Eugen Wollfarth: “KQZ-ja të bëjë përpjekje maksimale për zgjedhjet e 2013-s”

553
Sigal

Prezenca e OSBE-së, takimi i parë i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet

Dje u mbajt në Tiranë takimi i parë i Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, i organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Grupi i Punës është një forum i përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare për të shkëmbyer informacion në lidhje me zgjedhjet, si dhe për të bashkërenduar qëndrimet. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Vvollfarth tha: “Pjesëmarrja juaj është një tregues jo vetëm i interesit të vendeve dhe organizatave tuaj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por edhe i angazhimit tuaj për t’u ofruar asistencë dhe mbështetje autoriteteve shqiptare”. “KQZ-ja i ka hyrë punës me vrull dhe duket e vendosur për ta kryer atë me profesionalizëm dhe në mënyrë jopartiake. Deri më tani vendimet kanë qenë të njëzëshme dhe më vjen mirë të them se klima e përgjithshme e takimeve në KQZ ka qenë pozitive. Është shumë e rëndësishme që KQZ-ja të bëjë përpjekjet maksimale për t’i realizuar me efikasitet përgatitjet komplekse për zgjedhjet parlamentare. Nuk mendoj se mund ta teproj së theksuari rëndësinë e madhe të të pasurit një atmosferë bashkëpunimi në KQZ, me një pjesëmarrje aktive dhe konstruktive të të gjithë anëtarëve. Konsensusi i arritur nga partitë kryesore parlamentare për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore duhet të pasohet nga një zbatim i plotë dhe i sinqertë i kodit të ndryshuar zgjedhor nga të gjithë aktorët e përfshirë. Kjo vlen veçanërisht për përdorimin e teknologjive të reja në zgjedhje: një frymë besimi midis partive dhe vullneti të mirë është thelbësore për zbatimin me sukses të këtyre teknologjive. Kjo është një prej arsyeve pse propozuam hartimin e një Kodi Sjelljeje për partitë politike, i cili ka për qëllim të shmangë përdorimin e një gjuhe të papërshtatshme gjatë fushatës së ardhme zgjedhore. Misionet e ODHIR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve realizohen në bazë të një kërkese specifike që vjen nga vendi ku mbahen zgjedhjet”, tha Vvollfarth.