“Fajin e ka drejtësia?!” Shpërthen Nard Ndoka: Kërkohet ‘Veting’ mbarëpopullor!

484
Mbulimi i çdo krimi në vend nga kryeministri Edi Rama me alibinë e moskryerjes së Vetingut, ka detyruar deputetin njëherësh dhe aleatin e Lulzim Bashës, Nard Ndoka të reagojë ashpër. Me një gjuhë tepër të egër ku akuzon si shkaktar të gjendjes së krijuar në vend, shefin e qeverisë, Ndoka, bën thirrje opozitës për kryerjen e një vetingu mbarëpopullor. Përmes një statusi të botuar në facebook, Ndoka shkon më tej kur u drejtohet politikanëve në vend “O pika që s’u bie të gjithëve!”. Ai ka edhe një mesazh për opozitën kur thotë: “Opozita duhet të ngrihet nga gjumi, duke e filluar vetingun me veten dhe t’i prijë revolucionit kulturor e politik me modele evropiane”. Ja çfarë thotë konkretisht Ndoka në postimin e tij. “Virusi qeveritar tashmë ka hyrë kudo e ngado, çdo gjë që ndodh në këtë vend “fajin” e ka drejtësia! Ka krim në rrugë, fajin e ka drejtësia, ka krim në familje, fajin e ka gjykata, ka vjedhje, ka drogë, ka korrupsion, ka dhunë, ka çoroditje kolektive dhe fajin përsëri e përsëri e ka drejtësia. Këtu nuk ka shtet, nuk ka qeveri, nuk ka institucione, nuk ka kulturë, nuk ka ndjeshmëri, nuk ka përgjegjësi, nuk ka moral, por ka një sistem drejtësie njësoj apo më të mirë se të gjitha këto të marra së bashku. Këtu ka drogë, se shteti është i lidhur drejtpërdrejtë me të, drejtësia pengohet nga pushteti! Këtu ka dhunë dhe krim në familje, por drejtësia pengohet nga pushteti! Një dhunues nuk mund të bashkëjetojë në të njëjtën strehë me viktimën; drejtësia thotë jo, por pushteti thotë po, se nuk krijon asnjë mundësi ligjore! Këtu ka korrupsion, se kryeministri krijon mundësitë dhe ndan tepsinë! Ka drejtësi, por kryeministri emëron dhe voton gjyqtarët, shantazhon drejtësinë. Drejtësia është kthyer në alibi, për kryeministrin, për mediet, për portalet, për protagonistët që rrinë me dhembë të mprehtë për të lançuar dhe ngrënë këdo me stilin e tyre! Drejtësia është më e mirë se Presidenti, Kryeministri, Ministrat, Kuvendi, Policia dhe çdo institucion tjetër, madje është më e mirë edhe se Avokati i Popullit! Veting institucional duhet kudo; reformë institucionale, revolucion kulturor, mentalitet e reagim qytetar; duke ju referuar të tjerëve që kanë bërë hapa emancipues në politik-bërje e kudo. Kryeministri ynë takon Merkelin, por kopjon dhe standardizon modelin e Erdoganit në qeverisje! Kryeministri kërkon “veting” për gjyqtarët, por riemëron ministrat më të korruptuar në pluralizëm! Kryeministri kërkon “veting” për drejtesinë, por nuk lejon hapësirë kontrolluese për opozitën, as në Kuvend me komisionet parlamentare! Kryeministri thotë për çdo gjë që nuk shkon mirë në këtë vend; se fajin e ka vetingu dhe drejtësia! Jo Z. Kryeministër, i vetmi fajtor sot, se pse nuk ka shtet në këtë vend, jeni Ju!

Vetingu duhej të fillonte me votë kundër jush, kundër qeverisë Tuaj, kundër arrogancës Tuaj! Por ju i bletë votat, e bletë vetingun, ndaj na duhet të reflektojmë dhe të reagojmë fort me revolucion kulturor mbarëpopullor! Drejtësia është vetëm një hallkë, një pushtet, që nuk mund të pastrohet kurrë, përderisa politika dhe vota në këtë vend të jetë e lirë! O pika që nuk ju bie të gjithëve! Ju që drejtoni dhe atyre qe ju votojnë duke ju marrë lekët që ju keni vjedhur! Që të jem në rregull me veten dhe me ato që janë shumicë e pastër në këtë vend, nuk mund ta përjashtoj veten nga balta që bllokon çdo gjë në këtë me demek shtet! Opozita përfaqëson sot, votën më të pastër në historinë e pluralizmit, votë morale, që i rezistoi joshjes me para, presionit qeveritar, dhunës të grupeve kriminale! Ndaj Opozita duhet të ngrihet nga gjumi, duke e filluar vetingun me veten dhe t’i prijë revolucionit kulturor e politik me modele evropiane!”, shprehet Ndoka.
Sigal