Fatjon Veizaj: Arbitrariteti i qeverisë me shërbimet e-Albania ndaj qytetarëve nga vendosja e gjobave tek çmimet e naftës

235
Sigal

Sado të përpiqemi t’i japim punës sonë një kuptim normal, në këtë vënd, është e pamundur t’i mbahesh një rendi logjik, të pritshëm, e të natyrshëm. Nuk është e tepërt po të them se çdo ditë e kësaj qeverisjeje është plot veprime, që sfidojnë arsyen, moralin, jetën dhe sigurinë e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë! Po jap tri shembuj të thjeshtë për të kuptuar sesa larg është qeveria nga ajo që thotë dhe çfarë ndodh realisht me shërbimet dhe kujdesin ndaj qytetarëve. Po jap tri shëmbuj

  1. Eksperimenti i qeverisë me shërbimet në sistemin e-Albania

Nga një maji i këtij viti pjesa dërrmuese e shërbimeve në sportele u zevëndësuan, duke u përmbledhur të gjitha te e-Albania. Pavarësisht nga mundësitë modeste të pjesës më të madhe të qytetarëve për ta përdorur shërbimin, pavarësisht nga kolaudimi i pamjaftueshëm dhe problemet e përsëritura të sistemit, e-Albania nuk po e përballon dot regjistrin e madh të detyrimeve që i kërkohen. Le të shikojmë disa shërbime, që nuk ekzistojnë ose që sistemi nuk i përgjigjet fare.

Aplikimi për ç’regjistrim nuk ekziston në portal, por ndërkohë për të interesuarit kjo krijon detyrime, kosto të tepërta dhe pazgjidhje për biznesin. Regjistrimi i ndryshimit të afatit të administratorit shpesh nuk është i mundur, edhe kur aplikanti është administrator i kompanisë në fjalë. Më skandaloz dhe i papranueshëm është rasti, kur administratori është i huaj, pasi programi nuk ka asnjë opsion për këtë rast apo kur prej tij kërkohet depozitimi në sistem i pasqyrave financiare. Koncepti i adminisitratorit të huaj nuk njihet, megjithëse është një nga praktikat më të konsoliduara prej shumë vitesh. Problematikë mbetet ripërtëritja e certificatës së fiskalizimit: Sistemi nuk arrin të gjenerojë automatikisht njoftimet përkatëse. Është e palejueshme që subjektet të ndëshkohen në rastet e përmendura, kur shkaku i vërtetë është sistemi e-Albania vetë. Komunikimi përmes postës elektronike për çështjet e sipërpërmendura, në shumicën e rasteve është tërësisht jashtë shërbimit edhe pse kjo duhet të ishte përparësi absolute në marrëdhënie me bizneset. Këto janë dy tre elementë që nuk funksionojnë por hapësira e problemeve është shumë më e madhe dhe më e ndërlikuar. Mund të pritej dhe një farë kohe përgatitore për të patur një sistem më të qëndrueshëm dhe më efikas, pa i hyrë një aventure me çmim shumë herë më të lartë se bakshishet nëpër sportele. Softëarët janë për të shërbyer, jo për t’u shërbyer atyre.

  1. Vendosja e çmimit të karburanteve

Dihet se rritja e çmimeve është prirje globale. Por, ndërsa kostot për qytetarët shqiptarë kanë shkuar në shifra të papërballueshme, qeveria shqiptare, përkundrazi është përfituesja më e madhe. Efekti i rritjes së çmimeve sipas të dhënave zyrtare është rreth 300 milionë euro më shumë, të arkëtuara në buxhet në katër muaj të këtij viti, në raport më të njejtën periudhë të një viti më parë. Niveli i suficitit për periudhën katër mujore të vitit 2022, rezultoi në rreth 19.2 (nëntëmbëdhjetë presje dy) miliardë lekë e krahasuar kjo me të njejtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 14.8 miliard lekë. Arsyeja dihet: Qeveria nuk ndërhyri në masën e barrës fiskale dhe përfundimi është paradoksal: Jemi të papranueshëm me çmimet, duke u krahasuar me rajonin dhe më në fund për herë të parë çmimi i karburantit në Shqipëri e kaloi çmimin në Itali. Një litër naftë në Itali është 1.8 uro ose 216 lekë; në Shqipëri është 2.1 euro ose 248 lekë. Po të mendosh diferencën në të ardhura në pagën minimale e mesatare midis qytetarëve tanë dhe atyre italianë, kuptohet qartë grabitja që qeveria po u bën shqiptarëve me lojën e çmimin e naftës. Edhe pse teorikisht shoqëri të ndryshme transporti apo biznese kanë interes ta blejnë naftën kur shkojnë jashtë Shqipërisë, kjo prapë i penalizon se nuk u njihen shpenzimet. Nëse kujtojmë shakatë pa kripë dhe pa logjikë të kryeministrit mbi krahasimet me çmimet gjoja të larta të naftës të vitit 2013, kuptojmë fare qartë propagandën dhe kotësinë logjike të tij, që fsheh një mungesë të madhe përgjegjësie përballë qytetarëve.

 

  1. Gjobat, arbitrariteti dhe dhuna e policisë rrugore me qytetarët

Është fjala për gjobat e vendosura nga policia rrugore. Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor është detyrim i pashmangshëm ligjor, por po aq kjo vlen edhe për policinë, në kuptimin e respektimit të të drejtavë dhe lirive kushtetuese të individit. Jemi në kufijtë e një shqetësimi me përmasa publike. U bë kohë që njoftohen raste, kur qytetarët nuk vihen në dijeni për shkeljen dhe gjobat e marra. Vijohet me masa të rënda pa asnjë kontakt me të interesuarit, dhe më pas ndalohen në rrugë duke u bllokuar mjetin për të paguar një gjobë, që nuk janë në dijeni. Gjoba është një akt administrativ dhe qytetarit i jep të drejtën ligji ta ankimojë, po kjo kërkon një kohë dhe pothuaj të pamundur. Prandaj duhet zbatuar ligji, duke ia njoftuar dënimin qytetarit në kohë dhe me korrektesë. Përndryshe qyetari shikohet si një subjekt pa dinjitet, që duhet zhvatur. Duket sikur ndëshkimi është qëllim në vetvete dhe mjerisht kjo është e vërtetë. Duhet kuptuar se kontrolli rrugor për këto çështje është shërbim, duhet kryer rigorozisht, pa lëshim, por me korrektesë dhe në funksion të qytetarëve dhe jo në funksion të ndëshkimit të qytetarëve dhe mbushjes së financave të zbrazura nga abuzime të qeverisë. Përfundimisht thelbi i këtyre sjelljeve është diçka midis anarkisë dhe etatizmit. Të dyja bëhen bashkë duke shtypur shoqërinë  e duke ndërtuar një cikël anormal të qeverisjes. Prandaj është e udhës që këto probleme të rishikohen nga qeveria dhe në plan të parë të vihet shërbimi dhe përkrahja e qytetarit.