Eurot në “Toyota”/ Balla: Nëse kam lidhje, të më bëhet gjyqi në sheshin “Skënderbej”

462
Sigal

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla deklaroi sot sërish se nuk ka asnjë lidhje me “Toyotat” me euro që u kapën në Durrës dhe me personat e përfshirë. Ndërsa dje reagoi nëpërmjet një statusi në “Facebook”, sot Balla doli para mediave me zë e figurë duke akuzuar kreun e PD-së Lulzim Basha për dekonspirim të operacionit.

Deputeti socialist i akuzuar nga Basha se garantoi hyrjen e parave në Shqipëri, tha se kreu i PD rrezikoi aksionin. Balla tha se nëse i provohet edhe një lidhje e vetme me personat e përfshirë jo vetëm që lë mandatin por është i gatshëm t’i bëhet gjyqi në sheshin “Skënderbej”.

“Përgëzoj policinë që aksione të tilla të ketë sa më shumë. Duke falënderuar policinë sigurisht me sa jam njohur dhe nga deklarata e policisë kam kuptuar që një institucion ligjzbatues ka pasur rrjedhje informacioni tek një person i papërgjegjshëm, që është Lulzim Basha. Vuri në rrezik vijimin normal të aksionit. Por fatmirësisht këtë person nuk e marrin seriozisht as personat delinkuent. Që Taulant Balla nuk ka as një lidhje me ndonjërin prej këta ju garantoj me përgjegjësi penale. Jo mandatin e deputetit por jam gati të më bëhet edhe gjyqi në sheshin Skënderbej nëse me gjendet ndonjë lidhje me ta”, deklaroi Balla.