Evis Kushi: “PS, e vendosur të mos përsërisë gabimet e kundërshtarëve”

524
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Evis Kushi, deputete e PS-së në Elbasan: “Me detyrën e re, më presin sfida të mëdha”

Në këtë intervistë të parë dhënë për gazetën “Telegraf”, Evis Kushi, si deputete e Partisë Socialiste në qytetin e Elbasanit, tregon për emocionet e saja që e shoqërojnë sot në detyrën e re, e sigurisht, në këtë ditë të veçantë Kushi nuk harron pa përmendur edhe ata që i qëndruan pranë dhe e mbështetën në zgjedhjen e saj. Duke lënë pas karrierën akademike deputetja flet për planet politike e sigurisht për fitoren e 23 Qershorit, ku ajo rendit tre pika. Në krye qëndron programi, pas tij kandidatët e zgjedhur me kujdes e në fund lideri, ku sipas Kushit: “PS ka një lider me vizion dhe vullnetin maksimal, i cili jo vetëm ofron një shembull pozitiv dhe frymëzim për të gjithë skuadrën e rilindjes”.

Zonja Kushi, sot filloni ditën e parë të punës si deputete. A mund të na e përshkruani pak si ndjeheni?

Për mua është një eksperiencë e re jo vetëm puna si deputete, por edhe përfshirja në politikën shqiptare. Sigurisht që, nga njëra anë është një emocion shumë i veçantë pozitiv, i mbushur plot me gëzim dhe krenari për fitoren e Partisë Socialiste dhe Aleancës për Shqipërinë Europiane në zgjedhjet e 23 Qershorit. Por nga ana tjetër, ky emocion shoqërohet edhe me ankthin dhe përgjegjësinë e lartë për ta merituar këtë mandat dhe besimin që na dhanë nëpërmjet votës qytetarët e Elbasanit.

Përse i thatë po ftesës që të merreni me politikë, kur ju keni një karrierë të shkëlqyer akademike?

Është e vërtetë që unë prej 15 vitesh i jam përkushtuar plotësisht jetës akademike dhe kam sakrifikuar shumë për të arritur këto rezultate në karrierën time. Në fakt, hyrja ime në politikë nuk ka qenë aspak një qëllim në vetvete, por pranova të përfshihem në skuadrën e rilindjes për të dhënë një kontribut më shumë sesa vetëm për Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Elbasanit. Unë mendoj që problemet e mëdha që ka aktualisht Shqipëria në shumë fusha, përfshirë ekonominë, shëndetësinë, arsimin, etj., e ngarkojnë me përgjegjësi çdo qytetar të këtij vendi për të bërë maksimumin e tij bazuar në aftësitë dhe mundësitë konkrete.

Sa të vështirë e patët për të marrë një vendim të tillë?

Pa dyshim që vendimi për të hyrë në politikë nuk është një vendim i lehtë për t’u marrë për këdo. Por për një grua të re dhe sidomos për një nënë me dy fëmijë të vegjël, ky vendim bëhet akoma më i vështirë për shkak të impenjimeve familjare. Megjithatë, unë jam shumë e lumtur për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë familja, miqtë e afërt dhe kolegët, të cilët jo vetëm e pritën shumë mirë këtë vendim, por më përgëzuan dhe inkurajuan fort në këtë iniciativë të vështirë.

Sipas mendimit tuaj, cili ishte çelësi i fitores së PS me 23 Qershor? Përse qytetarët shqiptarë i besuan kësaj force politike?

Unë mendoj që ka disa arsye kryesore për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 Qershorit. Së pari, PS ofroi një program të detajuar si asnjë forcë tjetër politike në këto 23 vite pluralizëm. Ky nuk ishte thjesht një program për fushatën elektorale, por një plan i qartë qeverisës, i cili i përgjigjet të gjitha shqetësimeve kryesore të qytetareve si punësimi, rendi dhe siguria, varfëria, niveli i shërbimeve në shëndetësi, arsim, etj.. Së dyti, PS hyri në fushatë me një skuadër kandidatësh për deputetë të zgjedhur në mënyrën më të kujdesshme jo vetëm për të qenë profesionistë të mirë në fushat përkatëse, por edhe për të patur të mishëruar ndershmërinë, përkushtimin dhe integritetin e lartë moral që të përfaqësojnë në mënyrën më të mirë dhe dinjitoze qytetarët në çdo qark të Shqipërisë nga veriu në jug. Së treti, por që është po aq e rëndësishme, PS ka një lider me vizion dhe vullnetin maksimal, i cili jo vetëm ofron një shembull pozitiv dhe frymëzim për të gjithë skuadrën e rilindjes, por gjithashtu krijon një besueshmëri të lartë tek qytetarët, që mendojnë se ai do të ndryshojë Shqipërinë ashtu siç ndryshoi Tiranën gjatë viteve kur ishte në krye të Bashkisë.

A mendoni se PS do t’i mbajë të gjitha premtimet që ka dhënë gjatë fushatës?

Siç e theksova pak më lart, programi që PS shpalosi gjatë fushatës elektorale nuk ishte një tufë premtimesh sa për të fituar zgjedhjet. Ekspertët e PS kanë punuar për një periudhë dy vjeçare për të hartuar këtë program, dhe të gjithë objektivat dhe hapat konkrete të qeverisjes janë konsultuar gjatë me specialistë të fushave përkatëse si brenda dhe jashtë vendit. Sigurisht që realizimi i tyre është sfida më e madhe e PS në 4 vitet e ardhshme, por unë mendoj që janë objektiva të realizueshëm nëse ne jemi të ndërgjegjshëm që kjo kërkon jo vetëm kohë dhe përkushtim nga qeveria dhe parlamenti, por gjithashtu ka nevojë për angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve.

Duke qenë se jeni deputete e Elbasanit dhe jemi në prag të administratës së re, a është gati PS e rrethit të Elbasanit për këtë administratë?

Dua të theksoj fillimisht që papunësia është një nga problemet më shqetësuese të shoqërisë shqiptare dhe kuptohet që vëmendja dhe presioni më i madh do të jetë pikërisht në këtë aspekt. Por PS në Elbasan, ashtu sikurse në të gjithë Shqipërinë, është e vendosur që të mos përsërisë gabimet e kundërshtarëve lidhur me padrejtësitë e bëra gjatë këtyre 8 viteve ndaj një numri të madh profesionistësh dhe punonjësish të thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi thjesht dhe vetëm për shkak të ngjyrës së tyre politike. Ne do të bazohemi tek meritokracia dhe konkurrenca, nga njëra anë duke respektuar çdo profesionist që punon me përkushtim dhe ndershmëri në administratën shtetërore dhe nga ana tjetër duke i dhënë mundësinë të rinjve të konkurrojnë dhe japin kontribut në bazë të ligjeve dhe rregullave në fuqi, duke luftuar nepotizmin dhe korrupsionin nëpërmjet një procesi krejtësisht të hapur dhe transparent.

Dhe së fundmi, çfarë do t’i thonit të gjithë qytetarëve të Elbasanit që ju besuan bindshëm në 23 Qershor?

Qytetarëve të Elbasanit dua t’i shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë për besimin e madh që na dhanë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Ashtu sikurse të gjithë kolegët e tjerë në PS, ky besim më shumë sesa gëzim dhe krenari më ngarkon me një përgjegjësi të jashtëzakonshme për t’u shërbyer me punë dhe përkushtim maksimal. Gjithashtu dua t’i informoj se së shpejti unë do të hap zyrën e deputetit në qytetin e Elbasanit dhe aty do t’i mirëpres të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse na kanë votuar apo jo,  duke i qëndruar pranë dhe mbështetur për të gjitha problemet dhe shqetësimet e tyre.

-Faleminderit!