Fjalimi i Bashës: Duam një të ardhme dinjitoze që na bën krenarë për vendin tonë (i plotë)

500
Të dashur bashkëqytetarë,
Vëllezër dhe motra,
Nga Tirana dhe nga gjithë Shqipëria, shqiptarë të ndershëm, shqiptarë të lirë, bashkimi më i madh popullor që ka njohur ndonjëherë ky vend, është derdhur sot këtu në këtë shesh, sheshin e lirisë, sheshin e protestës, sheshin e vendimit të madh për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.
Mirë se vini! 
Ne jemi mbledhur sot këtu, ju keni ardhur sot këtu, sepse kjo qeveri e ka çuar vendin në mjerim, në varfëri dhe kaos, dhe tani që ju ka vjedhur gjithçka nga xhepat dhe shtëpitë tuaja, do t’ju vjedhë edhe zgjedhjet.
Ju të gjithë e dini mirë këtë.
Ju, ne jemi mbledhur sot këtu për të thënë: Boll më! Boll kemi duruar ato që durojmë përditë që kur erdhën këta në pushtet.
Sot, ne nisim rrugëtimin drejt një fillimi të ri për të cilën vendi ka kaq shumë nevojë, për të cilin ka nevojë kaq shumë çdo shqiptarë, për të cilin ka nevojë çdo fëmijë, i ri dhe e re.
Sot jemi këtu për ta shpallur këtë vendim me zë të lartë: Po, duam zgjedhje të lira dhe të ndershme!
Duam ndarjen e politikës nga krimi!
Duam dinjitet!
Duam drejtësi!
Duam punë!
Duam ta vëmë interesin e njerëzve të thjeshtë të parin!
Duam një të ardhme dinjitoze që na bën krenarë për vendin tonë!
Duam shpresën, shpresën që po lind, nga ky bashkim më i madhi në historinë e shqiptarëve.
Sot jemi të bashkuar në këtë shesh sepse nuk e pranojmë dot më këtë gjendje; jemi të bashkuar sepse kemi besim se mund të ndërtojmë një jetë dinjitoze; jemi të bashkuar nga alarmi kombëtar dhe ndërkombëtar se pushteti i korruptuar dhe kriminelët duan të vjedhin zgjedhjet e ardhshme.
Sot jemi bashkuar për të marrë një vendim të madh, vendimin për të ndalur një herë e mirë maskaradën e grabitjes se zgjedhjeve.
Ose do të bëjmë zgjedhje të lira ose zgjedhje nuk do të ketë.
Rrugë të mesme nuk ka. Rrugë tjetër nuk ka.
Zgjedhjet për fasadë, zgjedhjet e njollosura nuk do t’i pranojmë.
Zgjedhjet e standardeve të krimit në vend të standardeve të Europës nuk do t’i pranojmë.
Zgjedhje me kriminelë të veshur me pushtet nuk do t’i pranojmë.
Zgjedhje që shtrembërojnë vullnetin tuaj, vullnetin e shqiptarëve nuk do të ketë më në Shqipëri. 
Partia Demokratike lindi në rrugë dhe në sheshe, me ju popullin në krah.
Partia Demokratike lindi sepse e deshët ju, qytetarët e këtij vendi.
27 vite më parë, shqiptarët kishin nevojë për një lëvizje të madhe demokratike.
Sot, ne prapë kemi nevojë për një lëvizje të madhe kombëtare dhe demokratike.
Kjo qeveri palaçosh ka dështuar! Ju e dini këtë!
Kjo mazhorancë është një dështim total! Ju e vuani këtë!
Ky kryeministër është turpi i vendit! Ju e shihni këtë!
Sot, ne nisim kthimin e Shqipërisë, sot ne nisim kthimin e vendit tonë në rrugën e sigurtë drejt të ardhmes.
Unë jam këtu, me ju, sepse dua që ju, njerëzit e lirë, shqiptarët e lirë, të jeni të parët për qeverinë e re që duam të kemi për Shqipërinë tonë.
Unë dua që ju, të jeni krenarë për vendin tuaj.
Unë dua që ju të jeni e të ndiheni të sigurtë.
Unë dua që ju të jeni e të ndiheni të mbrojtur.
Të mbrojtur nga arroganca.
Të mbrojtur nga padrejtësia.
Të mbrojtur nga varfëria.
Të mbrojtur nga korrupsioni dhe krimi.
Të mbrojtur nga propaganda.
Të mbrojtur nga ky sistem i pashpirt e i padrejtë.
Po, jam sot këtu sepse dua t’ju mbroj nga politika që i shërben krimit dhe jo ju. Politikanët e lidhur me krimin po e shkatërrojnë vendin. Ata po ju shkatërrojnë jetën.
Droga nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Korrupsioni nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Krimi i organizuar nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Papunësia nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Varfëria nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Emigrimi nuk është e ardhmja e Shqipërisë.
Kjo qeveri nuk është e ardhmja e Shqipërisë!
Bashkëqytetarët e mi, Shqipëria po shkatërrohet.
Shqipëria po shkatërrohet sepse ky sistem nuk punon.
Shqipëria po shkatërrohet sepse kjo qeveri nuk punon për njerëzit.
Ata punojnë vetëm për veten e tyre, vetëm për xhepat e tyre.
Ata dështuan për të sjellin një jetë më të mirë për shqiptarët.
Një grusht pushtetarësh dhe kriminelësh, po gëzojnë gjithçka, ndërsa shqiptarët po marrin rrugët e botës.
Shqipëria është bërë sot hambar i krimit dhe i drogës.
Ata dështuan dhe mashtruan me 300 mijë vendet e punës.
Ata dështuan dhe mashtruan me shëndetësinë falas.
Ata dështuan me demokracinë e vërtetë.
Dështuan me lirinë e vërtetë.
Si mund të jenë të lirë njerëzit kur kanë frikë për të nesërmen?
Frikë për të ardhmen e fëmijëve.
Frikë për shëndetin.
Frikë se do humbasin ose nuk do e gjejnë kurrë një vend pune.
Frikë nga taksidari që u vjen tek biznesi dhe ua mbyll.
Frikë nga kriminelët e veshur me pushtet.
Frikë për të votuar të lirë.
Frikë se do t’ju duhet të lënë shtëpitë e tyre, për të nisur një jetë të vështirë, plot të panjohura në emigracion.
Kjo qeverisje ka detyruar 300 mijë shqiptarë të braktisin vendin, kjo duhet të marrë fund!
Ne kemi qenë në pushtet dhe kemi qeverisur. E dimë sa e vështirë është. E dimë që duhet kurajo, për të marrë vendimin e duhur, çdo ditë.
Ne u përpoqëm ta përmirësojmë jetën për njerëzit. Në fakt ne e bëmë këtë.
Ne e vendosëm Shqipërinë në vëmendjen ndërkombëtare, e futëm në NATO, hoqëm vizat. Ne punuam fort për ruajtur vlerat tona, lirinë, taksat e ulëta, investimet madhore në infrastrukturë.
Ne punuam për të mirën e vendit tonë.
A bëmë mjaftueshëm? Jo.
Por a e shkretuam vendin kështu? A lamë fatin tuaj në dorë të krimit dhe kriminelëve? Jo.
A jemi ne ndryshe nga këta? Po!
Sot, dua të ndaj diçka me ju dhe mendoj se ka ardhur koha ta dëgjoni.
Unë jam gati!
Jam gati, t’ju udhëheq në rrugën që na nxjerr nga ky kaos- drejt së ardhmes.
Jam gati të ndërtoj me ju, për ju, një shoqëri të re, një vend të ri, një të ardhme të re për çdo shqiptar të ndershëm.
Po, jam gati. Sot, më shumë se kurrë.
Tani, kam një pyetje të thjeshtë për ju, për ju qindra, mijëra shqiptarë në këtë bashkim më të madhin popullor në histori dhe për shqiptarët anembanë vendit:
A jeni gati të luftojmë bashkë?
Të luftojmë bashkë për Shqipërinë?
Të ngrihemi bashkë për zgjedhje të lira?
Për të shporrur qeverinë e krimit, për të shporruor qeverinë e korrupsionit.
Bashkë për një qeveri të njerëzve? Bashkë për një qeveri të qytetarëve?
Le të nisim sot, jo nesër. Sot, sot, sot, lëvizjen e madhe kombëtare dhe demokratike për të cilën Shqipëria ka kaq shumë nevojë.
Sot, qëndroj këtu bashkë me ju për t’ju dhënë fjalën se do të punoj pa pushim për të përmbushur aspiratën tonë të përbashkët që gjithsecili prej jush të bëjë realitet ëndrrën e tij për një jetë më të mirë për veten tuaj dhe për familjen tuaj.
Sot është dita kur nisim marshimin drejt këtij qëllimi!
Ky qëllim është më i madh se gjithsecili prej nesh.
Më i madh se qëllimet e një partie politike.
Më i madh edhe se qëllimet e koalicionit tonë.
Shumë më i madh se rrotacioni politik i radhës nga e kuqe ne blu, apo nga blu në të kuqe.
Sepse ka të bëjë me vendin tonë.
Sepse ka të bëjë me njerëzit tanë.
Ka të bëjë me të ardhmen tonë.
Ka të bëjë me vendimin që ne vetë, ne vetë, dhe askush tjetër të mos vendosë për fatin tonë!
Miqtë e mi, gjithçka në jetë varet nga vendimet që ne marrim.
Sot, bashkë do ta marrim një vendim të madh!
Ky vendim është në dorën tuaj.
Kjo që po ndodh në Shqipëri nuk është fatalitet i pashmangshëm.
Ju, njerëzit e thjeshtë të këtij vendi, e keni shkruar njëherë historinë.
Unë e mbaj mend si të ishte dje, 8 dhjetorin 1990, atë ditë ne morëm një vendim, vendimin se nuk mund të vazhdonim më si më parë.
Vendimin për tu ngritur kundër krimit dhe tiranisë shtetërore, vendimin për të zgjedhur lirinë!
Sot unë dua që ju, të gjithë bashkë, të marrim një vendim tjetër të madh.
Thellë brenda vetes, e dimë se kështu nuk mund të vazhdojmë më.
Sot, ne vendosim:
Ose vendi do vazhdojë kështu, dhe ne do të zhytemi përditë e më shumë në varfëri dhe kaos;
Ose ne, do të hapim një derë të re drejt të ardhmes, një derë që na çon në një fillim të ri për vendin tonë, mundësi të reja për një jetë më të mirë.
Ky është një vendim i madh, sepse është një vendim i vështirë.
Ky vendim kërkon nga të gjithë ne këtu në këtë shesh dhe anembanë Shqipërisë të zgjedhim mes frikës ose kurajos, mes indiferencës ose përgjegjësisë, mes oportunizmit ose sakrificës.
Unë kam vendosur të zgjedh kurajon !
Unë kam vendosur të zgjedh përgjegjësinë!
Unë kam vendosur të zgjedh sakrificën!
Ka ardhur koha miqtë e mi.
Ka ardhur koha të marrim vendimin e madh.
Vendimin për të bërë realitet ëndrrat tona.
Vendimin për t’u ngritur bashkë!
Vendimin për të vrarë frikën dhe për të zgjuar shpresën për të cilën Shqipëria sot ka nevojë.
Vendimin për të caktuar vetë fatin e fëmijëve tanë.
Vendimin për të shpallur se ky vend i lashtë ka çfarë t’i ofrojë popullit të vet, ka çfarë t’i ofrojë Europës.
Vendimin për të vënë punën e ndershme, mirëqenien, demokracinë e vërtetë, në themelet e reja të Shqipërisë.
Vendimin, miqtë e mi, për të bashkuar, për të bindur, të gjithë ata që e duan Shqipërinë me zemër.
Vendimin për të dekriminalizuar shtetin, vendimin për të zhdukur ekonominë e drogës, vendimin për t’u kthyer njerëzve fuqinë ekonomike, vendimin për t’iu kthyer njerëzve pushtetin.
Ne do të qëndrojmë këtu në këtë shesh derisa të sigurojmë njëherë e mirë zgjedhje të lira e të ndershme.
Ne do të qëndrojmë në këtë shesh, dhe nuk do të lejojmë zgjedhje fasadë me këtë qeveri të kapur nga droga dhe krimi.
Unë do të qëndroj këtu në shesh. Ju ftoj të gjithëve të qëndrojmë së bashku!
Të qëndrojmë së bashku për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat vijnë vetëm përmes shporrjes së qeverisë së krimit dhe një qeverie teknike të zgjedhjeve të lira.
Ky është vendimi im.
A është ky vendimi i të gjithëve këtu sot?
Miqtë e mi,
Fitorja është në zemrën e gjithsecilit prej jush!
Kjo do të jetë fitorja më e bukur sepse do të jetë fitorja juaj!
Ne ngrihemi bashkë,
Ne fitojmë bashkë,
Shqipëria fiton me ne!
Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Sigal