Firmoset partneriteti me SHBA Kerry: Ju mbështesim për në BE

443
Kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati ka nënshkruar sot me zëvendës sekretaren amerikane të Shtetit Victoria Nuland një deklaratë të përbashkët për partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Ministri Bushati gjatë intervistës për Zërin e Amerikës foli për nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit strategjik SHBA- Shqipëri, në Uashington, duke theksuar se në themb është bashkëpunimi strategjik me Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe rritja e rolit të Ballkanit në sfidat ndërkombëtare, me të cilat përballet edhe Evropa.
Para firmosjes së marrëveshjes, ministri Bushati zhvilloi edhe një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry. Ky i fundit pas takimit me kryediplomatin shqiptar garantoi mbështetjen e SHBA-ve për anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE. 
“Ne e mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ata janë në rrugën për të bërë gjërat e nevojshme për këtë anëtarësim.”- tha Kerry. 
Në takimin me ministrin Bushati, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se, “Shqipëria është një mike dhe partnere e fortë e NATO-s. Veç kësaj, ajo është e përfshirë thellësisht për të punuar me SHBA dhe me partnerët e tyre në një numër frontesh të ndryshme”.
Kerry: Shqipëria mikpritëse e samitit kundër terrorizmit
Sekretari i Shtetit amerikan, John Kerry shprehu gjithashtu kënaqësinë që në Shqipëri do të zhvillohet edhe samiti i radhës për luftën kundër terrorizmit. 
“Ne jemi gjithashtu të kënaqur që Shqipëria ka rënë dakord të bëhet mikpritëse e takimit ministerial për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kjo ka rëndësi për të gjithë, duke patur parasysh njoftimet lidhur me aktet në të cilat është angazhuar ISIS.”- tha Kerry.
Deklarata e Sekretarit të Shtetit John Kerry në takimin me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati
“Shqipëria është një mike dhe partnere e fortë e NATO-s. Ajo bashkëpunon ngushtë me SHBA dhe me partnerët e tyre në një numër frontesh të ndryshme. Sot do të kemi kënaqësinë të nënshkruajmë marrëveshjen SHBA-Shqipëri për partneritetin strategjik, që është një përpjekje për të bashkëpunuar më plotësisht për interesin tonë të përbashkët lidhur me luftën kundër terrorizmit, për sigurinë në rajon, kundër ISIS dhe nisma të tjera. Vitin e kaluar në Uells, pata rastin të takohem me Kryeministrin Edi Rama, ku ne diskutuam për shumë nga këto probleme dhe sot ne do ta vazhdojmë këtë diskutim. Shqipëria ka ndihmuar shumë në transferimin e njerëzve të grupit të rezistencës iraniane MEK dhe në çështje të tjera. Ne e mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ata janë në rrugën për të bërë gjërat e nevojshme për këtë anëtarësim. Ne jemi gjithashtu të kënaqur që Shqipëria ka rënë dakord të bëhet mikpritëse e takimit ministerial për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kjo ka rëndësi për të gjithë, duke patur parasysh njoftimet lidhur me aktet në të cilat është angazhuar ISIS. Ne po punojmë gjithashtu në përpjekjet e përgjithshme rajonale lidhur me luftën kundër ISIS dhe bashkëpunimi i Shqipërisë si anëtare e koalicionit ka qenë absolutisht i rëndësishëm”.
Ministri Bushati vizitë dyditore në SHBA
Shefi i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati e ka nisur vizitën në SHBA me përurimin e rikonstruksionit të selisë së Ambasadës sonë atje, prej vitesh në degradim. Ditmir Bushati preu shiritin e përurimit të ambienteve të reja të Ambasadës, një vit pas zotimit për rikonstruksionin e saj.
Ambientet e reja të Ambasadës, u përuruan me praninë e përfaqësuesve të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të institucioneve kryesore, diplomatëve kryesorë e përfaqësues të diasporës. Për Ditmir Bushatin, përmirësimi i kushteve të përfaqësimit në Uashington është një shenjë e qartë përgjegjësie si dhe një dëshmi konkrete e angazhimit ndaj aleatit strategjik.
Sigal