Festimet në 90-vjetorin e Kardinal Troshanit dhe pjesëmarrja e Metës, jehonë në mediat italiane

346
Sigal

Festimet e organizuar dje në Firence me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Kardinal Ernest Simoni Troshani dhe pjesëmarrjen në to të Presidentit Ilir Meta kanë gjetur jehonë në disa nga mediat kryesore italiane.

Prestigjozja italiane “La Repubblica” i ka kushtuar një artikull të veçantë këtyre ceremonive dhe veçanërisht edhe urimit special që Papa Françesku i bëri dje Kardinal Troshanit, mesazh i cili u lexua nga Kryeipeshkvi i Firences, Giuseppe Betori në meshën e organizuar për gjithë shenjtorët, ku merrte pjesë Presidenti Meta, Kryetari i Bashkisë, Dario Nardella dhe autoritete vendore.

“Vatican News” gjithshtu ka publikuar një shkrim lidhur me ceremonitë e festimeve për 90-vjetorin e lindjes së Kardinal Troshanit duke kujtuar, me këtë rast, kalvarin e vuajtjeve, qëndresën dhe dëshminë e tij dhe të gjithë klerit shqiptar nën diktaturën komuniste.

Gjithashtu një numër i konsiderueshëm portalesh lokale informative në Firence kanë pasqyruar aktivitetet e organizuara dje për nder të Kardinalit Troshani.