Fatjon Veizi: Harta e re e gjyqësorit,karagjozllëk!

204
Sigal

Pasi u shpenzuan miliona euro për vetingun, pasi dogjën të njomin bashkë me të thatin, e lëvizën standardin si deshën vetë, përfundimisht sërish e çuan në kolaps drejtësinë. Kush ka pas hall në këtë kohë me drejtësinë, e ka kuptuar çfarë do të thotë ta marrësh atë ose të fitosh të drejtën në bazë të ligjit.

Pasi i reduktuan dhe i “standardizuan”, gjykatat, tani thonë që “standardi” mbahet vetëm në kryeqytet, se gjyqtarët, nuk do të japin dot vendime të standardizuara nëse do të jenë të shpërndarë nëpër rrethe!? Sikur nuk punojnë me të njëjtat ligje, sikur nuk zbatojnë të njëjtin legjislacion, sikur nuk kanë institucione kontrolli KLP-në, KLGJ-në, ILD-në, por tani duan të lodhin e telendisin qytetarët dhe për ato pak të drejta, që kanë, duke u mohuar aksesin në drejtësi!

Le të shqyrtojmë një shembull të thjeshtë për pasojat që sjell ky riorganizim i drejtësisë. IKMT-ja i vendos një gjobë për një lopatë beton tepër apo një mur mbajtës pa leje. Faturat e gjobës në kësi rastesh fillojnë nga 500 mijë lekë të reja e përpjetë. Po e çvendosim ngjarjen në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Delvinë apo Konispol.

Me standardet e reja kundërshtimi i kësaj gjobe mund të bëhet vetëm në Gjykatën Administrative, Lushnjë. Shpenzimet për këtë proces do të jenë shumë herë më të mëdha se vlera e gjobës. Koha, largësia, vajtje-ardhjet, shtyrjet e datave për arsye të ndryshme, pagesa e avokatit etj, do të bëjnë që shpenzimet ta kalojnë gjobën e faturës. Kjo do të sjellë, që qytetari të gjejë një rrugë më “ekonomike”: të zgjidhë problemin duke paguar gjobvënësin dhe të anashkalojë rrugën gjyqësore. Kjo përbën mohim të aksesit në drejtësi, duke shkelur një të drejtë themelore, kushtetuese të qytetarit shqiptar. Ai e zgjidh problemin duke paguar gjobvënësin, i kryqëzuar nga kushtet e vëna për të evituar mundimet e pafundme e mos t’i kthehet Lushnja në gurin e Sizifit. Ëshë për t’u përshëndetur veprimi i Dhomës Kombëtare të Avokatisë e duhet përkrahur për aktin e drejtë në shërbim të qytetarëve, për të mos lejuar, që atyre t’u vështirësohet ose t’u bëhet e pamundur që të ushtrojnë të drejtën për ndihmë nga gjykatat shqiptare.