Faktet në video-vizatim/ Shakaja pa kripë e Ambasadës së SHBA me Gjykatën Kushtetuese

1511
Sigal

Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë paraditen e së Martës një video informuese mbi mënyrën e formimit, rolin dhe përgjegjësitë e Gjykatës Kushtetuese.

Nëpërmjet ilustrimeve vizatimore, selia diplomatike është mundur të thjeshtojë në maksimum dhe ta bëjë të kuptueshme për një masë të gjerë se çfarë do të thotë “Gjykatë Kushtetuese”.

Që në formën e paraqitjes, ambasada e SHBA e ka nisur materialin promocional me një “shaka pa kripë”.

Ambasada amerikane e nis videon me shpjegimin teorik se “çfarë është Gjykata Kushtetuese?”, duke vijuar me tekstin “kuptimplotë”- “Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë në Shqipëri, e cila vendos se çfarë do të thotë Kushtetuta”.

Ky manual për fillestarë duket tërësisht i pavend dhe krijon përshtypjen se Shqipëria është një vend që nuk e ka idenë se çfarë është Gjykata Kushtetuese.

Në fakt, Gjykata Kushtetuese është krijuar formalisht në Shqipëri në vitin 1998, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Që prej asaj kohe, Gjykata Kushtetuese ka dhënë me dhjetra vendime dhe disa qindra qytetarë shqiptarë i janë drejtuar asaj për çështje civile apo penale.

Pra, t’i tregosh publikut shqiptar në vitin 2019 se çfarë është Gjykata Kushtetuese, është “pa kripë”.

Por, Ambasada Amerikane ndoshta ka një të drejtë kur jep shpjegimet fillestare-prej thuajse dy vitesh, Gjykata Kushtetuese nuk funksion për shkak të “Reformës së keq-hartuar në Drejtësi”. Qytetarët mund ta kenë harruar se çfarë është Gjykata Kushtetuese dhe, mesa duket, për këtë arsye, selia diplomatike e rikthen në kujtesën e publikut shqiptar domethënien e këtij institucioni.

Vijojmë më tej me videon vizatimore; “Gjykata Kushtetuese mund të vendosë edhe kundër Presidentit, Kryeministrit, si edhe Agjencive Qeveritare”. Në fakt, edhe kjo duket “shaka pa kripë”.

Gjykata Kushtetuese, në mënyrë absolute shqyrton shkeljet e të drejtave të njeriut, të cilat kryhen vetëm dhe vetëm nga agjencitë shtetërore. Po ashtu, nuk ka asgjë të re në faktin që Gjykata Kushtetuese shqyrton vendimet e Presidentit e Kryeministrit. Shumë vendime të deritanishme të Gjykatës Kushtetuese (kur ajo ekzistonte) ishin kundër institucioneve më të larta shtetërore.

LEXO EDHE  Trafikimi i drogave po ndërron lëkurën, ushtroni presion ndaj bandave/ Soreca flet pa doreza (VIDEO)

Video vizatimore, pasi bën një panoramë të shkurtër të ngërçit në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të Vetingut, tregon optimizëm për anëtarët e rinj, të cilët do të vijnë nga një proces me standarte të larta, të zbatuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED).

Formalisht, Kushtetuta parashikon se KED përbëhet nga “një grup gjyqtarësh e prokurorësh me përvojë”, të cilët kontrollojnë kualifikimet e kandidatëve.

Por, faktikisht, si është krijuar KED-ja aktuale? Këtë moment, ambasada amerikane nuk ka preferuar ta sqarojë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili konsiderohet “i përkohshëm”, drejtohet nga Ardian Dvorani dhe me pjesëmarrjen e kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku, të zgjedhur me short në një proces të dyshimtë kushtetues.

Presidenti i Republikës, i cili është autoriteti kryesor për zhvillimin e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, refuzoi të zhvillonte procedurën në Dhjetor 2018, për shkak të vakumit ligjor.

Kompetenca e Presidentit i kaloi Kuvendit, i cili zhvilloi shortin, duke zgjedhur anëtarët e KED. Këta të fundit nisën procesin e verifikimit të kandidaturave, ndërkohë që gjysma e tyre nuk ishin përballur vetë me procesin e Vetingut.

Vijon video vizatimore- “tani, kjo detyrë (zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese) i kalon Presidentit, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë”, të cilën zgjedhin nga 3 anëtarë secili.

Por, ndërkohë që Presidenti dhe Parlamenti e kanë këtë mundësi zgjedhjeje, Gjykata e Lartë është ende shumë larg plotësimit të këtij detyrimi kushtetues. Gjykata e Lartë, nga ana e saj, është jashtë funksionit, pikërisht për shkak të keq-hartimit të Reformës në Drejtësi.

Por, mungesa e Gjykatës së Lartë, një situatë që ndodh për herë të parë në historinë e shtetit pluralisht shqiptar, nuk ka vend në video-vizatim të Ambasadës Amerikane.