilën e gjetëm institucionin. ALUIZNI u trashëgua me shumë problematika të mbartura si: dosje të pa tërhequra, mungesa dokumentacioni, objekte të papërditësuara në terren e të tjera si këto e në fakt nuk të përqendrohem tek këto problematika pasi janë të tejkaluara tashmë falë punës së palodhur disa mujore të stafit që unë drejtoj. Kështu ALUIZNI Durrës tërhoqi nga ish-bashkitë dhe ish-komunat e kohës rreth 18. 000 dosje të ndërtimeve informale të cilat duhet të qëndronin në arshivën e aluiznit dhe jo nëpër zyrat e tjera, inventarizuam të gjitha dosjet, si ato të cilat u gjendën të hedhura në arkiv ashtu edhe dosjet që u tërhoqën nga bashkitë dhe komunat, filluam krehjen e terrenit si për të matur objektet e pamatura më parë, ashtu edhe për të verifikuar objektet e matura të cilat ndër vite kishin pësuar ndryshime në strukturë e volum pikërisht për shkak të mosfunksionimit të ALUZINI në kohë reale. U deshën rreth 6 muaj punë intensive orar pa orar vetëm që ta sillnim institucionin në kushte normale për të ushtruar aktivitetin dhe për t`u ofruar qytetarëve shërbimet e munguara prej muajsh. Në këto kushte është e qartë që shifra e 100 lejeve të para të legalizimit edhe pse një shifër modeste, shënoi një fillim të procesit të legalizimit, si për sa i përket shifrës së legalizimeve, por mbi të gjitha duke i dhënë procesit një tjetër frymë atë të bashkëpunimit të ngushtë qytetar – ALUIZNI. Prilli i vitit 2014 ka qenë një ogur i bardhë për ALUZINI Durrës sepse vetëm në dy vite ALUIZNI Durrës ka pajisur me lejen e legalizimit plot 15. 000 qytetarë ose e thënë ndryshe shtatë herë më shumë se 2400 lejet e dhëna në 8 vjet nga 2005 – Shtator 2013. 
Që nga Shtatori 2013 deri më sot janë bërë një sërë ndryshimesh në legjislacionin e legalizimeve. Sa kanë ndikuar këto ndryshime, çfarë impakti kanë sjellë në realizimin e procesit dhe si janë pritur ato nga qytetarët e Qarkut Durrës?
Sigurisht që ALUIZNI Durrës nuk do të mundej të arrinte këtë rezultat, pa mbështetjen e madhe të kësaj Maxhorance Qeverisëse, e cila nëpërmjet Iniciativave të saj ligjore nga më socialet të hartuara ndonjëherë, i dha ritëm dhe rezultat procesit të legalizimit. Në këtë proces të gjitha Drejtoritë Rajonale të ALUIZNI –t, nëpërmjet informimit të Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI – t mbi problematikat që hasnin nga aplikimi i bazës fillestare ligjore, kanë qenë faktorë në ndërmarrjen e iniciativave ligjore, me qëllim përmirësimin dhe lehtësimin e procesit. Në këtë vështrim, ALUIZNI Durrës ka qenë një nga drejtoritë me peshën kryesore në këtë proces, pasi ka qenë drejtoria jonë ajo që ka përcjellë pranë Drejtorisë së Përgjithshme problematikat kryesore të hasura në Qarkun Durrës. Aktualisht mund t`ju them se së fundi, ALUIZNI Durrës ka përcjellë pranë Drejtorisë së Përgjithshme dy propozime të reja:
– Propozimin për rishikimin e kriterit të zonifikimit arkeologjik “B”, 
– Propozimin tjetër për përfshirjen në kontingjentin e përfituesve të lehtësirave financiare edhe të personave me sindromën down, autikë, skizofrenisë, si edhe personave me sëmundje të ndryshme mendore. 
Dua personalisht të falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm z. Artan Lame, i cili ka qenë personi më i angazhuar dhe në krye të gjithë zinxhirit të iniciativave ligjore të propozuara dhe të miratuara deri sot. Pa mbështetjen dhe pa investimin e tij personalisht, por edhe të stafit që ai drejton, mendoj se implementimi i procesit do të ishte goxha i vështirë dhe rezultatet nuk do të ishin këto që janë sot. 
Si po shkon procesi i shpërndarjes së faturave? Sa fatura janë shpërndarë në tremujorin e parë të 2016?
Procesi po shkon shumë mirë. Deri tani, vetëm për muajin shkurt janë arkëtuar rreth 1. 000. 000 euro. 
A ka filluar aplikimi i regjistrimit në ZVRPP me shënimin “barrë hipotekore”. Sa objekte keni çuar me këtë shënim? A ka patur impakt tek qytetarët kjo procedurë e sapo nisur? Po për objektet e kombinuara apo aktivitet do të zbatohet i njëjti rregull?
Në bazë të nenit 30 të ligjit të legalizimit ka filluar aplikimi i regjistrimit me barrë hipotekore për ato familje të cilat nuk kanë mundësi të paguajnë për banesat e tyre. Duhet theksuar që në bazë të ligjit të legalizimeve, regjistrimi me barrë hipotekore aplikohet në rast se objekti është banesë. Ndërsa objektet me funksion aktivitet duhet të paguajnë sepse për shkak të vetë funksionit aktivitet, është e kuptueshme që familjet nuk ndodhen në kushtet e pamundësisë paguese. Në këto raste në bazë të VKM nr. 280 datë 1. 4. 2015, në rast se subjekti aplikues brenda 6 muajve nga data e njoftimit nga aluizni nuk plotëson dokumentacionin pjesë përbërëse e të cilit është edhe likuidimi i faturave, atëherë ALUIZNI ka detyrimin të njoftojë Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit, për veprim sipas kompetencës së tyre. Por dua të theksoj që dërgimi i praktikave të para me barrë hipotekore ka dhënë impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët. Ata e kanë kuptuar që është në leverdinë e tyre të kryejnë pagesat brenda afateve sepse vetëm kështu kanë mundësi të përfitojnë zbritjet të cilat shkojnë minimumi 1. 000. 000 lekë të vjetra. 
Po regjistrimi i lejeve të legalizimit vetëm për ndërtimet përpara miratimit të parcelës ndërtimore me VKM, a ka filluar të aplikohet? Sa objekte të tilla janë regjistruar?
Ka filluar gjithashtu edhe regjistrimi i lejeve të legalizimit vetëm për ndërtimet pa marrëdhënie pronësie me parcelën ndërtimore (truallin). Deri më tani janë regjistruar 1500 ndërtime. 
Po bashkëpunimi me ZVRPP, si po shkon?
Bashkëpunimi me ZVRPP deri tani po shkon shumë mirë. Në kuadrin e bashkëpunimit ndërinstitucional nga ana ime si titullar i ALUZINI Durrës dhe titullarëve të ZVRPP Durrës e Krujë, po shikohet mundësia e krijimit pranë ambienteve të hipotekave Durrës e Krujë të një zyre të posaçme me specialistë të përbashkët të ALUIZNI dhe ZVRPP. Për këtë qëllim, ne tre drejtuesit kemi zhvilluar edhe një takim pranë ambienteve të ALUZINI Durrës, takim i cili u pasqyrua edhe nga media e shkruar dhe ajo vizive. Ne jemi të bindur se krijimi i kësaj zyre do të krijojë shumë lehtësira si në marrjen e statuseve juridike, në ballafaqimin e hartave të institucioneve respektive, po ashtu edhe në përfundimin e procedurave të regjistrimit të pasurive të legalizuara dhe dhënien qytetarëve të dokumentit final atë të certifikatës së pronësisë. Duket se jemi në rrugë të mbarë dhe në ditët në vijim projekti ynë do të fillojë të zbatohet. 
Sigal