Faktet/ Si ndryshoi projekti për Portin e Durrësit, çfarë iu servir shqiptarëve në fillim

245
  • -Para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar projektin për Portin e Durrësit, e cilësuan si investimin më madhor dhe transformues
  • -Pas qeveria shqiptare po jep falas një truall publik. Rrezikojnë të nxjerrin nga harta e transportit detar Shqipërinë
  • – U premtua punësimi i 50 mijë personave, kur në të vërtetë 12 mijë parashikohet në planin e biznesit të kompanisë
Sigal

 Kur e prezantoi për herë të parë para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar projektin për Portin e Durrësit, Edi Rama e cilësoi atë si investimin më madhor dhe transformues që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Të tillë e quan edhe sot dhe për nga shifrat e propozuara se do të investohen në këtë projekt i tillë është.

Mes prillit 2021 dhe nëntorit 2022 oratoria në lidhje me këtë projekt ka ndryshuar shumë. Në fillim premtohej për një investim direkt të grupit ‘Emaar’, një prej kompanive më të mëdha globale në fushën e ndërtimit dhe protagoniste në transformimin e Dubait.

Por, ‘Emaar’ u zëvendësua me kompaninë ‘Eagle Hills’ të regjistruar në Dubai vetëm një vit më parë me një kapital modest prej 10 mijë lekësh.

Premtimi tjetër i prillit 2021 ishte ndërtimi i portit më të madh të jahteve në Mesdhe, që do ta kthente Durrësin në destinacion kryesor të turizmit elitar. Por, ajo që u ofrua është një port me 280 vende ankorimi, sa gjysma e Porto Montenegro në Mal të Zi.

Premtohet një investim prej 2.1 miliardë eurosh në 5 vite. Në të vërtetë, kompania do të investojë nga kapitali i saj vetëm 7 për qind të kësaj shume, ose 160 milionë euro. Sipas planit të biznesit, pjesa tjetër do të sigurohet nga shitjet e apartamenteve dhe të ndërtimeve të tjera të fazës së parë.

Ndërkohë, sa për portin ai mund të kërkojë deri në 20 vite që të jetë gati dhe funksional. Praktikisht, Qeveria shqiptare po jep falas një truall publik, që me vlerën e tregut sot përllogaritet të kapë mbi 400 milionë euro.

Kur vihen përballë kësaj pyetjeje, këtë fakt e shmangin të gjithë zyrtarët. Premtimi tjetër është punësimi i 50 mijë personave, kur në të vërtetë 12 mijë parashikohet në planin e biznesit të kompanisë.

Përveç këtyre, ka disa pikëpyetje të mëdha përgjigjet e të cilave, ose kanë qenë gjysmake nga ana e përfaqësuesve të Qeverisë, ose pa përgjigje, ose jo bindëse.

Pyetja e parë, pse gjithë ky nxitim për një projekt kaq madhor, që fal 818 mijë metër/katrorë prona publike në një zonë kaq të lakmuar në bregdet? Edi Rama dhe Belinda Balluku i janë përgjigjur se ‘nuk ka kohë për të humbur’.

Përgjigja nuk bind, së pari për faktin se diskutimet kanë nisur prej më shumë se një viti. Që do të thotë se pritja ka qenë relativisht e gjatë. Pse të mos pritet edhe 2 muaj që ligji të kalojë me procedurë normale, në konsultime me publikun dhe diskutuar në Kuvend?

Pyetja tjetër lidhet me projektin. Sipas planit të biznesit, kompania do të ndërtojë në fazën e parë pallate dhe rezidenca. Pra, porti nuk do të preket. A rrezikon që kompania të ndërtojë në një truall të falur pallate dhe më pas të largohet duke lënë pa port turistik Durrësin? Kësaj pyetjeje nuk i është dhënë përgjigje.

Pyetja e radhës ka të bëjë me shqetësimin se projektet e qeverisë rrezikojnë të nxjerrin nga harta e transportit detar Shqipërinë. Njëkohësisht janë njoftuar zbatimi i dy projekteve, ai për zhvendosjen e Portit të Vlorës dhe ndërtimit në të të një porti turistik dhe godina rezidenciale dhe porti i Durrësit.

Zhvendosja bëhet pa përfunduar më parë portet e reja të mallrave, përkatësisht në Triport në rastin e Vlorës dhe në Porto Romano në rastin e Durrësit. A ka një studim të Ministrisë së Infrastrukturës mbi efektet e këtyre projekteve në regjimin e transportit detar të mallrave dhe njerëzve, aq më tepër për Durrësin, që është portë kryesore hyrëse për Shqipërinë, Kosovën, por edhe Maqedoninë e Veriut? Edhe kjo pyetje nuk ka marrë përgjigje shteruese.