Erisa Zykaj: Zgjim gjeopolitik i hidhur për europianët

72
Sigal

Erisa Zykaj
Korrespodente për Telegraf.al në Bruksel

Europianët, që e kishin pare gjithnjë Amerikën si vëllain e tyre të madh, u gjetën para një fakti të kryer, që e kanë të vështirë t’a përtypin. Amerikanët i njoftuan këtë javë, se ata duhet të menaxhojnë të vetëm sigurinë në Ukrainë dhe nuk do jenë në tryezën e negociatave për marrëveshjen e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. Mesazhi i parë erdhi nga gjiri i ministerialit të mbrojtjes së NATO-s, që u zhvillua në Bruksel gjatë 12 dhe 13 shkurtit. Sekretari amerikan i shtetit për mbrojtjen, Pete Hegseth parashtroi shkoqur vizionin amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë: As anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe as kthimi në kufinjtë e 2014 nuk janë realistë. Janë europianët ata, që do të duhet të ofrojnë garancitë e sigurisë në Ukrainë. Dhe zhvendosja e mundshme e trupave të sigurisë në Ukrainë pas arritjes së një armëpushimi nuk do bëhet nën drejtimin e NATOs. Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump konfirmoi në këtë rast, se qëllimi kryesor i amerikanëve brenda NATO-s ka ndryshuar qartësisht dhe ai është Paqësori. Kjo erdhi si tronditje për europianët, që jo vetëm nuk ishin të përgatitur për të qenë vetëm në kufirin e Ukrainës, por as për të drejtuar fokusin e trupave të NATO-s drejt Paqësorit. Pa patur kohë të merrnin veten nga anonçimi i parë, vijoi i dyti: “Europianët nuk do marrin pjesë në tryezën e negociatave për marrëveshjen e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës”.

Europianët mobilizohen për përgjigjen

“Asnjë marrëveshje e arritur mbi kurrizin tonë nuk mund të funksionojë. Marrëveshja duhet të zbatohet nga Ukraina dhe europianët. Nëse Ukraina nuk do jetë dakort me marrëveshjen e paqes, ajo do ketë mbështetjen tonë” ka deklaruar nga ana e saj shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas gjatë ministerialit të NATO-s. Kjo e fundit ngre pikëpyetjen, se përse u duhen bërë Rusëve kaq lëshime, ndërkohë që negociatat për marrëveshjen e paqes me Ukrainën nuk kanë filluar ende. Por ajo nuk është e vetme. “Nuk do ketë negociata të besueshme dhe të suksesshme e as paqe të qëndrueshme pa Ukrainën dhe pa Bashkimin Europian”. ka deklaruar presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa gjatë konferencës për sigurinë në Munich në 15 shkurt. Sipas tij, lëshimi i konçensioneve para negociatave për marrëveshjen e paqes është një gabim i madh. “Rusia dominon Bjellorusinë dhe ka një prezencë ushtarake në Moldavi dhe Gjeorgji. Rusia hedh errësirë mbi vendet Baltike, kufinjtë lindore të Bashkimit Europian, sistemeve tona demokratike dhe infrastrukturave tona” është shprehur Costa. Një qëndrim që e ndajnë disa liderë europianë. Ata mobilizuan për të gjetur një përgjigje të shpejtë ndaj presidentit Donald Trump, që ka të gjitha kartat në duart e tij për negociatat midis presidentit rus dhe ukrainas. “Një samit do zhvillohet pasditen e 17 shkurtit në Paris në pallatin Elysée, ku do marrin pjesë liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës, Polonisë, Hollandës dhe Danimarkës. Këto vende i mbeten besnikë parimit të pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës”. kanë thënë për gazetën Telegraf burime të Bashkimit Europian. Sipas tyre, takimit do t’i bashkohen edhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Kosta, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Këto burime kanë shtjelluar më tutje, se, diskutimet mund të vijojnë në një format tjetër, me synim për të bërë bashkë edhe partnerë të tjerë, të interesuar për paqen dhe sigurinë në Europë.