“Familjet që jetojnë në banesa ish- pronarësh, me akt normativ, flaken në rrugë”

718
Sigal

3 komisione parlamentare miratojnë aktin për lirimin e banesave të pronarëve. PS-ja kundërshton, përse nuk erdhi projektligji

Disa komisione parlamentare, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë dhe Komisioni për Integrimin Europian  miratuan dje vetëm me votat e maxhorancës aktin normativ “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara”, i miratuar një muaj më parë nga Këshilli i Ministrave. Sqarime dhe përgjigje për  deputetët, dha ministri i Transportit dhe  Punëve Publike, Sokol Olldashi. Deputetët e PS-së, Erjon Braçe dhe Arben Malaj, kanë kundërshtuar këtë akt normativ, të paraqitur nga qeveria, duke kërkuar sjelljen e një projektligji për këtë problem, i cili sipas deputetit Malaj, një projektligj do të jepte mundësi që Parlamenti të diskutonte dhe të pasuronte edhe më shumë ligjin, për këtë problem mjaft të mprehtë social. Deputeti socialist, Erjon Braçe, solli si shembuj dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të 2005-s dhe të 2007-s, të cilat e kanë rrëzuar një akt normativ të qeverisë, për këtë problem dhe konkretisht, kjo Gjykatë ka rrëzuar alternativat që qeveria kërkon zgjidhjen e problemit me familjet që do të lërojnë banesat. Mirëpo, është njëra anë e problemit. Ajo që është esenciale dhe nuk u trajtua fare nga të dy palët politike  në këtë Komision parlamentar, është që ish-pronarët e banesave, që do të kenë të drejtën e rikthimit të banesave të tyre, deri më sot, në shumicën e rasteve, ata kanë marrë nga shteti në atë kohë shtëpi, banesa dhe, pse jo, edhe mund të jenë kompensuar për shtëpinë dhe truallin që shteti, për arsye të ndryshme, ua ka marrë. Shteti këtyre ish-pronarëve, u ka dhënë shtëpi falas, dhe dëmshpërblim ekonomik për truallin dhe pasurinë tjetër, si pemët frutore.  Ndërsa sot, ish-pronarët kërkojnë të rimarrin pronat e tyre, thua se ato janë konfiskuar nga shteti. Pra, ish-pronarët e banesave, që kati normativ parashikon rikthimin e pronës, kanë marrë nga shteti shtëpi falas, e kanë privatizuar, sikurse gjithë shqiptarët dhe tani kërkojnë rikthimin edhe të pronës së tyre. Shteti, në këtë akt normativ, por edhe opozita duhet ta kishte kërkuar, duhet t’u japë ish-pronarëve banesën e tyre, por në këmbim, që këta ish-pronarë, të rikthejnë te shteti shtëpinë që kanë marrë falas dhe e kanë privatizuar. Dhe, fare mirë, atë shtëpi, që do të lëronin këta ish-pronarë, ta marrin familjet që do të nxirren nga banesat, ku kanë jetuar për më shumë se 40-60 vjet deri tani! E themi këtë, se qeveria ka vendosur klauzolë kufizimi, që familjet me të ardhura ekonomike të larta, të cilat do të lërojnë banesat e ish-pronarëve, nuk do të përfitojnë kredi me interes zero, për blerjen e banesës së re. Atëherë, përse qeveria të mos u kërkojnë ish-pronarëve, të cilëve u rikthen banesën e tyre,  që të lërojnë edhe shtëpinë, që shteti u ka dhënë falas dhe më pas është privatizuar nga ish-pronarët? Dhe, më pas, këtë shtëpi, t’jua japë familjeve që do të nxjerrë nga banesat e ish-pronarëve? Kështu, qeveria, me një akt të drejtë ligjor, do të zbusë edhe problemin social dhe do të vendosë edhe drejtësisë sociale, midis të dy palëve, që prek akti normativ, që po kalon edhe në parlament. Qeveria, nëpërmjet aktit normativ, që po e kalon edhe në parlament, ku po miratohet vetëm nga kartonët e maxhorancës e kundërshtohet nga opozita, kërkon të nxjerrë nga shtëpitë familjet që kanë jetuar mbi 40-60 vjet, por u fal, njëkohësisht, këtyre ish-pronarëve, edhe shtëpinë që u ka dhënë falas. Ajo shtëpi, që këta ish-pronarë, jetojnë deri tani, është pronë e shtetit dhe jo e tyre, ndaj duhet ta rikthejnë, derisa po marrin pronën e tyre.

Të pastrehët përplasen me shoqatën e pronarëve. 1 mijë familje, tubim në Durrës

Shoqata  e të Pastrehëve, që banojnë në shtëpitë  ish- pronë private, në takimin e organizuar me përfaqësuesit e 859 familjeve që banojnë aktualisht në shtëpitë e ish pronarëve (sot pronarë) në një periudhë 70- vjeçare që nga viti 1950 e në vazhdimësi, i bën me dije: Parlamentit, Presidentit, qeverisë, Institucioneve kushtetuese, si Prokurorisë, drejtorisë së policisë, Avokatit të Popullit, Gjykatës Kushtetuese në veçanti, Trupit Diplomatik të akredituara në vendin tonë,  shoqatës pronësi me drejtësi, se akti normativ për të braktisur banesat në muajin nëntor do të çojë në vëllavrasje, banorët me ish pronarët. Në takimin e zgjeruar të mbajtur në Durrës, kreu i shoqatës, Myftar Kurti, tha se, asnjë familje nuk do të paraqitet pranë zyrave të Entit Kombëtar të Banesave për të plotësuar formularët për të marrë kredi. Vendimet që do të marrë Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese për këtë Akt Normativ do të bëjë të mundur që shoqata të ndërmarrë masa të tjera më ekstreme.

Kundërshtitë për aktin normativ

Kreu i shoqatës Myftar Kurti në deklaratën e mbajtur tha se:  “Ne jetojmë e do të jetojmë në këto banesa deri në momentin që qeveria do  të zgjidhë në rrugë ligjore e kushtetuese strehimin tonë, duke u mbështetur në ligjin 7652 datë 21/12/1992 për privatizimin e banesave shtetërore, i cili bëri pronarë 230.000 familje dhe la jashtë 5.500 familje, sot aktualisht 3296 familje. Akti normativ, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, në datë 01/03/2012, për lirimin e banesave nga qiramarrësit dhe dhënia e tyre pronarëve të ligjshëm, brenda datës 1 nëntor 2012, botuar në fletoren zyrtare me datë 06/08/2012, është një vendim antiligjor e antikushtetues, sepse Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë, me vendimet e saj  unanim nr. 26 datë 02/11/2005 dhe me vendimin e nr. 11 dt.04/04/2007, ku neni 9 pika 1 i ligjit nr. 9235 datë 29/07/2004 ” Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe të ligjit 9583 dt. 17/07/2006 “Për disa ndryshime e shtesa ne ligjin nr. 9235 dt. 29/07/2004. Shtrohet pyetja ?? Cila është arsyeja?! Në 2006, qeveria e Sali Berishës e sapoardhur në pushtet, jo vetëm mashtroi, por kërcënoi qytetarët se, do t’i nxirrte nga shtëpitë e pronarëve n.q.s. nuk do të merrnin kredi në banka. Cili ishte motivi?  Përgjigjen e jep vetë qeveria e Sali Berishës. Ne nuk dëshirojmë të bëjmë analizën e motiveve të saj”.

Gjykata Kushtetuese, në 2005-n dhe 2007-n, ka  rrëzuar aktin normativ të qeverisë

Gjykata Kushtetuese në zbatim të neneve 15, 17, 18 të Kushtetutës, me vendimet e saj, në vitin 2005 dhe 2007,  i tha jo veprimeve antikushtetuese, që ndërmorën tre institucionet kryesore të vendit; qeverisë që formuloi ligjet, parlamenti që miratoi ligjet, si dhe Presidentit që firmosi e vulosi këto ligje antikushtetuese.

KËRKESAT:

Nga ky tubim i provokuar nga qeveria, ne përfaqësuesit e mijëra qytetarëve durrsakë, që banojnë në shtëpitë e  pronarëve,  u bëjmë thirrje të gjithë qiramarrësve, kudo që jetojnë në qytetet e gjithë Shqipërisë: Të kenë besim të plotë në zbatueshmërinë e Kushtetutës sonë. Të kenë besim të plotë se akti normativ i qeverisë do të hidhet poshtë për të tretën herë nga Gjykata e jonë Kushtetuese, sepse ky akt dhe n.q.s. miratohet në Parlament ( që do të jetë turpi i radhës i Kuvendit), ashtu siç kemi fituar dy herë, do të fitojmë përsëri, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e ndan shoqërinë në qytetare të nënës e qytetarë të njerkës, siç vepron qeveria e z. Sali.

APELI:

I bëjmë thirrje anëtarëve të Komisionit të Ligjeve dhe atij të Punës e të çështjeve sociale, që ta diskutojnë seriozisht këtë akt normativ e të mbështeten fort në nenin 101 të Kushtetutës, i cili thotë shprehimisht: Këshilli i Ministrave, në rast nevoje urgjente, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme, këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve, nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, n.q.s. nuk miratohen nga Kuvendi. I bëjmë thirrje deputeteve të të gjitha forcave politike, që në Parlament, të mos ngrenë kartonët apriori, por të jenë të vëmendshëm se kartoni i tyre ka rëndësi vendimtare për hapjen ose jo të luftës (jo të ftohtë), por të vërtetë ndërmjet dy grupeve shoqërore, atë të pronarëve dhe te qytetarëve të thjeshtë e të pa mbrojtur nga shteti. Për 20 vjet rresht, këto dy grupe shoqërore kanë ditur të mbajnë marrëdhënie shumë të mira në zbatim të ligjeve që kanë qenë në fuqi.  Deputetë, mos lejoni që kartoni i juaj të krijojë situata të pa imagjinueshme e të paparashikueshme se atëherë do të  jetë shumë vonë. Ndaloni dhunën e mundshme. I bëjmë thirrje Presidentit të Republikës, i cili me detyrën e lartë të Kryetarit të Shtetit, dhe si udhëheqës i unitetit të popullit dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e mbrojtës i Kushtetutës, të mos firmosë ligje që bien në kundërshtim me Kushtetutën, detyrë të cilën z. President e ka në rend të parë të detyrës së tij. Me konsideratë të lartë e vlerësim të madh presim që Gjykata Kushtetuese edhe këtë herë të thotë fjalën e saj të drejtë si mbrojtëse e vetme e Kushtetutës së Republikës. Kemi qenë dhe jemi solidarë me kërkesat e drejta të anëtarëve të shoqatës Pronësi me Drejtësi që  atë të marrin pronat e tyre, por kurrë me forma antikushtetuese që servir qeveria aktuale.