Ermonela FELAJ/ “ Do të ndryshojmë Rregulloren e Kuvendit dhe KQZ-në”

387
Sigal

Krijimi i një Task- Force, brenda strukturës së byrosë së ardhshme të hetimit, për ndjekjen e krimit të korrupsionit

Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, është një nga deputetet më aktive në Komisionin e Ligjeve dhe në intervistën për “Telegraf”, parashtron domosdoshmërinë e reformave të mëdha, si në reformën parlamentare, e cila, sipas zonjës Felaj, duhet të rishikohet. Po kështu, edhe KQZ-ja duhet të riformatohet, -thotë ajo, -për t’i dhënë procesit zgjedhor paanësinë dhe besueshmërinë. Pë sa i përket koncesioneve dhe privatizimeve, që janë bërë në dëm të interesit kombëtar, zonja Felaj thotë se, “ato do të zhbëhen, pavarësisht kostos politike, sepse, kryesorja është që kostoja të mos rëndojë mbi shqiptarët”. Zonja Felaj, zbulon edhe krijimin e një komisioni anti-korrupsion dhe antimafie, e cila do të jetë brenda strukturës së byrosë së hetimit.

Zonja Felaj, a mundet qeveria e re të bëjë anulimin e koncesioneve dhe të privatizimeve? Investitori ka ndjekur hallkat e tenderimit dhe nuk i interesojnë çështjet politike. A mund të përballohet nga ana financiare zhbërja e tyre? Sepse investitori ka ndjekur hallkat e tenderimit dhe nuk i interesojnë çështjet politike

– Të gjitha koncesionet do të rishikohen.  Ky ka qenë premtimi ynë gjatë fushatës së fundit elektorale, i cili tanimë që shqiptarët na besuan me një shumicë plebishitare, lipset të bëhet realitet, si instrumenti më i rëndësishëm në mbrojtje të pasurisë dhe pronës publike, aq shumë të abuzuar. Për ligjin dhe natyrisht dhe për autoritetin që e ekzekuton atë, çdo gjë, e cila i kundërvihet interesit publik, përmes pushtetit të influencës, parasë , favorit, etj., mekanizmash të ngjashëm, është absolutisht e pavlefshme dhe, si e tillë, duhet të anulohet. Me fjalë të tjera, çdo lloj kontrate koncensionare ose jo, që i vë palët (kupto shtetin dhe privatin) në pozita dukshëm të zhbalancuara dhe një gjë e tillë tek ne i ka ndodhur shtetit,  interesit publik, është nul. Mbi këtë logjikë ligjore, që funksionon gjithandej si parim në lidhjen e kontratave,  do të kryhet dhe rishikimi i çdo lloj koncesioni të dhënë deri më sot, në naftë, në miniera, hidrocentrale shërbime dhe kudo. Njihen nga të gjithë shembujt e shumtë të shkeljes së ligjit në rastin e dhënies së koncensioneve, favorizimet  në gara të subjekteve pjesëmarrës, familjare, ose lidhje të njerëzve në pushtet dhe kjo është një sjellje që ndëshkohet penalisht, shkelje të afateve të kontratave  koncensionare, rasti i minierës së Bulqizës është bërë emblematik nga momenti që ministri përkatës pohoi publikisht se kishte zgjatur vetë afatin e kontratës me koncensionarin, pa u dhënë miratimi nga parlamenti, meqë ky i fundit nuk mblidhej më në seance plenare. Pra, në çdo rast të jeni të bindur se nga rishikimi i të tilla tenderimesh së pronës publike, do të mund vetëm të përfitojmë, sepse shkurt dhe  qartë çdo e drejtë e shkelur, çdo abuzim me çdo të mirë publike,  do vihet në vend dhe shkelësit do të ndëshkohen.

– A do të ketë kosto politike, kjo zhbërje në sy të investitorëve, qoftë të huaj, qoftë vendas?
– Kosto në këtë rast ka pasur dhe vazhdon të ketë vetëm  publiku,  shqiptarët që nuk po mund ta shohin vendin e tyre të renditet denjësisht në Familjen Europiane. Fitorja në zgjedhje nuk na ka fshirë nga memoria Shqipërinë reale që gëlon nga  papunësia, varfëria dhe korrupsioni përkundrazi na ka imponuar të jemi të vendosur në dhënien fund rrënimit të mëtejshëm të një vendi që meriton me çdo kusht të ringrihet.

 – Tani që ju jeni maxhorancë, a do të rishikoni edhe një herë reformën parlamentare dhe të miratoni ato kërkesa që ju parashtruat si opozitë?

– Kuadri ligjor s’është diçka e dhënë një herë e përgjithmonë, ligjet nga natyra janë dinamike, sepse reflektojnë zhvillimet dhe nevojat e shoqërisë njerëzore. Në këtë kuptim, edhe Rregullorja e Kuvendit nuk ka përse të mos pësojë ndryshime, që janë të  për t’i hapur rrugë një funksioni krejt të ndryshëm  të organit  ligjvënës, sipas përvojave më të mira parlamentare. Është e sigurt se parlamenti s’do të funksionojë aq rrallë, aq i cunguar sa i takon  pjesëmarrjes dhe përgjegjësive të ekzekutivit  dhe, mbi të gjitha, nuk do të shënohet asnjë ditë e vetme kur ai të shndërrohet  si një njësi private, që hapet dhe mbyllet sipas oreksit të dikujt.

– Cilat do të jenë prioritetet e maxhorancës së re për të ndërmarrë reformat efikase për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe drejtësia të fitojë besueshmërinë e saj te të gjithë?

– Beteja me drejtësinë dhe për drejtësinë nuk bëhet për një ditë dhe me një të rënë të lapsit. Është një betejë e gjatë, që kërkon këmbëngulje, integritet dhe vendosmëri më së pari nga ana e të gjithë atyre që do kenë fatin të bëhen pjesë e saj. Prioritet  që s’ka nevojë të shkruhet, i çdo qeverie, ngelet lufta kundër korrupsionit,  i cili është rrënjë e të gjithë të këqijave. Kjo luftë nuk mund të limitohet në reforma ligjore dhe institucionale dhe kuptohet edhe këtu ka shumë për të bërë dhe përputhur. Kujtoj Kodin e ri Penal, apo ndryshimin e atij të procedurës penale, reformimin e KLD-së, etj., mbi të gjitha na duhet një reformim i mendësisë së të punuarit dhe kapaciteteve njerëzore. Shumëkush sot e sheh punën  si diçka që vetëm i shërben ndërkohë që edhe duhet t’i shërbejë. Sjellja e njëanshme në raport me punën ka deformuar rëndë edhe drejtësinë, për të cilën po flasim e që në vlerësimin tim, sot kërkohet të vihet përpara një llogaridhënie serioze, të vazhdueshme dhe të rreptë e rigoroze, sa i takon  zbatimit të ligjit ndaj shkelësve.

– Kryeministri Rama ka hedhur edhe idenë e krijimit të një Komisioni antimafie dhe antikorrupsioni. Mund të na shtjelloni pak më shumë këtë ide?

– Edhe idetë për një komision parlamentar, i ngjashëm atij antimafie në Itali apo krijimi i një Task- Force brenda strukturës së byrosë së ardhshme të hetimit për ndjekjen e krimit të korrupsionit në radhët e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë gjyqësore,  i shërbejnë pikërisht nevojës imediate për ta kuruar  drejtësinë, pushtetin e tretë po aq të rëndësishëm dhe pa të cilin një shtet demokratik nuk mund të funksionojë.

– Përse duhet të besojmë se maxhoranca e re do të ketë vullnetin politik se do të luftojë korrupsionin?

–  Në fakt shqiptarët i kanë dhënë përgjigje kësaj pyetje që më 23 Qershor, duke na votuar, pra duke na besuar. Ndërkohë, ne kemi gjithë gatishmërinë për të plotësuar pritshmëritë e tyre.

Ende herët për një administratë zgjedhore apolitike

– Çfarë do të bëni me KQZ-në? Do të rikompozohet me anëtarë të rinj?

 – Nuk do të doja të hyja në hollësira, pasi gjykoj, që, gjithsesi, kjo është pjesë e vendimmarrjes së ardhshme  politike, por nevoja për të pasur një organ shtetëror të përhershëm, i cili të garantojë administrimin korrekt të zgjedhjeve, në përputhje me  rregullat që përcakton Kodi Zgjedhor, mund dhe duhet të realizohet. Ajo që ndodhi me KQZ-në ishte një  akt i paprecedent,  frymëzuar nga arroganca e qeverisjes së Sali Berishës, që nuk ka kurrfarë motivimi, apo justifikimi ligjor. Çfarë hapash duhen ndjekur për plotësimin e vendeve vakant, apo për ndërprerjen parakohe të mandateve të anëtarëve të  KQZ-së që me veprimet, apo mosveprimet e tyre kanë cenuar rëndë veprimtarinë e institucionit? Natyrisht, ato që përcakton Kodi Zgjedhor. Kur miratuam këtë kod, nuk patëm parasysh rregulla të përkohshme, por maksimalisht të përhershëm, kështu që patëm dhe kemi gjithë vullnetin për t’ iu qëndruar atyre çka bashkërisht u votuan. Nisur nga kjo, do të thoja që askush të mos surprizohet nga fakti që ia kemi mbërritur ditës kur mundemi që ligjit dhe zbatimit të tij t’i japim hapësirën që i takon.

– A ka ardhur momenti që KQZ dhe gjithë administrata zgjedhore të jetë apolitike, p.sh, KZAZ e QV të mos kenë anëtarë vetëm disa parti politike, por anëtarët të jenë apolitikë?

 – Unë jam skeptike për faktin nëse mund të jenë të tillë, apolitikë, sikundër ju propozoni, ose, më saktë, për kohën kur mundemi të kemi një trupë të tillë njerëzish. Besoj që koha e daljes nga rrënimi do të na shërbejë dhe si një kohë për të kuptuar  se mekanizmi i zgjedhjeve në demokraci funksionon vetëm si i lirë,  i barabartë, i fshehtë dhe drejtpërdrejtë.

– Faleminderit!