EURALIUS –USAID:  “Kamuflojnë” mbështetjen për Dvoranin

Misionet ndërkombëtare, “Euralius” dhe “USAID”,  kanë shmangur  të japin një qëndrim  të prerë lidhur  me mandatin  e anëtarit  të Gjykatës së  Lartë, Ardian  Dvorani, në vijim të një kërkese  për opinion  nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Megjithatë, ekspertët e huaj, duke u shprehur për  parime  të përgjithshme, kanë sugjeruar elementë,  që shkojnë në favor  të qëndrimit  në detyrë  të juristit  Dvorani, të cilit i ka përfunduar mandati prej 6 vitesh.

Opinion “pa opinion”

Sigal

Në Prill 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor  nisi procedurën për shqyrtimin  e kërkesës  së Presidentit  të Republikës, Ilir Meta,  mbi konstatimin  e mbarimit të mandatit të Ardian Dvoranit,  i cili mban edhe postin  e Kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Pas dy  seancash, KLGJ-ja,  vendosi t’u drejtohej misioneve  të asistencës  në Shqipëri:  “Euralius” të mbështetur  nga Komisioni  Europian,  dhe  “USAID”-it  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kërkesa e KLGJ-së për opinion u  kritikua ashpër  publikisht  nga aktorë të ndryshëm, të cilët konstatuan problematika  në integritetin  profesional të “qeverisë së gjyqësorit”.  Kjo kritikë duket se forcohet më tej edhe nga misionet  ndërkombëtare. Në mënyrë diplomatike, “EURALIUS-USAID”  i kujtojnë Këshillit  të Lartë Gjyqësor se:  “Anëtarët e Këshillit, individualisht,  janë në kushtet e duhura për të vlerësuar, përgatitur dhe prezantuar  mënyrën e të kuptuarit  të fakteve dhe kuadrin ligjor”.  Sipas ekspertëve  ndërkombëtarë, “kjo përgatitje e lejon  Këshillin të mblidhet  sërish për të diskutuar në thellësi,  dhe në mënyrë të rregullt rreth pyetjeve që i janë shtruar, dhe rrjedhimisht, të marrë një vendim të informuar”.  Sa i përket rastit konkret,  “EURALIUS-USAID”  është mbështetur në parimin,  që nuk mund të shprehet për çështje individuale.  “Duke u nisur nga shkresa dhe informacionet që na dërguat, kuptojmë që kërkesa juaj rrjedh nga nevoja për të adresuar një çështje individuale.  Në këtë kontekst,  Misioni “Euralius V”  dhe  Projekti i  “USAID”-it,  Drejtësi për të Gjithë në Shqipëri,  janë të detyruar të theksojnë  se …ne nuk japim opinione  për  çështje individuale, pasi kjo është një përgjegjësi ekskluzive  e  Këshillit”.  Ky qëndrim,  parimor në këtë rast, dëshmon se  ekspertët e huaj  nuk janë  konsistent në veprimet e tyre. Tre vjet më parë, të njëjtat struktura,  jo vetëm dhanë opinion për çështje individuale,  por edhe ndikuan që shumica socialiste  e Edi Ramës, të zgjidhte vetëm me  69 votat e saj, Prokuroren e Përgjithshme  të Përkohshme, një funksion që nuk ekziston në Kushtetutë e ligj. Megjithatë, në rastin e mandatit  të  Dvoranit,  ekspertët e huaj kanë zgjedhur që të mos shprehen për “çështje individuale”.

Pro Dvoranit

“EURALIUS-USAID”,  në shkresën drejtuar Këshillit  të Lartë Gjyqësor, ka dhënë opinionin e tij vetëm për çështje parimore, të lidhura me mënyrën e zbatimit të ligjit. E, në këtë “çështje parimore”,  duket se ekziston një qëndrim në favor të vijimit  të detyrës së anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.  Për ekspertët e misioneve  ndërkombëtare,  Këshilli  i  Lartë  Gjyqësor duhet të mbajë në vëmendje  parimet dhe praktikat  ndërkombëtare, para se të marrë një vendim për mandatin  e anëtarit  të Gjykatës së Lartë. “Nga  perspektiva e standardeve  të njohura….parimet e zbatueshme janë:  parimi i pavarësisë së gjyqësorit, parimi i vazhdimësisë institucionale dhe funksionale, parimi i gjykatave të krijuara me ligj dhe parimi i cilësisë dhe efektshmërisë së gjyqësorit,  siç sanksionohen  në  GJEDNJ  dhe burime të tjera ….”, thuhet në dokumentin e  “EURALIUS-USAID”. Pra, ekspertët e misioneve të huaja u sugjerojnë që Këshilli i Lartë Gjyqësor,  të mbajë në vëmendje, ndër të tjera, “parimin e vazhdimësisë institucionale dhe funksionale”.  Ky sugjerim, megjithëse i mbuluar  nën nevojën e aplikimit të parimeve  ndërkombëtare, orienton  Këshillin e Lartë Gjyqësor drejt një vendimi për mbajtjen në detyrë  të Ardian Dvoranit. Gjykata e Lartë prej shumë kohësh është jashtë funksionit. Aktualisht, së bashku me Dvoranin, në zyrë janë 4 anëtarë.  Ky numër është i pamjaftueshëm për të krijuar kolegje gjyqësore. E, për këtë arsye, vijimi i funksioneve  nga ana e Dvoranit,  mund të konsiderohet si një nevojë  për  “vijimin e vazhdimësisë  institucionale dhe funksionale”  të Gjykatës  së  Lartë, derisa, më së paku, të emërohen 5 anëtarë të rinj në total. Megjithatë, duket se  ekspertët  e  “EURALIUS-USAID”,  e kanë parashikuar,  që qëndrimi i tyre mund të duket si i orientuar drejt një vendimi të caktuar. Për këtë arsye, misionet janë kujdesur që të japin disa sqarime. “Duam të ritheksojmë se përmbajtja e kësaj përgjigjeje nuk duhet të interpretohet si deduktim që Këshilli të marrë vendime në një drejtim të caktuar. E nxisim Këshillin që të marrë vendime të informuara që pasqyrojnë zgjidhje të studiuara mirë, të cilat përkrahin modelet e praktikave më të mira evropiane”, thuhet në dokumentin e përbashkët të misioneve ndërkombëtare e të nënshkruar në fund nga “EURALIUS”.