Fermerët në Lushnje hedhin prodhimet në kanal: Nuk ka treg!

618
Carli Stopani nga fshati Stan Karbunar i Lushnjes, pas kthimit nga emigracioni nuk gjeti dot punë, ndaj çdo ditë del të shesë perime në rrugë. Por si ai ka shumë fermerë që kanë mbjellë presh e në fund të një dite të lodhshme, perimet që nuk i ka shitur dot as me 20 lekë kilogrami, i hedh në kanal. “Nuk ka treg me asnjë lloj produkti. E dimë që jemi burim aksidenti, por s’kemi ç’bëjmë, rrimë në rrugë”, thotë Stopani. Kujtim Çela nga fshati Qerret thotë se ka mbjellë 4 dynym tokë me presh, por tani po përgatitet ta plugojë tokën me gjithë prodhime. “Shpenzimet kanë shkuar 1,5 milionë lek, por s’ka treg”, thotë Kujtim Çela. Ferit Xhafa thotë se ka shitur një sasi të papërfillshme nga 1.5 dynymët e mbjella. “Dal në orën 07:00 dhe përfundoj në shtëpi në 19:00. 4 mijë lekë, e shumta 5 mijë lekë dita bëj”, thotë ai. Sipas drejtorisë së Bujqësisë në Lushnjë kjo situatë është pasojë e shtimit të sipërfaqeve të mbjellë me këtë kulturë bujqësore si dhe e uljes së kërkesës. Derisa të rregullohen problemet me tregun, hedhjet e prodhimeve në kanal do të përsëriten çdo pranverë me presh e lakër, ndërsa në vjeshtë vendin e tyre në kanal e zënë pirgjet me domate e kastravecë të kalbur.
Sigal