Ervin Koçi: Ligji i ri i rimbursimit të TVSH lufton abuzimet, në shtator rishikimi i buxhetit

570
Deputeti i PS Ervin Koçi, si relatori i ligjit “Për rimbursimin e TVSH” në intervistën për gazetën “Telegraf” evidenton domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore të rimbursimit të TVSH, për të shmangur abuzimet dhe interpretimet e ndryshme nga DTR. Deputeti Koçi, pohon se taksa gropresive nuk pengon investimet e huaja në Shqipëri, por taksa progresive është një taksë e vendosur mbi të ardhurat individuale. Deputeti Koçi pohon se qeveria në shtator do të rishikojë edhe buxhetin e vitit 2015. 
-Zoti Koçi përse ju e shikoni të domosdoshme që me ligj të ndryshohet skema e ndryshimit të rimbursimit të TVSH?
– Ndryshimi ligjor që miratuam këto ditë për procesin e rimbursimit të TVSH-së është në kuadër të modernizimit dhe përmirësimeve ligjore në sistemin fiskal. Është një ndryshim i domosdoshëm, pasi aktualisht çdo kërkesë për rimbursim, që bëhet nga biznesi pranë drejtorive rajonale, verifikohet përmes një kontrolli të dokumentacionit në vend që kërkon kohë, ka kosto për biznesin dhe administratën fiskale dhe këto kontrolle shpeshherë janë të panevojshme. Gjithashtu është vërejtur që gjatë zbatimit praktik të rimbursimit vëreheshin interpretime të ndryshme nga drejtoritë rajonale të kërkesave për rimbursim, e cila thyen parimin kryesor të administrimit tatimor zbatimin e njëjtë dhe efektiv të legjislacionit nga administrata tatimore në të gjithë territorin e vendit. Njëkohësisht, përmirësim i procesit të rimbursimit ka qenë një kërkesë e komunitetit të biznesit si dhe pjesë e rekomandimeve të FMN. 
– Çfarë konkretisht propozoni të ndryshohet te procesi i rimbursimit të TVSH?
– Duke filluar besoj nga muaji shtator pranë DPT do të krijohet një njësi qendrore për rimbursimet (Drejtoria e Rimbursimeve për TVSH) që do të vendosë se si do të trajtohet çdo kërkesë për rimbursim. Këto ndryshime vendosin parimin që procesi i rimbursimit të bazohet te risku dhe do të jetë një proces gjerësisht i automatizuar, duke përdorur sistemin e ri informatik që është implementuar këtë vit në administratën tatimore. Pra për çdo subjekt do të bëhet një vlerësim i përgjithshëm i riskut, bazuar në analiza konkrete të historikut të subjektit kërkues në lidhje me me zbatimin e legjislacionit fiskal në vite. 
– Si do të funksionojë skema e rimbursimit të TVSH që ju propozoni?
– Kërkesat do të vijnë te njësia qëndrore përmes sistemit të ri informatik të administrimit të të ardhurave, i cili i kanalizon të gjitha kërkesat në këtë njësi dhe ka si detyrim të vlerësojë çdo kërkesë. Nëse kërkesa është në përputhje me detyrimet ligjore dhe subjekti i kalon me sukses të gjitha kriteret e riskut fillojnë proçedura e pagesës së plotë të kërkesës. Afati për kryerjen e këtyre proçedurave është brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesit si dhe brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesve eksportues. Pagesa e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda pesë ditëve, nëpërmjet sistemit të thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Financave. Kur një kërkesë për rimbursim vlerësohet nga sistemi se përmban risk, njësia qëndrore autorizon Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse ku subjeki ka selinë për të ushtruar kontroll, i cili mund të kryhet nga zyra ose në vend duke verifikuar dokumentacionin financiar.
– Ka ndodhur deri tani që shteti psh me KURUM u detyrua që për rimbursimin e TVSH që arrinte në vlera milionë euro t’i jepte koncensione hidrocentrali, ndërkohë më vonë del që KURUM kishte spekuluar me skemën e TVSH. Duhet tani që shteti t’i zhbëjë keto koncensione të KURUM që padrejtëdisht iu dhanë nga rimbursimi i TVSH?
– Nuk mund të flas mbi spekulimin e skemës së TVSH-së nga subjekti “KURUM”, pasi nuk kam informacionin e nevojshëm për të gjykuar, por mund të flas për koncensionet dhe privatizimet abuzive, klienteliste të qeverisjes së kaluar, që dëmtojnë çdo ditë xhepat e qytetarëve, biznesin dhe buxhetin e shtetit. Janë edhe privatizimet në shumë sektorë të tjerë strategjikë, duke filluar nga privatizimi i sektorit të shpërndarjes së energjisë, privatizmi i shoqërisë ARMO, privatizimi i dështuar i shoqërisë Albpetrol, ku buxhetin ende i mungojnë 85 milion USD nga mosarkëtimi i garancisë së ofertës. Kurse koncensionet janë skema më korruptive e qeverisë së kaluar, ku vetëm nga 4 koncensionet e famshme, impakti në total që vret xhepat e shqiptarëve pa përmirësuar cilësinë shërbimit është mbi 1 miliard euro. Por, që të jemi të sinqertë, koncensionet dhe privatizimet kanë kaluar në parlament, duke i çimentuar me qëllim që ato që të mos ç’bëhen nesër, dhe sot çdo veprim i mazhorancës së sotme për t’i anulluar përfundon në Gjykatën e Arbitrazhit me kosto të papërballueshme për vendin. Sipas ekspertëve ligjorë çdo marrëveshje që kalon në parlamentin i një vendi është fuqiplotë, shanset për të fituar në Gjykatën e Arbitrazhit janë pothuajse zero, dhe anullimi i tyre pa kosto është i pamundur. 
– Në projektligjin tuaj, a parashikohen siguritë që bizneset të mos kenë mundësi të abuzojnë?
– Patjetër që është dhe një qëllim i projektligjit ulja e abuzimit nga biznesi jo i ndershëm. Vetë ndryshimet ligjore, si heqja e kontrollit për subjektet me histori pozitive në zbatimin e legjislacionit fiskal sjellin elementë motivuese për biznesin për të qenë korrekt në shlyerjen e detyrimeve tatimore. 
– A duhet riparë taksa progresive, e cila shikohet nga investitorët e huaj si pengesë për investime pasi rrit koston e investimeve?
– Për mendimin tim absolutisht jo, madje në sistemin fiskal duhet të vendosim deklarimin integral të të ardhurave individuale, pasi ky deklarim vendos në një raport më të drejtë parimin që kush fiton më shumë duhet të paguajë më shumë. Por për të sqaruar dhe lexuesit e gazetës, taksa progresive është një taksë e vendosur mbi të ardhurat individuale, dhe nuk përban asnjë pengesë për investimet vendase dhe të huaja. 
– Sa e vërtetë është që qeveria kërkon rishikim të buxhetit të 2015 që tani?
– Po, është e vërtetë që qeveria do ta rishikojë buxhetin e vitit 2015, besoj se në muajin shtator do të jetë për diskutim e miratim në parlament. Ndryshimet në buxhet do të jenë në nivelin e të ardhurave dhe te shpenzimeve si dhe do të ketë rialokim fondesh në drejtim të atyre investimeve që ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit. 
– Faleminderit!
Sigal