Fatmir Toçi:Hidrocentrali i Kalivaçit që prej 10 vjetësh, vetëm në letër

495
Sigal

Projektet e ndërtimit të HEC-ve që do shndërronin Shqipërinë në superfuqi elektrike, izolojnë sot fshatrat nga rrënimet e rrugëve

*deputet i Qarkut të Vlorës

Deputeti i Qarkut të Vlorës, Fatmir Toçi, duke prekur realitetin,  në luginën e Vjosës,  që ka të bëjë me premtimet dhe projektet e ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit, sjell me fotot që publikon një realitet të dhimbshëm  për vetë jetesën e fshatarëve, të cilët kanë 10 vjet që u është prishur edhe ura e vetme që lidh dy brigjet e lumit, në vendin që do të ndërtohej hidrocentrali dhe tani janë të izoluar. Përgjegjësi për këtë katandi, ku edhe pse është dhënë koncensioni, kompania nuk ka filluar asgjë këtu e 10 vjet rresht,  ka edhe qeveria e Nanos dhe ministri Angjeli, por edhe qeveria e tanishme  dhe ministri i METE-s, Haxhinasto, të cilët nuk kanë ndjekur zbatueshmërinë e kontratës dhe të kërkojnë çdo përgjegjësi që rrjedh nga mosplotësimi i saj. Qeveria duhet të hiqte koncensionin kompanisë dhe të rihapte sërish tenderat për ta dhënë një kompanie tjetër që mund të tregojë interes. Apo, mos ndoshta, ministri Haxhinasto  ka interesa dhe lidhje nepotike që hesht dhe, kësisoj, mbron nga ligji fajtorët, ata që nuk duan të zbatojnë kontratën e koncesionit? Deputeti Fatmir Toçi, e përshkruan kështu realitetin në luginën e Vjosës, atje, ku gjoja do të ndërtohej hidrocentrali i Kalivaçit. “Fotot e mëposhtme janë shkrepur dje,- shkruan deputeti Fatmir Toçi,-  në luginën e lumit të Vjosës, në vendin që para më shumë se 10 vjetësh ka nisur punimet ndërtimi i hidrocentralit të Kalivaçit. Mund të quhej edhe hidrocentrali i Shkozës, pasi këto dy fshatra janë ballë përballë në të dy anët e kundërta të lumit. Punime që kanë filluar dhe janë ndërprerë, kantiere që janë ngritur dhe janë mbyllur, projekte që janë bërë dhe nuk zbatohen, miliona kilovat energji elektrike që nuk u përfitua gjatë këtyre viteve. Sipas planit ky hidrocentral duhej të kishte filluar nga puna, por, siç shihet nga fotot, duket sikur punimet sapo kanë filluar dhe janë lënë përgjysmë. Ky është një grimë e realitetit të privatizimeve  dhe dhënies të koncensioneve për ndërtimin e HEC-ve.

Ura që nuk u bë kurrë
Ura mbi Vjosë që do të lidhte Shkozën me Kalivaçin
Me fillimin e punimeve të hidrocentralit të Kalivaçit, firma ndërtuese mori përsipër edhe ndërtimin e një ure mbi lumin e Vjosës që do të lidhte fshatrat e Sevasterit, por edhe të zonave të tjera të rrethit të Vlorës me Kalivaçin, Ballshin dhe fshatrat e tjerë të Mallakastrës, Memaliajn e më tej me Tepelenën, Gjirokastrën e drejt kufijve jugor. Po kjo urë nuk u bë kurrë dhe nuk dihen nëse do të bëhet. Disa herë kanë filluar punimet, por ato janë ndërprerë papritur dhe lumi nga reshjet e përmbytjet dhe erozioni i ka zeruar punimet e kryera, duke bërë që çdo gjë të fillojë nga fillimi.  Të shpresojmë që kjo urë do të bëhet një ditë. Banorët e zonave në të dy anët e lumit kanë shumë nevojë për një urë të tillë, por jo vetëm ata. Do t’i hapte rrugë qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, prodhimeve bujqësore e blegtorale, lidhjes e shkëmbimeve kulturore e sociale të të gjitha llojeve. Do t’i jepte një frymëmarrje tjetër zhvillimit të gjithanshëm të zonës.

Reagojnë fshatarët

  Ura që do lidhte zonën e Labërisë me Mallakastrën e Egër ka pothuaj 3 muaj që është ngulur vetëm një gollon dhe lozin dy makina. Ndërtojnë  ndonjë rrugë në darkë dhe  në mëngjes Vjosa i shpie në Mifol.

Një punëtor shprehet:  Dhe 5 punëtorë, që  ende janë gjoja si të punësuar,  kanë  6 muaj pa marrë lekët.

 Flet për “Telegraf”, deputeti Fatmir Toçi

– Koncensioni i dhënë për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit është dhënë nga qeveria e Nanos, me ministër Angjelin dhe ende sot nuk është ndërtuar akoma.

– Po, që nga ajo kohë është dhënë ai koncension. Edhe tani që flasim, nuk dimë ku ta kërkojmë. Janë shkelur të gjitha afatet e kontraktuara. Aty në Kalivaç është një tmerr i fshatarëve, pasi edhe një urë që kishte, u prish. Tani nuk ka fare. Venë disa makina,  me pretekstin se gjoja do bëjnë urën.  Fillon e bie shiu, e uji i merr përpara edhe ato pak ndërtime të urës. Ka një gjë që nuk kuptohet përse bëhet punë.

– Përgjegjësinë, ku mund ta kërkojmë?

– Përgjegjësia fillon që nga qeveria e ministri që dhanë koncensionin dhe nuk e ndoqën, por edhe nga kjo qeveri, që ka 8 vjet që nuk bën asgjë. Nuk e kuptoj përse kemi mbërritur në këtë gjendje.

– A duhet hequr koncensioni i atyre që kanë 10 vjet që nuk bëjnë asgjë?

–  E ka ligji dhe kontrata. Ka edhe probleme të tjera. Ka shumë punëtorë që kanë punuar dhe janë me vite të papaguar.

 Mitat Brahimi, punëtor në HEC-in e Kalivaçit

– Unë kam që nga 2006-ta që punoj në ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Por nuk paguhemi rregullisht. Jam pa paguar, po të mbledh ditët, rreth 2 vjet kohë, më bëhen. Punojmë në firma të ndryshme nënkontraktore, e ato ikin dhe na lanë pa paguar. Aktualisht, jemi 20 punëtorë që punojmë në sektorin tonë, dhe jemi pa paguar nga firmat e mëparshme nënkontraktore. Kemi bërë ankesa, protesta të shumta, por askush nuk na ka dëgjuar.