Fatmir Mediu: Rama ka ndërtuar regjim të korruptuar dhe sa kohë është kryeministër nuk ka gjykata dhe sistem drejtësie

83

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane

Me fotot e publikuara nga morgu i Tiranës, nuk është shkelur privatësia e kurkujt, por është denoncuar gjendja e mjerueshme dhe demagogjia e qeverisë

Sa kohë është Rama kryeministër, nuk ka as gjykata dhe as sistem drejtësie

Gazeta Telegraf

Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane në intervistën për gazetën “Telegraf” në mënyrë kategorike përjashton çdo mundësi  që PD të bashkëqeverisë me PS pas 25 prillit 2021. Zoti Mediu pohon se Rama përdor çdo mënyrë për të manipuluar procesin zgjedhor, ndërkohë që  Shqipëria është e fundit në rajon në mbështetje të familjeve dhe bizneseve. Zoti Mediu thotë se Rama është pengesë për çeljen e negociatave dhe ka ndërtuar një regjim të korruptuar dhe të inkriminuar. Zoti Mediu pohon se opozita duhet të dalë me një program qeverisës të përbashkët dhe bashkëpunim elektoral.

– Zoti Mediu, publikimi i numrit të vërtetë të viktimave nga Covid-19 a bëhet për konsum politik?

– Partia Demokratike kërkon transparencë dhe qeveria të mos e përdorë pandeminë për qëllime politike. Është edhe detyrim i qeverisë të bëjë transparencë, për më tepër kur flasim për jetën e njerëzve.

 

–  Po publikimi i fotove nga morgu i Tiranës, a është shkelje e privatësisë së viktimave, dhe prekje e dinjitetit të mjekëve?

– Mendoj se me pandeminë duhet të jemi të kujdesshëm. Opozita ka bërë propozime konkrete në ndihmë të qytetarëve që vuajnë, mjekëve dhe mbështetjes ekonomike për familjet dhe bizneset. Shqipëria është vendi i fundit në rajon në mbështetjen e familjeve dhe bizneseve. Rama thotë se sistemi ynë shëndetësor është njesoj si Gjermania dhe Turqia, kjo është një tallje e hapur me shqiptarët.  Nuk është shkelur privatësia e kurkujt, por është denoncuar gjendja e mjerueshme dhe demagogjia e qeverisë.

– Sipas Jush, pse prokuroria deri tani hesht ndaj akuzave të kryetarit të opozitës Basha që qeveria po manipulon shifrat e pasojave të Covid-19 dhe pse nuk heton si është e vërteta në morgun e Tiranës?

– Për fatin e keq, Gjyqësori dhe Prokuroria janë nën kontrollin e qeverisë.

Zoti Mediu, kryeministri Rama pardje bëri me faj Maqedoninë e Veriut, para disa ditësh fajësoi Hollandën për “JO” në hapjen e negociatave. Por është e treta herë që BE nuk i hap negociatat Shqipërisë. Kryeministri Rama a nuk ka aspak përgjegjësi?

– Ka vetëm një pengesë çelja e negociatave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe ky është Edi Rama. Regjimi i korruptuar dhe i inkriminuar i ndërtuar qëllimisht prej Ramës nuk ka interes anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por të kundërtën. BE do të thotë standarde, ligje, institucione, drejtësi dhe kjo nuk është ajo që do Rama dhe klani i tij antishqiptar. Justifikimet e Ramës janë infantile dhe antikombëtare.

– Përse zvarritet kaq shumë Gjykata Kushtetuese? Akoma “djalli” është në djep, siç e ka argumentuar dikur Kryeministri Rama mosfunksionimin e Kushtetueses?

– Shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese dhe shkelja e të gjitha procedurave për ndërtimin e saj është një shkelje e rëndë për t’i lënë dorë të lirë Ramës për të shkelur Kushtetutën, ndryshuar atë e, miratojë ligje dhe vendime antikushtetuese, siç ka bërë Rama për 4 vjet me radhë. Veprimet antikushtetuese të Ramës janë flagrante. Pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka shtet, nuk ka liri dhe të drejta, ka vetëm abuzim të kryeministrit dhe qeverisë. Sa kohë do jetë Rama kryeministër nuk do ketë as gjykata dhe as sistem drejtësie.

– A kanë garanci  zgjedhjet e 25 prillit se nuk do të manipulohen dhe blihen votat?

Rama po përdor çdo mënyrë për të manipuluar procesin zgjedhor. Në bashkëpunim me struktura korruptive, kriminale, përdorimin dhe presionin mbi administratën shtetërore, ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, në kundërshtim me rekomandimin e BE, dhe tani në emër të pandemisë COVID-19, kërkon të mos lejojë partitë politike, të kryejnë aktivitetin e tyre elektoral. Çdo gjë po shkon drejt një marrëzie totale, vetëm për të grabitur pushtetin.

-Në prapaskenën politike bëhet fjalë se pas 25 prillit edhe mundet të ketë një koalicion të madh qeverisës midis PS dhe PD, për hir të stabilitetit politik dhe integrimit, nëse asnjë parti nuk del fituese. Ju mendoni se ka ndonjë propabilitet kjo?

– Këto ide jane ide të hedhura qëllimisht nga Rama. PD nuk mund të bëhet bashkëpërgjegjëse me korrupsionin dhe krimin.

– Ende nuk është sqaruar se me çfarë liste do të dalin në zgjedhje partitë aletate të Opozitës, ndërkohë që PD është në përfundim të hartimit të Listës së saj zgjedhore. Ju keni ndonjë skenar, apo ende prisni ftesën nga kryetari i PD?

– Opozita nuk duhet të humbasë asnjë që opozita të bashkëpunojnë në çdo qendër votimi.

Së pari: Për të ndaluar shkatërrimin e qëllimshëm të listës së zgjedhësve, që po bën qeveria, me zhvendosje të paligjshme të emrave dhe adresave.

Së dyti: Identifikimin e votuesve dhe mundësimin e votimit të tyre.

Së treti: Mbrojtjen e votës së tyre dhe ndalimin e blerjes, manipulimit të votës dhe intimidimit të votuesve.

Opozita ka detyrimin të dalë me një program qeverisës të përbashkët, një qeverisje përfaqesuese dhe inkluzive dhe me një bashkëpunim elektoral që garanton optimizimin e votave, ku çdo votë që nuk kthehet në mandat nuk duhet të shkojë në favor të Edi Ramës. Opozita në rrugën e saj të një qeverisje dhe Shqipërie Europiane, të bashkojë shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri dhe në çdo vend ku ata jetojnë. Zgjedhjet e 25 Prillit nuk janë thjesht zgjedhje politike, por beteja kombëtare e shqiptarëve, për t’u rikthyer në rrugën Europiane, dhe për t’i dhënë fund një regjimi të korruptuar dhe antikombëtar, që po shkatërron, jo vetëm Shqipërinë, por edhe autoritetin e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit.

-Faleminderit!

1

Rama po përdor çdo mënyrë për të manipuluar procesin zgjedhor. Në bashkëpunim me struktura korruptive, kriminale, përdorimin dhe presionin mbi administratën shtetërore, ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, në kundërshtim me rekomandimin e BE-së

2

Shqipëria është vendi i fundit në rajon në mbështetjen e familjeve dhe bizneseve. Rama thotë se sistemi ynë shëndetësor është njesoj si Gjermania dhe Turqia, kjo është një tallje e hapur me shqiptarët

3

Ka vetëm një pengesë çelja e negociatave dhe anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe ky është Edi Rama. Regjimi i korruptuar dhe i inkriminuar i ndërtuar qëllimisht prej Ramës nuk ka interes anëtarësimin e Shqipërisë në BE

4

Shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese dhe shkelja e të gjitha procedurave për ndërtimin e saj është një shkelje e rëndë për t’i lënë dorë të lirë Ramës për të shkelur Kushtetutën, ndryshuar atë e, miratojë ligje dhe vendime antikushtetuese

5

Opozita ka detyrimin të dalë me një program qeverisës të përbashkët, një qeverisje përfaqësuese dhe inkluzive dhe me një bashkëpunim elektoral që garanton optimizimin e votave