Falsiteti dhe “era e qelbur” e 224 sindi(kakave) shqiptare

494
Sigal

Dje, një drejtues sindikate njoftoi, se në datën 22 nëntor do të bënin protestë kundër varfërisë së shkaktuar prej taksave, çmimit të energjisë dhe “urrejtjes” ndaj qeverisë “Rama”. Ja biseda e zhvilluar me të:

GAZETARI: – Është protestë e thirrur prej jush?

KRYESINDIKALISTI: Jo, ne jemi të thirrur prej PD-së, se ajo e organizon protestën?

GAZETARI:- Gjersa protesta është social-ekonomike, përse nuk e organizoni ju si sindikatë, por prisni kur ju thërret politika?

KRYESINDIKALISTI:- Ehuuuu, ta them në kofidencë, ti e di që nuk na vjen njeri në protesta, ndaj dhe shfrytëzojmë rastin që të dukemi sikur bëjmë sindikalizëm, kështu edhe partia që na ka thirrur krijon imazhin që ka mbështetjen tonë si sindikatë…

GAZETARI:- Sa anëtarë sindikate, do jenë në protestë?

KRYESINDIKALISTI:– Ku e di unë se sa do jenë, por kam dhënë urdhër që gjithë administrata e sindikatës të jetë në protestë bashkë me familjet e tyre dhe me parulla në duar.

GAZETARI:– Përse me njofton mua për protestën, kur unë nuk jam anëtar i sindikatës tuaj?!

KRYESINDIKALISTI:– Të njoftova që të na publikoni në gazetë protestën si aktivitet të sindikatës…, d.m.th troç, që të themi se jemi gjallë e luftojmë për të mbrojtur punëtorët! Mjafton kaq për të kuptuar që sindikatat shqiptare nuk ekzistojnë si veprimtari, por si logo, si vula, si zyra, si prona, si kryetar dhe një “çetë” administrate që paguhet nga të ardhurat e pronave dhe nga kuotizacionet që kanë nisur t’u mbahen me dhunë nëpunësve e punonjësve të administratës shtetërore me urdhër të ministrave e drejtorëve rajonalë. Realiteti është ky: Sindikatat nuk janë qendra të mbrojtjes së interesave të punëtorëve, por “altoparlantë” tribunash që përdoren prej partive politike. Sa jep komandën politika, sindikatat dalin nga zyrat dhe rreshtohen gatitu nën urdhrat e partive përkatëse që u shërbejnë. Prej shumë vitesh, sindikata janë tjetërsuar në kukulla, që nuk i përfill më asnjë punëtor, mbasi ata nuk kanë më besim tek sindikatat, sepse nuk i kanë mbrojtur, por i kanë shitur interesat e punëtorëve tek çdo pushtet majtas e djathtas. Përgjigjen e jep qartë, deklarata kapitulluese që bëri vetë kryetari i sindikatës: “Ehuuuu… nuk na vjen më njeri në protesta”! Lëvizja sindikale për mbrojtje sociale të punonjësve mungon totalisht, megjithëse, në Shqipëri ka 224 sindikata të vetë-shpallura, madje deri nga 20-30 sindikata brenda në çdo lloj profesioni e brenda çdo ndërmarrjeje me 100 punëtorë, d.m.th nga një sindikatë paralele për çdo 3-5 punëtorë. Aktualisht, kemi këtë realitet: për një repart tekstil p.sh, ka 15 sindikata, për një shkollë ka 7 sindikata, për një park autobusësh, apo shoqatë taksish ka 13 sindikata e kështu me radhë në art, shëndetësi, ushqim, miniera etj. Aq të neveritshme e bajate janë bërë sindikatat në Shqipëri, sa punëtorët kanë kohë që u thonë sindikata të partive politike! Këto figurojnë vetëm si akte-themelimi, si zyra, si kryetarë me vetura e sekretare, por pa asnjë “kokërr” anëtari! Thjeshtë, sindikatat shqiptare janë emërtesa të legalizuara me vendime-gjykatash dhe tabela të ngjitura nëpër shtylla e murre rrugicash, mbi dyer e ballkone pallatesh! Po tregoj një rast tipik që dëshmon se sindikata janë thjeshtë një banalitet shoqëror. Pak ditë më parë, kisha planifikuar të bëja një bllok intervistash me disa drejtues sindikatash. Një prej kryetarëve të një sindikate, më tregoi adresën e “zyrës”. U futa mes disa pallatesh. Pas disa telefonatash, mund ta gjej zyrën. Ishte në katin e dytë, të një pallati në rrëzë të malit të Dajtit. Lexova tek dera: “Unioni i Sindikatave të Pavarura Demokratike Antikomuniste të Transportit Taxi, Autobusëve Urban e Interurbanë të Shqipërisë”. Trokita! U hap dera dhe përballë më doli një djalë vetëm me… brekë. Shtanga, verifikova veten mos kisha ngatërruar derën e zyrës! I thashë, se kam ardhur për sindikatën e transportit! Po, më tha djaloshi, hyr se në zyrë e ke kryetarin. Ishte një hyrje 1+1. U ula. Djaloshi me brekë u fut nga dhoma tjetër, prej nga dëgjohej muzikë e fortë dhe zëra të rinjsh. E pyeta kryetarin e “sindikatës”, se çfarë është në dhomën tjetër. Ai, më tha: – Janë komshinjtë tanë, ne e kemi marrë këtë hyrje me qira së bashku me 3 studentë, ata kanë dhomën e tyre, sindikata ka zyrën e vet! Kuptoni se çfarë ndodh me sindikalizmin shqiptar, se në çfarë derexheje e banaliteti është katandisur simboli mbrojtës i punonjësve?!!! Të tilla “sindikata në garsoniere” ka plotë në Tiranë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Shkodër, Durrës, Dibër, Korçë, madje deri në bathore e Farkë. Del p.sh, “Zeqo Pilafi” dhe shkon e merr një vendim gjykate, bënë një garsoniere zyrë, i vendos një logo në dritare apo ballkon dhe shpallet “sindikatë”! Aq fiktive janë sindikatat në Shqipëri, sa jo vetëm nuk bëjnë lëvizje e mbrojtje sindikale në shërbim të punonjësve, por sikur t’i mbledhësh të gjitha bashkë, nuk e mbushin dot një furgon me anëtarë! Kjo është tepër shqetësuese, jo për faktin se sa sindikata janë si numër, por për faktin se ato nuk kanë as fuqi e as moral që të bëjnë sindikalizëm. Ato nuk e kryejnë dot e në shumë raste nuk duan ta kryejnë misionin publik që kanë marrë përsipër, duke e braktisur përfundimisht e qëllimisht besimin që u kanë “deleguar” punonjësit, duke e shëmtuar dhe ndotur deri në “erë të qelbur” këtë sindikalizmin. Fakti është ky: Sindikatat, ose më saktë sindikakat shqiptare funksionojnë prej 23 vitesh si “prona” private e të përjetshme të 2-3 njerëzve deri edhe me shkollë fillore, me dosje spiuni, me dosje abuzimesh me pasuritë e sindikatave. “Ushtria” e sindikatave pa asnjë “ushtarë”, në emër të interesave të “bajraktarëve” të tyre drejtues e uzurpues kanë cenuar, shitur dhe braktisur interesat e punonjësve. Nëse ka një vend në botë, ku sindikatat kanë më shumë “volum pune”, ky vend është Shqipëria. Por sindikatat në Shqipëri struken, heshtin përballë qeverive, bëjnë pazare me to dhe si shkëmbim, nuk mbështesin realitetin problematik që përjetojnë shqiptarët. Këto sindikata “kukulla” e pazarxhesha, as në ditën “1 Maj” nuk e lëvizin “menderen” nga kolltukët, që të dalin qoftë dhe formalisht në protestë simbolike! Ato dalin në publik vetëm kur urdhërojnë, tërheqin e nxjerrin në tribuna partitë politike. Janë vrarë minatorë në krom e bakër, sindikata nuk kanë folur, janë larguar me dhunë punonjës nga Albpetrol, sindikata ka heshtur. Po vidhen pasuritë kombëtare nga koncensionet e huaja, sindikatat heshtin dhe marrin sponsorizime prej tyre! Po shiten vende pune në administratë, sindikata nuk e hap gojën! Qeveria krijon përditë probleme sociale, ekonomike e shoqërore, ndërsa sindikatat heshtin e bëjnë pazare skutash me qeveritë. Ndryshe s’ka si shpjegohet kjo heshtje e plotë e tyre prej “kufomash”, ose dalje e tyre në krahë të partive politike, sikur të jenë struktura të tyre, kur shqetësimet nisin tek politika, tek qeverisjet, tek pushteti, tek shteti, tek drejtësia, tek ministrat dhe finalizohen e shkarkojnë pasojat në mënyrë arbitrare e anti-ligjore vetëm tek njerëzit, tek punonjësit. Është fakt, që sindikatave shqiptare nuk ua “var” asnjë punonjës, asnjë qytetar shqiptar. Madje nuk ua “varin pafillon” as institucionet shtetërore, sepse me drejtuesit e institucioneve, krerët e sindikatave kanë bërë pazare punësh të pista, kanë zgjidhur vetëm hallet e tyre. Madje sindikatave shqiptare “nuk ua vërshëllen” asnjë subjekt privat, sespe “agallarët” e sindikatave janë “ndotur nga xhepat” tek bosët e firmave private, në shkëmbim të heshtjes për të mos bërë protesta për kushtet e punës, për pagat e ulëta, për punësimin e të miturve, për sigurimet shoqërore etj. Këto “zullume” të sindikatave (sindikakave) i dinë mirë punonjësit, ndaj nuk u thonë as “mirëmëngjesi” drejtuesve të tyre kur u dalin përballë.

Përparim HALILI