Fatos Klosi: Pas zgjedhjeve situata me kundërshtarët në PD pritej, Basha përgjegjës

485
Humbja e thellë e Partisë Demokratike në 25 qershor ka vetëm një përgjegjës, Lulzim Bashën. Ai është hartuesi i listave dhe nënshkruesi i marrëveshjes
Situata brenda Partisë Demokratike, pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe fushata e ndarë në dy kampe, është bërë pjesë e analizave të shumta. Politikanë dhe analistë të shumtë kanë shprehur mendimin e tyre mbi këtë situatë. Janë të ndarë në grupe. Një pjesë e konsiderojnë normale dhe për një pjesë tjetër, shprehen se mënyra se si po bëhet mbart edhe problematika. Për Gazetën Telegraf ka dhënë mendimin e tij edhe ish-shefi i SHISH, Fatos Klosi, i cili njihet për opinionet rreth situatave politike që ndodhin në vend. Sipas Klosit, rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit ka bërë efektin brenda radhëve të Partisë Demokratike dhe kjo gjë, thotë ai pritej. Për Klosin, humbja e PD-së ishte e shënuar, por një humbje kaq e thellë nuk pritej. Por kush është përgjegjësi për gjithë këtë situatë? Fatos Klosi shprehet se ky rezultat ka vetëm një përgjegjës dhe ai është Lulzim Basha. Ai thotë se ishte kreu i Partisë Demokratike ai që mori përsipër hartimin e listës së deputetëve duke treguar se pas kësaj do të mbante të gjitha përgjegjësitë dhe këto përgjegjësi duhet ta mbahen tani. Por duket që lideri i vetëngrirë Lulzim Basha është duke pretenduar të jetë përsëri në krye të partisë. Klosi mendon se në këto kushte, ku kryetari i PD-së ka futur partinë, duket hapur se nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi. “Basha ka dalë përsëri para mbështetësve të Partisë Demokratike dhe kërkon votën e tyre për të pasur një mandat të dytë. Ka shumë mundësi që ai të mos mbajë përgjegjësi për atë se çfarë ka ndodhur. Të ndodhur në këto kushte kundërshtarët janë të detyruar të mos pajtohen me të. Ata që nuk ishin dakord me mënyrën se si procedojë Lulzim Basha do ta kundërshtojnë . Për mua duket se është një situatë normale mbas atyre që ndodhen para dhe në zgjedhjet e 25 qershorit. Basha nuk mori mendjen e askujt. Jo vetëm kur hartoi listat por edhe kur firmosi marrëveshjen në 18 maj me Edi Ramën. Kam bindjen se të vetmin person që mund të ketë pyetur për të gjithë vendimmarrjet e tij është Sali Berisha”, tha Klosi. Për nismën e Astrit Patozit, i cili është duke bërë fushatë paralelisht me bashin dhe Selamin, por me tjetër objekt, Klosi tha se në këto momente është e vetmja zgjidhje. Sipas tij, Patozi dhe kundërshtarët e tjerë të Bashës, mbetën jashtë si nga lista për deputet, por edhe nga strukturat e tjera. Sipas Klosit ata duan me çdo kusht të largojnë Bashën nga drejtimi i partisë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të rikthehen në radhët e saj, në të kundërt ata janë të larguar. “Nëse Basha do të rikthehet në krye të PD-së, që gjasat janë të ndodh, atëherë asnjë nga të përjashtuarit nuk do të bëhen faktorë brenda kësaj partie. Ata nuk shpresojnë tashmë që me Bashën kryetar të jenë dikush”, tha Klosi. Ndërkohë që lidhur me mundësinë krijimit të një fraksioni tjetër brenda opozitës më të madhe në vend, Klosi tha se nuk mund të jap një përgjigje konkrete për këtë fakt, ndërkohë që deri tani situata është kjo që shihet qartë.
Sigal