Fatmir Xhafa: “Agjencitë dhe institucionet e pavarura, qoka për të punësuar familjarë”.

476
Sigal

Dje, në Komisionin parlamentar të Ligjeve, AMA kishte sjellë një projektligj, ku, midis të tjerave, kërkonte që të shtohej në strukturën e saj organike edhe 5 nëpunës të tjerë të saj. Ajo që binte në sy, ishte se AMA, si institucion i pavarur, kërkonte që në organikën e saj të ketë sekretar të Përgjithshëm, të ketë zëvendëskryetar, si edhe çdo njeri prej tyre, madje edhe zëvendëskryetari, të ketë një sekretare në paradhomën e tij. Ndërkohë që, për monitoruesit, domethënë për ata që do të operojnë e kryejnë punën, parashikohen vetëm …5. Deputeti i këtij komisioni, Bashkim Fino e kundërshtoi fort këtë projektligj, që kërkon shtesë në organikë, për sekretare të paradhomave të sekretarit të Përgjithshëm e të zëvendëskryetarit të AMA. Madje, edhe kohë më parë, sipas burimeve tepër konfidenciale që ka “Telegraf”, deputeti Fino në intimitet, i kishte kërkuar relatorit të këtij projektligji Alfred Peza, që para se ta sillnin këtë projektligj për AMA në komisionin e Ligjeve, duhet ta rishikonin, pasi kjo përbën shkelje dhe do të zbatohen 2 standarde të ndryshme për institucionet e pavarura, por që emërohen nga Parlamenti. Në të kundërt, Fino e paralajmëroi Alfred Pezën, se do ta kundërshtonte fort. Sipas Finos, thënë relatorit Alfred Peza, “nuk mund të pranojmë që të ndjekim 2 standarde për institucionet e pavarura dhe për AMA, të bëjmë përjashtime e të votojmë që të ketë sekretarë të përgjithshëm e zëvendëskryetar e sekretare për paradhomat”. Madje, i këtij mendimi kritik ishte edhe vetë kryetari i Ligjeve, Fatmir Xhafa, i cili nuk nguroi që t’i cilësojë këto shtesa organike, për sekretare të paradhomave për sekretarin e Përgjithshëm dhe zëvendëskryetarin e AMA-s, duke thënë: “agjencitë e institucionet e pavarura po përdorën si qoke për të punësuar njerëzit tuaj të afërm”. Ndërsa deputeti Pandeli Majko, edhe pse i quajti sekretaret e paradhomave, si “sekretare të buzëkuqeve”, në fund, si për çudinë e të të gjithëve, votoi që ky projektligj të miratohet siç është. Domethënë, që çdo sekretar në AMA, të ketë edhe sekretaren personale të paradhomave. Megjithatë, Komisioni i Ligjeve, përveç Majkos (që ndoshta bëhet populist, për të fituar simpatinë e kandidaturës për Bashkinë e Tiranës), të gjithë deputetët e Komisionit parlamentar të Ligjeve, votuan propozimet e Finos, që të mos ketë shtesa organike për sekretare të paradhomave, por për monitoruesë, që të kryejnë punën në terren.

Jakup B, GJOÇA